Home / Rajoni / Frymëmarrje për Greqinë, merr fund periudha e ndihmës ekonomike

Frymëmarrje për Greqinë, merr fund periudha e ndihmës ekonomike

“Duhet të them se qeveria greke është e lumtur me këtë marrëveshje. Konsiderojmë se borxhi tani është i qëndrueshëm, se mund të dalim në tregje, se mund të dalim nga kriza me respektimin dhe vazhdimin e reformave të caktuara. Por, në të njëjtën kohë, kjo qeveri nuk harron kurrë dhe nuk do ta harrojë kurrë atë që populli grek ka kaluar gjatë këtyre 8 viteve të fundit”, tha ministri grek i Financave, Euclid Tsakalotos.

Midis të tjerash, marrëveshja shtyn afatet e ripagimit të borxhit grek me 10 vite, për më shumë se 100 miliardë euro, duke lehtësuar Greqinë që ka vuajtur depresionin më të keq të çdo ekonomie europiane.

“Greqia ka bërë një rrugë të gjatë. Ne, Eurozona, kemi bërë një rrugë të gjatë dhe me të vërtetë dua të përgëzoj Greqinë për përfundimin e këtij programi të tretë. Solidariteti nga Eurozona për Greqinë, si kusht për të gjithë reformat dhe përshtatjet është i pashembullt. Është solidariteti më i madh që bota ka parë ndonjëherë”, tha Klaus Regling, kreu i Mekanizmit të Stabilitetit Europian.

Pas 8 vitesh, një muaji dhe 20 ditësh; pas 3 programesh kredish prej 273.7 miliardë euro, një referendumi, kontrollit të kapitaleve, humbjes prej 40% të të ardhurave, të 25% të PBB-së dhe të 1 milion vendeve të punës, Eurogrupi mbyll kështu një nga kapitujt më të zinj të historisë moderne për Greqinë.

Athina, që ka paraqitur edhe planin për zbatimin e gati 88 kushteve të tjera të reformave që duhet të përmbushë, ka siguruar përveç shtyrjes së afatit të shlyerjes së borxheve, edhe një shumë prej 15 miliardë eurosh, si një fond sigurie për 22 muajt e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published.