Politika

Vizita në Hungari, presidenti Meta takon kryeministrin Orban

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë e shumë miqësore.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Orbán për mbështetjen domethënëse e pa rezerva që ai i ka dhënë Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Duke vlerësuar angazhimin e Qeverisë së zotit Orbán për të nxitur marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve, Presidenti Meta, nënvizoi vullnetin e gatishmërinë e palës shqiptare për t’i ngritur këto marrëdhënie në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Edhe në takimin me Kryeministrin Orbán, Presidenti Meta, shprehu besimin se rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve Shqipëria dhe Hungaria ta festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate konkrete e domethënëse.

Ndërsa, duke iu referuar partneritetit aktual në NATO dhe partneritetit të ardhshëm në BE, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në sfidat me të cilat përballen të dy vendet. Çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe influencës së aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e bisedës midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Orbán.

Kryeministri Orbán e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike midis dy popujve.

Kryeministri Orbán shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet hungareze në të gjitha drejtimet ku Shqipëria shpreh interes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button