Home / Politika / Koçijançiç konfirmon: KE do të nisë punën përgatitore me Shqipërinë

Koçijançiç konfirmon: KE do të nisë punën përgatitore me Shqipërinë

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç ka thënë për Ora News se Komisioni do të nisë punën përgatitore menjëherë pas vendimit të Këshillit Europian.

Koçijançiç tha gjithashtu se Komisioni do të vijojë angazhimin për të mbështetur Shqipërinë në përpekjet e saj për të arritur reformat e kërkuara.

E pyetur nëse puna përgatitore do të ketë të bëjë me procesin screening, zëdhënësja e Komisionit Europian dha një përgjigje konfirmuese.

“Komisioni do të vijojë angazhimin për të shoqëruar Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në përpjekjet e tyre për reforma, në përgatitjen e tyre për të hapur negociatat e pranimit në qershor 2019. Në këtë kontekst, Komisioni do të fillojë punën e nevojshme përgatitore. Kjo përfshin edhe kontrollin teknik të legjislacionit (screening) si dhe përgatitjen e kornizës së negociatave”, tha ajo.

Procesi i njohur Screening është një ushtrim tërësor që udhëhiqet nga Komisioni, për të përgatitur negociatat për anëtarësim. Ky është proces që i jep mundësi vendit kandidat për t’u përshtatur më tej me legjislacionin europian dhe lejon Komisionin të vlerësojë përgatitjen e vendeve kandidate.

Zakonisht ky proces zgjat më shumë se një vit dhe siguron një bazë të qëndrueshme për vendimin që do të marrin vendet anëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published.