Bota

Merkel dhe Conte me kërkesa për mbështetje

Në vizitën e tij të parë në Berlin, kryeministri i ri i Italisë Guiseppe Conte kërkoi mbështetje më të fuqishme në përballimin e krizës së migracionit. Por edhe kancelarja ka kërkuar mbështetje për kursin e saj politik.

Që në fillim të takimit kancelarja Angela Merkel i premtoi mbështetje Italisë në përballimin e krizës së refugjatëve. Gjermania do të jetë solidare me Italinë, tha Merkel në takimin e saj të parë me kryeministrin e ri të Italisë Giuseppe Conte në Berlin. Këtu bëhet fjalë edhe për mundësitë e zgjidhjes së problemeve në Afrikën e Veriut, në veçanti në Libi. Ndoshta ekziston mundësia që kërkesat për azil të përpunohen atje, tha Merkel.

Qeveritë në Berlin dhe Romë janë të një mendimi se kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të ruhen më mirë dhe se Frontex-i duhet të forcohet, tha Merkel. Përveç kësaj, edhe aksionet kundër kontrabandistëve me refugjatë duhet të ashpërsohen në vet vendet afrikane.

Gjatë paraqitjes së përbashkët para gazetarëve, Conte kërkoi më shumë solidaritet mes vendeve të BE-së, për shpërndarjen e refugjatëve në Evropë. Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë perspektivën e vet. Vendi i tij do të donte që të ndryshohet sistemi i Dublinit, i cili parashikon që refuagjatët të paraqesin kërkesën për azil në vendin e parë që mbërrijnë në BE dhe se atje duhet të përpunohet kërkesa.

Roma kërkon një qasje më solidare. Më së miri do të ishte sikur personat të mund të paraqesin kërkesat për azil në vendet e tyre apo në vendet nëpër të cilat kalojnë, tha Conte. Edhe ai u angazhua për një luftë më të ashpër kundër kontrabandistëve.

Italia kaherë ka kritikuar sistemin e Dublinit, sepse ajo është ndër vendet më të prekura nga vala e refugjatëve nga Afrika. Qeveria e re në Romë ka bërë të ditur se do të zbatojë një politikë shumë më të ashpër ndaj refugjatëve.

Edhe kancelarja Merkel ka kërkuar nga Conte më shumë solidaritet me Gjermaninë, në çështjen e migracionit. Ajo tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë.

Merkel pretendon të arrijë marrëveshje bilaterale me vendet fqinje, që personat e regjistruar në këto vende të mund të kthehen nga kufiri gjerman atje. Në këtë mënyrë ajo po pëpiqet të zgjidhë edhe mosmarrëveshjet me liderin e CSU, ministrin e Brendshëm Horst Seehofer. Seehofer ka paraqitur një ultimatum që ky problem të zgjidhet deri në fillim të korrikut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button