Sporti

Trajneri Löw i Gjermanisë, i dyzuar për të ardhmen e tij

“Jogi” Löw nënshkroi zgjatjen e kontratës deri në vitin 2022 gjatë majit, por refuzoi të konfirmonte qëndrimin e tij në krye të “panzerave” edhe gjatë fushatës për kualifikueset e Europianit të ardhshëm.

“Është shumë herët për mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, – tha ai. Na duhen disa orë të paktën për të qartësuar gjërat. Zhgënjimi është i thellë, brenda meje, lojtarëve dhe tifozëve. Nuk mund ta kisha imagjinuar se do të mund të humbisnim ndaj Koresë së Jugut. Jam i tronditur, sepse nuk dhamë maksimumin sot. Do të ishte e parakohshme për mua të thoja diçka, sepse jam thellësisht i zhgënjyer. Sa larg mund të shkojmë nga ky moment e në vijim? Na duhet kohë dhe bisedime me qetësi për gjithçka”.

Akuzat për arrogancë ndaj lojtarëve të Gjermanisë nuk kanë munguar, veçanërisht ndaj komentit të Marco Reus kur u la jashtë formacionit në ndeshjen ndaj Meksikës, teksa tha se po ruante energjitë për “ndeshjet e rëndësishme”.

Por, edhe skemat e trajnerit Löw, i cili hodhi të gjithë ekipin në sulm, duke lënë vetëm Sami Khedirën në ruajtje të prapavijës, duket sikur të kthen pas në kohë në kohën kur kundërshtarët neglizhoheshin.

Fiksimi i tij pas lojës sulmuese reflektohet në faktin se Gjermania ka pësuar gjithmonë gol në 8 ndeshjet e fundit, që ecuri që i ka fillesat e saj që nga nëntori i kaluar kur “panzerat” barazuan 0-0 ndaj Anglisë.

“I kishim të gjitha të mirat, që nga kampi stërvitor në fazën përgatitore. Ekipi punoi shumë mirë, lojtarët u stërvitën mirë, por dy ndeshjet miqësore ndaj Austrisë dhe Arabisë Saudite nuk ishin të mira. Ndoshta menduam se me një të shtypur butoni mund të kishim ndryshuar situatën, por sërish humbëm ndaj Meksikës. Nëse do të kishim marrë një pikë në atë ndeshje, gjërat do të ishin ndryshe. Nuk mundëm ta bënim kthesën. Ishim të bindur se, sapo të fillonte turneu do të ishim në gjendje të luanim mirë, por nuk ndodhi kështu”, shpjegon më tej “Jogi”.

Megjithatë, pavarësisht kësaj humbjeje, Löw mbetet i bindur se e ardhmja e futbollit gjerman është e ndritur, kur tha se nuk ekzistojnë “periudha të errëta” përpara.

“Deri kohët e fundit, ne konsideroheshim ndoshta ekipi me vazhdimësinë më të mirë, për një periudhë 10 apo 12-vjeçare. Kemi qenë gjithmonë në 4 më të mirat e çdo kompeticioni për një periudhë të gjatë, përfshi edhe në fitoret e Botërorit dhe Kupës së Konfederatave, në vitet 2014 dhe 2017 respektivisht. Kjo e sotmja, padyshim që është një rast trishtimi absolut dhe zhgënjimi. Por, ne kemi lojtarë të rinj, të talentuar dhe që kanë potencial për të ecur përpara sërish. Kjo gjë ka ndodhur edhe me kombëtare të tjera më parë, thjesht duhet të nxjerrim konkluzionet dhe të marrim mësimet e duhura”, tha trajneri i Gjermanisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button