Home / Ekonomia / Fluturimet drejt Vjenës, Konkurrenca i kërkon Aviacionit Civil të ndërhyjë kur ka çmime abuzivisht të larta

Fluturimet drejt Vjenës, Konkurrenca i kërkon Aviacionit Civil të ndërhyjë kur ka çmime abuzivisht të larta

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të mbyllë procedurën e hetimit paraprak në tregun e transportit ajror të pasagjerëve ndaj ndërmarrjes Austrian Airlines, duke dhënë disa rekomandime për analizën e çmimeve për operatorët me pozitë dominuese dhe rritjen e transparencës ndaj pasagjerëve.

Konkurrenca thotë se Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka tagrin ligjor që të marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e tarifave dhe praktikave diskriminuese, çmimeve abuzivisht të larta si rezultat i një pozite dominuese dhe çmimeve abuzivisht shumë të ulëta.

Por, AAC nuk disponon një metodologji për të kryer këtë vlerësim, ndaj Konkurrenca i ka rekomanduar që brenda 90 ditëve AAC duhet të kryejë analizën e çmimeve të aplikuara nga transportuesit ajrorë me pozitë dominuese në treg, për të parandaluar tarifat dhe praktikat diskriminuese, çmimet abuzivisht të larta si rezultat i një pozite dominuese dhe çmimet abuzivisht shumë të ulëta.  Krahas analizës, Aviacioni Civil duhet të  hartojë një metodologji për llogaritjen e kostove të ndërmarrjeve për krahasimin e çmimeve abuzivisht të larta dhe praktikave diskriminuese.

Konkurrenca ka paralajmëruar ndërkohë se ajo do të monitorojë për një vit sjelljen e Austrian Airlines, duke raportuar pranë Autoritetit të Konkurrencës çdo 4 muaj në lidhje me çmimet që ka aplikuar, numrin e ankesave që ka pasur, raste të overbooking.

Pozita Dominuese e Austrian Ailines në linjën Tiranë-Vjenë

Austrian Airlines vepron e vetme në linjën direkte Tiranë – Vjenë (TIA-VIE) , Vjenë – Tiranë (VIE-TIA) dhe konkurrenca vlerëson se kompania ka pozitë dominuese në linjën direkte Tiranë – Vjenë dhe anasjelltas.

Autoriteti ka analizuar dhe strukturën e kostos së biletës për në Vjenë.  Taksat përfaqësojnë deri 25% të çmimit total të biletës. Tarifa mesatare e çmimit të biletave Tiranë – Vjenë dhe anasjelltas për vitin 2016 është 156 euro, ndërsa për vitin 2017 kjo tarifë është 161 euro. Rritja e lehtë e çmimit mesatar të biletave nga 2016 në 2017 sipas ndërmarrjes Austrian Airlines vjen nga rritja e kërkesave në fluturim për këtë linjë.

Nga krahasimi i çmimit të biletave të avionit me vendet e rajonit për udhëtime vajtje-ardhje rreth datave 4 deri më 11 qershor drejt të njëjtit destinacion, Vjenës me të njëjtën linjë ajrore Austrian Airlines, për nisje nga Tirana është 190 euro, përkatësisht 7.7% më i lartë se mesatarja e vendeve të rajonit (pa Shqipërinë).

Prishtina rezulton të jetë vendi me çmimin e biletave më të lartë në rajon me 198 euro, ose 12.3% më të lartë se mesatarja. Çmimin më të lirë të biletave drejt Vjenës e ka Shkupi (160 euro), ose 9.3% më lirë se mesatarja e rajonit. Ndërsa Mali i Zi e ka çmimin pothuajse sa mesatarja e rajonit. Gjithashtu duhet marrë parasysh se Shqipëria dhe Kosova kanë vetëm një aeroport, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë nga dy aeroporte, ndërsa Kroacia ka tetë aeroporte.

Linja ajrore Austrian Airlines ofron udhëtim direkt për në Vjenë (pa ndalesë), ndërsa linjat e tjera që e ofrojnë këtë mundësi janë udhëtime jo direkte (me një ndalesë) dhe në rastin tonë janë të pazëvendësueshme. Pra udhëtimi direkt me Austrian Airlines mbetet alternativa më e mirë për konsumatorët duke qenë se është linjë direkte dhe nuk ka humbje kohe për ta. Gjithashtu duhet pasur parasysh se në formimin e çmimit, duhen marrë në konsideratë dhe taksat aeroportuale dhe çmimi i karburantit të avionëve që janë të ndryshme në vende të ndryshme.

Aviacioni Civil të analizojë kostot

Konkurrenca thotë se në bazë të nenit 11 të Kodit Ajror, përcaktohet qartë se çmimet e transportit ajror vendosen lirisht nga tregu dhe transportuesit ajrorë informojnë publikun për të gjitha tarifat ajrore për pasagjerët, postën dhe ngarkesat. Në këtë nen përcaktohet dhe detyrimi për Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC) që të marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e tarifave dhe praktikave diskriminuese, çmimeve abuzivisht të larta si rezultat i një pozite dominuese dhe çmimeve abuzivisht shumë të ulëta.

Për të bërë të zbatueshme kontrollin e tarifave shumë të ulëta apo shumë të larta që aplikohen nga transportuesit ajror me pozitë dominuese në treg ndaj pasagjerëve, në zbatim të këtij neni të Kodit Ajror, Ministri duhet të miratojë rregullore për përcaktimin e rregullave të hollësishme.

Lidhur me miratimin e akteve nënligjore nga ana e Ministrit i është kërkuar informacion AAC me shkresën Nr. 67 Prot., datë 29.01.2018. Sipas përgjigjes së AAC nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është miratuar vetëm Udhëzimi Nr. 17, datë 02.09.2010 “Mbi rregullat e zbatueshme të operimit në fushën e shërbimeve ajrore”. Ndërsa lidhur me ekzistencën e ndonjë metodologjie për llogaritjen e kostove të ndërmarrjeve, për krahasimin me çmimet abuzivisht të larta dhe praktikat diskriminuese, AAC në përgjigjen e saj shprehet se nuk ka një metodologji e tillë.

Pra, për të parandaluar tarifat dhe praktikat diskriminuese, çmimet abuzivisht të larta si rezultat i një pozite dominuese dhe çmimet abuzivisht shumë të ulëta, AAC duhet të kryejë analizën e çmimeve të aplikuara nga transportuesi ajror me pozitë dominuese në treg, siç është rasti i ndërmarrjes Austrian Airlines. Pas kryerjes së analizës së çmimit të aplikuar nga ndërmarrja me pozitë dominuese, AAC duhet të vlerësojë nëse kjo ndërmarrje aplikon çmime shumë të larta apo shumë të ulëta në treg. Siç përmendëm edhe më lart, AAC nuk disponon një metodologji për të kryer këtë vlerësim. Gjithashtu, edhe në Udhëzimin e Ministrit Nr. 17, datë 02.09.2010 “Mbi rregullat e zbatueshme të operimit në fushën e shërbimeve ajrore”, nuk është parashikuar rasti i aplikimit të çmimeve abuzivisht të larta apo çmimeve abuzivisht shumë të ulëta, si rezultat i një pozite dominuese të ndërmarrjes në treg.

Të rritet transparenca

Konkurrenca rekomandon që  ndërmarrja Austrian Airlines, për shkak të pozitës së saj dominuese në treg, duhet të jetë sa më transparente me pasagjerët e saj dhe t’i informojë ata (paraprakisht kur është e mundur) për anulimin e fluturimit, ndryshimin e orarit etj. Gjithashtu, ndërmarrja Austrian Airlines, si i vetmi transportues ajror për linjën direkt Tiranë – Vjenë dhe anasjelltas, duhet të minimizojë sa më shumë tregtimin e  biletave mbi kapacitetin e avionit, sidomos gjatë sezonit të lartë, për të shmangur ndonjë sjellje të mundshme antikonkurruese në treg, e cila i vendos pasagjerët në kushte të pafavorshme konkurrence.

Transportuesi ajror (Austrian Airlines) duhet t’i sigurojë pasagjerëve që pranë kontrollit të biletave (check-in desk) dhe pranë portës së hyrjes (boarding gate) të kenë një njoftim të lexueshëm dhe të qartë lidhur me të drejtat e tyre, i cili duhet të ekspozohet në mënyrë të dallueshme për pasagjerët.

Leave a Reply

%d bloggers like this: