Ekonomia

Guvernatori i Bankës së Kosovës: Për ne është mirë që Shqipëria të përdorë euron

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, në samitin rajonal të Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore që u mbajt në Beçiç të Malit të Zi, theksoi se sfida kryesore vijon të mbetet ruajtja e stabilitetit financiar. Për guvernatorin Fehmi Mehmeti, sektori financiar në Kosovë, është shumë stabël dhe me përmirësim të vazhdueshëm të rolit të tij në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit.

Norma e kredive joperformuese në sektorin bankar të Kosovës është vetëm 2.9% dhe norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është rreth 18%. Mirëpo, Mehmeti deklaroi se janë të vetëdijshëm se tronditjet për sektorin bankar shpesh vijnë nga jashtë bankave, pra prej ekonomisë dhe në këtë aspekt, duhet të jemi të kujdesshëm që bankat të mund t’i përballojnë tronditjet e mundshme me të cilat mund të ballafaqohen në të ardhmen. Sfidë tjetër për Bankën Qendrore të Kosovës është edhe nevoja për rritjen e rolit të bankës qendrore në ndikimin e zhvillimeve makroekonomike në vend. “Me një politikë monetare të kufizuar, mundësia jonë për të ndikuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë në treguesit makroekonomikë, siç janë inflacioni, rritja ekonomike apo edhe papunësia është e vogël”, pohoi ai.

Këtë sfidë Mehmeti thotë se po përpiqen të adresojnë, deri në një masë, përmes zhvillimit të politikës makroprudenciale, mirëpo edhe kjo paraqet sfidë më vete, duke pasur parasysh stadin e hershëm të zhvillimit të saj edhe në vendet tjera.
Aktualisht, norma mesatare e interesit në kredi është rreth 6.6%, krahasuar me normën prej rreth 11% që ishte vetëm 5 vjet më parë. Ndikim të rëndësishëm në zvogëlimin e normës së interesit në kredi kishte edhe rënia e normave të interesit në depozita, të cilat po ashtu kanë zbritur në nivel mjaft të ulët, shpjegon Mehmeti. Aktualisht, norma mesatare e interesit në depozita është rreth 1.3%, krahasuar me mesataren prej rreth 3.5% që ishte pesë vite më parë.

Në një intervistë që dha për Monitor gjatë konferencës, guvernatori Mehmeti për ne është mirë që Shqipëria të përdorë monedhën e përbashkët. Besoj edhe Kosova, me të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, do të bëhen pjesë e BE-së dhe njëkohësisht do të kemi një valutë të vetme, tha ai. Më poshtë intervista:

Intervistë me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Si ka qenë ecuria e sistemit financiar në Kosovë?

Në përgjithësi, ecuria e sistemit financiar në Kosovë ka qenë tepër pozitive, duke marrë parasysh rritjen e vazhdueshme më së shumti të sektorit bankar. Shohim se kemi rritje të kredive në masën 11.5% të kredive të dhëna nga bankat. Po ashtu kemi edhe rritje të depozitave në masën prej 7.4%. Në anën tjetër, kemi ulje të theksuar të kredive jo-performuese. Sipas të dhënave, kreditë jo-performuese shënuan 2.9%, norma më e ulët në të gjithë rajonin.

Në vendet e rajonit, mesatarja e kredive jo-perfromuese është në 14.5%, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian, mesatarja është në 2.5%.
Progres është bërë tek ulja e normës së interesit te kreditë, norma e interesit në kredi ka shënuar 6.6%, gjë që ka bërë që të rritet qasja në financa. Pjesa dërrmuese e kredive janë dhënë për bizneset, kjo reflekton mbështetjen e sektorit bankar për të financuar ekonominë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Për sa u përket politikave monetare, si po e menaxhoni duke qenë se Kosova përdor monedhën e përbashkët?

Ju e dini që ne kemi euron si valutë zyrtare. Kjo në njëfarë mase ka avantazhet dhe përparësitë e veta dhe njëkohësisht ka të metat e veta. Mirëpo kahu anon më së shumti nga ana e avantazheve. Një prej përparësive të përdorimit të monedhës euro është se ekonomia e Kosovës nuk i ekspozohet rrezikut prej luhatjeve të kursit të këmbimit valutor. Të gjitha aktivet dhe pasivet e bankës mbahen në euro.

Nga ana tjetër, kjo kufizon rolin e Bankës Qendrore të Kosovës për të pasur ndikimin e saj në faktorët makroekonomik, si dhe për të luajtur rolin si zëdhënësi i fundit. Deri diku, kjo çështje është zgjidhur, jemi në funksion të rritjes së rolit të Bankës Qendrore në këtë fushë. Ne kemi krijuar fondin e likuiditetit, nëse bankat paraqiten dhe kanë probleme, ky fond shërben për t’i mbështetur ato në rast se kanë vështirësi. Fondi është krijuar në bashkëpunim midis bankave tregtare, qeverisë dhe Bankës Qendrore të Kosovës.

A do ta rekomandonit përdorimin e euros në Shqipëri si monedhë zyrtare, duke marrë parasysh edhe përdorimin e gjerë të saj në vend?

Vendet e Ballkanit janë pjesë integrale Europës. Faktikisht për ne është mirë që Shqipëria të përdorë monedhën e përbashkët. Të gjitha shtetet synojnë që të integrohen në Bashkimin Europian, dhe që përpos të tjerave, ka dhe valutën e vet zyrtare. Shqipëria po bën progres në përmbushjen e kushteve për të çelur negociata për anëtarësim. Besoj edhe Kosova, me të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, do të bëhen pjesë e BE-së dhe njëkohësisht do të kemi një valutë të vetme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button