Home / Ekonomia / Shqipëria me fermën të madhe të akuaponisë në Europë, investim 5 mln euro

Shqipëria me fermën të madhe të akuaponisë në Europë, investim 5 mln euro

Shqipëria do të ketë fermën më të madhe të akuaponisë në Europë. Një projekt 5.1 milionë euro synon zbatimin e teknologjisë më inovatore që kombinon në prodhim dy sisteme. Kompania Aquatiq synon që në 1.3 hektarë në Remas të Divjakës të prodhojë 100 tonë troftë të ylbertë, 153 tonë domate cherry, 250 mijë tufa sallate, 1.1 milionë minivazo borzilok në vit të destinuara për tregjet europiane. Ky është projekti i parë i kësaj natyre, ndërkohë që në Shqipëri ekziston vetëm një rast i akuaponisë eksperimentale i zbatuar tërësisht në mënyrë autodidakte, lindur nga një video YouTube dhe një akuariumi në shtëpi.

Nga Nertila Maho

Remas është një nga pesë njësitë administrative të Bashkisë së Divjakës, me një popullsi që llogaritet 6500 banorë. Pakkujt mund t’i kishte shkuar në mendje se kjo zonë do të ishte qendra e fermës më të madhe akuaponike në Europë, një investim 5 milionë euro që vjen nga kompania Aquatiq, nën një trinom shqiptaro-austriako-gjerman. Vetëm pak muaj më parë, në Komitetin e Investimeve Strategjike do të miratohej statusi për një projekt tërësisht jashtë realitetit shqiptar. Një fermë akuaponike, me një sipërfaqe 1.3 hektarë që do të punësojë rreth 60 persona dhe ka të veçantë kombinimin e dy sistemeve akuakulturën (rritjen e peshqve në vaska) dhe hidroponinë (kultivimin e bimëve në ujë) në një të vetme. Është interesante të shohësh sesi në një rajon si Lushnja, e njohur gjithmonë për bujqësinë tradicionale, zë vend një koncept që edhe në vende të zhvilluara ka përhapje minimale.

Për Shqipërinë, ky është projekti i parë i kësaj natyre që nëse do të zbatohet me sukses do të shënojë një etapë tjetër të ndryshme nga ajo sesi konceptohet bujqësia sot, një sektor që endet mes prodhimit për mbijetesë, parcelizimit të lartë, çorganizimit të fermerëve dhe kulturave dhe një sërë problematikash të tjera. Por sa njihet në fakt akuaponia në vend? Shumë pak, për të mos thënë aspak. Me një rast të izoluar si nismë individuale e një inxhinieri, që ka vendosur të eksperimentojnë në mënyrë autodidakte në sipërfaqe të vogla diku në rrethinat e Tiranës, pasi kostoja e investimit është relativisht e “kripur”.

Akuaponia, në Shqipëri nuk njihet pothuajse fare

Kur hasëm në projektin e fermës akuaponike kërkuam për të gjetur diçka në shqip. Në fakt, gjithçka që del është një faqe Facebook-u Aquaponik Albania dhe asgjë më tepër. Nga të dhënat e mbledhura edhe pranë Universitetit Bujqësor në Tiranë kuptuam se dhe literatura shqiptare nuk ofron ndonjë informacion shumë të detajuar.

Studentët që janë ofruar për të bërë një punim diplome mbi këtë pjesë numërohen me gishtat e njërës dore. Duke pasur një përhapje minimale edhe në botë dhe një lloj sistemi tërësisht inovator, akuaponia nuk rezulton e përmendur ndokund në legjislacionin shqiptar dhe as merret në konsideratë si një aktivitet që mund të përfitojë nga mbështetja në rastet e skemave të financimit që ofrohen nga qeveria. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural iu përgjigj interesit të “Monitor” lidhur me akuaponinë, duke vënë theksin te fakti që kjo është diçka e re për vendin tonë dhe se Skema Kombëtare e Mbështetjes, edhe pse përfshin një gamë të gjerë për fermerët, nuk ka të përfshirë specifikisht këtë pikë.

Akuaponik Albania, nismë e vogël dhe autodidakte

Jani Taçi është me profesion inxhinier elektrik, por pasioni i tij i viteve të fundit është akuaponia, diçka që e ka mësuar në mënyrë autodidakte. Gjithçka nisi me disa video në YouTube. “Nga fundi i vitit 2012 gjej rastësisht në internet një video që tregonte për akuaponinë, dhe më pëlqeu si ide. Vendosa fillimisht të eksperimentoj në shtëpi, në një pjesë të vogël të akuariumit dhe pati rezultat. Kjo më shtyu që të bëj një serë 100 metra/katrorë, e cila pati rezultat shumë më të mirë sesa ajo që kisha në shtëpi dhe krahas saj, nisa të ndërtoja një serë më të madhe. Serën 100 metra/katrorë e ndërtova në 2013 dhe një vit më vonë, nisa të tentoj për një më të madhe.

Nuk është e gjitha akupon, por gjysma është e tillë dhe gjysma tjetër, një serë e zakonshme”, – shprehet Jani Taçi. Sera ndodhet diku në zonën e Citypark-ut dhe ai ka investuar në të kursimet e tij. Edhe pse ka kërkuar herë pas here të sigurojë ndonjë mbështetje nga insitucionet për të bërë diçka më të madhe, nuk ia ka dalë. Ka shumë pak njerëz që e njohin akuaponinë sipas tij, madje në Universitetin Bujqësor kjo është diçka që nuk trajtohet pothuajse fare. Këtë e ka konsultuar me të paktën dy studentë që kanë zgjedhur të zhvillojnë pranë serës së tij punimet e tyre të diplomës.
Në Shqipëri është ende herët për të folur për një tendencë lidhur me akuaponinë, pasi deri më tani rastet janë të izoluara. Por nëse ferma në Remas shënon sukses, atëherë nuk është çudi që Shqipëria të shihet si destinacion për investime të kësaj natyre nga investitorët potencialë.

Avantazhet e këtyre fermave

Fermat akuaponike nuk kanë përhapje masive, por numri i tyre në botë raportohet në rritje nga viti në vit, të paktën sipas disa studimeve ndërkombëtare. Arsyeja e lulëzimit të kësaj ferme shumë specifike lidhet me theksin që vihet tek ushqimi i shëndetshëm dhe pa kimikate që sigurohet.

Ekspertët shprehen se në këtë lloj ferme, i vetmi përbërës që hidhet është ushqimi i peshqve, ndërkohë që mbetjet që prodhojnë peshqit më pas përmes ciklit kalojnë në formë ushqimi për bimët. Kjo do të thotë se ato rriten në mënyrë krejt të pastër, pa asnjë lloj kimikati.

Duke qenë se kjo lloj ferme nuk kërkon tokë për t’u ngritur, mund të ushtrohet sipas mundësive nëpër çatitë e ndërtesave, sakaq ato konsumojnë shumë më pak ujë sesa fermat tradicionale. Cilësia e ushqimit është pika më e fortë e këtij lloj aktiviteti. Ajo që sigurohet më lehtë është rritja e disa lloje sallatave, por edhe disa peshq të cilët pasi kanë arritur një farë pjekurie mund të zëvendësohen me peshq më të rinj. Sot në botë gjithmonë e më shumë po lakohet se alternimi me këto lloj fermash është e ardhmja e prodhimit të shëndetshëm. Por a mund të ushqejnë një vend këto ferma? Opinionet e ekspertëve ndahen në dy. Disa shprehen se ato mund të shërbejnë si një formë alternative e prodhimit që rrit masën dhe cilësinë, por që për shkak të kostos nuk mund të kenë përhapje të gjerë, ndërsa të dytët vlerësojnë se ato mund të jenë konkurrente të fermave normale dhe konkurrenca është vetëm pozitive.

Sfidat që hasin fermat akuaponike

Nuk është e thjeshtë të bindësh njerëzit se produkti është rritur vetëm me praninë e ujit kur në mendjen e tij çdokush ka të fiksuar se duhet tokë për të rritur diçka. Kjo ka bërë që edhe nismat që ndërmerren për fermat akuaponike të jenë të rralla sidomos kur flasim për hapësira të mëdha ndërkohë që ata që janë fanatikë të eksplorimit të kësaj fushe janë më të shumtë në numër.

Një tjetër sfidë që hasin fermat akuaponike është financimi. Teknologjia që përdoret në këto lloj fermash është relativisht e re dhe pak e shtrenjtë. Kjo bën që bankat të tregohen më konservatore në kreditimin e planeve të biznesit të këtyre fermave. Në këtë pjesë ndikon edhe fakti që ende këto ferma nuk kanë një historik të gjatë të bilanceve të tyre financiare, pasi janë nisma të rralla. Edhe pse aktualisht kjo shihet si një sfidë ekspertët shprehen se është vetëm një fazë kalimtare. Krijimi i një historiku suksesi, testimi i këtyre fermave që nuk janë asgjë më shumë se një simbiozë mes bimëve dhe kafshëve e gjejmë të shfaqur sot në natyrë pritet që të nxisë orientimin e më shumë financimeve edhe në këtë drejtim.

“Arsyet pse ferma më e madhe akuaponike në Europë do të ngrihet në Shqipëri”

Flet Sabina Lalaj, Këshilltare ligjore e Aquatiq

Pak muaj më parë, një kompani e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në datë 19 janar 2017 nën emrin Aquatiq, përfitoi statusin e Investitorit Strategjik për një projekt me vlerë investimi 5.1 milionë euro. Projekti i saj qendror është një fermë akuaponike, një sipërmarrje tërësisht inovatore dhe e pazbatuar ndonjëherë në Shqipëri.

Këshilltarja ligjore e kompanisë, Sabina Lalaj, në një intervistë për “Monitor” rendit arsyet se pse vendi ynë u zgjodh për një fermë akuaponike, të parën e kësaj natyre në Shqipëri dhe më e madhja në Europë.

Ferma pritet të hyjë në prodhim pas 15 muajsh dhe produktet që në fazën e parë do të jenë troftë e ylbertë, domate cherry (domate qershi), borzilok dhe sallatë, të destinuara për tregun europian përmes zinxhirëve më në zë të supermarketeve fillimisht në Austri dhe Gjermani. Përtej skepticizmit që produktet shqiptare mund të hasin në tregjet europiane, studimi i kompanisë doli në përfundimin se ende ka nostalgjikë në këto tregje për prodhimet shqiptare të para ’90-s.

Aquatiq sapo ka marrë statusin e Investimit Strategjik për ndërtimin e një ferme akuaponike në Karavasta. A mund të na jepni disa detaje më shumë në lidhje me projektin?

Aquatiq lindi si një bashkëpunim i frytshëm i një rrjeti ndërkombëtar shoqërish austriako-gjermane, pasi u morën në analizë tregu, teknologjia, mjedisi dhe vendi ku do të krijohej dhe ushtronte aktivitetin kjo shoqëri. Aquatiq është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar dhe që funksionon në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi. Shoqëria është themeluar më datë 19.01.2017.
Aktiviteti i biznesit që synon të zhvillojë shoqëria është rritja e perimeve të ndryshme dhe të specieve ujore (peshq) në sistemin e akuaponisë.

Fillimisht, gjithë prodhimi do të destinohet për tregjet europiane dhe me gjerë. Aquatiq mbështetet në partnerët e tij ndërkombëtarë përgjatë gjithë veprimtarisë dhe zinxhirit operativ të tij, në lidhje me knoë-hoë dhe futjen në treg.
Duke u mbështetur tek ndihma dhe përvoja e ofruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, Aquatiq ka si detyrë të vetme, implementimin e projektit në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Për të realizuar këtë, Aquatiq mbështetet në çdo hap të këtij projekti nga shoqëri të mirënjohura konsulente që kanë asistuar në themelimin e shoqërisë, përgatitjen e dokumentacionit ligjor dhe teknik dhe në çdo kërkesë tjetër që bëri të mundur marrjen e statusit të Investitorit Strategjik. Ferma do të ndërtohet në fshatin Remas në Divjakë, në një sipërfaqe 1.3 hektarë me premisa për t’u zgjeruar në të ardhmen. AQUATIQ është ende në fillimet e një sfide të cilën dëshiron ta shndërrojë në një sukses dhe në një promocion të produkteve cilësore shqiptare në tregun ndërkombëtar.

Akuaponia ka ende një përhapje të ulët për shkak të formës inovative të prodhimit që përfaqëson, kostos së lartë të investimit dhe njohurive specifike që nuk kanë përhapje të gjerë (jo si bujqësia tradicionale). Pse vendosët të investoni në këtë projekt?

Partnerët e Aquatiq që ushtrojnë një veprimtari të ngjashme në Europe, e kanë gjetur këtë investim si një ide, vlera e së cilës do të rritet në të ardhmen. Nga parashikimet statistikore, rezulton se në 2050 popullsia në botë do të arrijë 10 miliardë banorë. Për të ushqyer këtë popullatë, planetit do t’i nevojitet dyfishi i sipërfaqes aktuale të tokës agrare prodhuese. Gjithashtu konsumin më të madh të ujit në botë e zë bujqësia me 70%. Problematikat më të mëdha që njerëzimi do të përballet në të ardhmen janë garantimi i ushqimit dhe ujit, ku kjo e dyta tanimë duket qartazi në horizont.

Akuaponia është një sistem që për të njëjtën sipërfaqe prodhimi, ofron 3-4 herë më shumë prodhim dhe kjo e pakushtëzuar nga kushtet klimatike dhe faktorët e jashtëm. Në këtë sistem, arrihet kursimi deri në 90% sasi ujë, si pasojë e riqarkullimit në një cikël të mbyllur.
Nisur nga sa më lart, ne besojmë fort se serat/fermat e bazuara në teknologjinë e akuaponisë janë zgjidhja e së ardhmes në bujqësi duke ruajtur qëndrueshmërinë mjedisore e në të njëjtën kohë dhe cilësinë premium të produkteve që prodhohen e do të qarkullojnë në tregje.

Çfarë teknologjie do të përfshijë ferma? Çfarë do të prodhojë dhe si është i zgjidhur gjithë cikli që nis nga uji tek peshqit, produktet, polenizimi përmes bletëve etj.)

Aquatiq aplikon teknologjinë AQUAPONIC (AQUAculture + hydroPONIC), për të përfituar produkte si perime dhe peshk në një sistem të mbyllur simbiotik, në sera. Akuaponia është një sistem që përdor deri në 90% më pak ujë krahasuar me serat tradicionale dhe për të njëjtën sipërfaqe arrihet 3-4 herë më shumë prodhim. Gjithashtu do të ketë produkte të kultivuara bio-organike, nuk do të përdoren pesticide dhe plehra kimikë për rritjen e tyre. Për këtë arsye, qëllimi ynë është të shumëfishojë prodhimin duke ruajtur cilësinë e dëshiruar.
Duke qenë se gjithë sistemi është një cikël i mbyllur që kërkon monitorim në kohë reale në tërësi, përveç përfitimeve që ofron kjo mënyrë kultivimi është më e kushtueshme krahasuar me fermat/serat tradicionale.

Pse u zgjodh Shqipëria për të investuar në këtë projekt? Çfarë i jep avantazh në raport me vende të tjera?

Kushtet klimatike të favorshme, pozicionimi gjeografik, krahu i punës me përvojë tradicionale në bujqësi, kosto relativisht të ulëta operimi dhe zhvillimi i bujqësisë si prioritet i qeverisë janë ndër arsyet pse zbatimi i këtij projekti u vendos të bëhej në tonë.
Veç kësaj, një arsye tejet e rëndësishme, ndoshta po aq e rëndësishme sa të gjithë të sipërpërmendurat së bashku, ishte dhe dëshira e ortakut shqiptar të shoqërisë për të investuar dhe për të ndërtuar diçka novatore në vendlindje.

A bëtë një studim paraprak për klimën e biznesit, sistemin e taksave dhe elemente të tjera para se të vendosnit për Shqipërinë?

Paraprakisht u bë një studim mbi sistemin e taksave dhe mundësitë që ofron Shqipëria për biznesin. Në sajë të këtij studimi u ndërmor nisma për të aplikuar për marrjen e statusit të Investitorit Strategjik. Veç kësaj, të gjithë personat e angazhuar në projekt janë optimistë se do të ketë reforma favorizuese për bujqësinë duke qenë se ky është një sektor që ofron punësim për një pjesë të madhe të popullsisë në Shqipërinë rurale.

Kur pritet të nisë ndërtimi i fermës, afati i punimeve dhe bërja e saj operacionale deri në daljen në treg të produkteve të para? Sa do të jetë volumi i prodhimit dhe çfarë do të prodhohet saktësisht?

Grupi i shoqërive, të cilit i përket kompania, ka nisur herët në 2015 me fazat paraprake studimore. Pas shumë studimeve dhe hulumtimeve në terren nisëm rrugën ligjore të implementimit të këtij projekti në Shqipëri. Në janar 2017 u themelua Aquatiq sh.p.k.
Bazuar tek Ligji Nr.55/2015 “Për investimet strategjike”, u gjykua e arsyeshme dhe e nevojshme për shoqërinë të aplikojë për marrjen e këtij statusi dhe të kërkohej mbështetja e vazhdueshme e AIDA-s (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve). Vlen të përmendim se ka qenë një bashkëpunim i gjatë, me plot vështirësi që dilnin gjatë procesit, por që me profesionalizëm dhe këmbëngulje nga të dyja palët, u bë e mundur marrja e Statusit të Investitorit Strategjik.

Ky status na jep mundësinë që procedurat për marrjen e lejeve dhe licencave të nevojshme të trajtohen me përparësi nga institucionet shtetërore përkatëse dhe me koordinimin e AIDA-s. Mbështetja në fjalë thjeshton disi rrugëtimin e shoqërisë dhe partnerëve të saj duke u fokusuar më tepër tek sfidat dhe përgjegjësitë që ka ky projekt.
Ndërtimi i seres kërkon 9 muaj kohë dhe në muajin e 15, ferma është tërësisht prodhuese. Bazuar në studimin e fizibilitetit, shoqëria do të prodhojë rreth 100 tonë troftë të ylbertë, 153 tonë domate cherry, 250 mijë tufa sallatë, 1.1 milionë minivazo borzilok në vit.

Cilat do të jenë tregjet ku do të eksportohen produktet, zinxhiri i supermarketeve partnere me të cilët keni kontrata dhe cili do ta bëjë certifikimin e produkteve përpara se të hyjnë në tregun europian?

Si fillim, tregjet tona janë ato europiane, kryesisht Austri dhe Gjermani. Supermarketet partnere janë rrjete ndërkombëtare të njohura, të cilët kanë përqafuar produktet që do të prodhohen nëpërmjet teknologjisë së akuaponisë nga kompania. Kjo sepse produktet plotësojnë gjithë standardet ushqimore të cilësisë. Gjithashtu janë në përputhje të plotë me politikat e tyre mjedisore dhe sociale.
Në lidhje me certifikimin, këtë pjesë Aquatiq ia ka besuar disa agjencive ndërkombëtare prestigjioze zvicerane. Një nga to, vlen të përmendim BIO SWISS.

Kostoja e projektit është llogaritur pak më shumë se 5 milionë euro. Referuar planit tuaj të biznesit, për sa kohë prisni që të keni një kthim të investimit?

Ne parashikojmë një kthim të investimit në një afat prej 5 vitesh. Në rastin më të mirë, kjo duke parë dhe trendet e çmimeve në rritje të produkteve organike dhe atyre të cilësisë premium, investimi i kryer mund të kthehet në 4 vite.

Ju synoni që në një fazë të dytë të zgjeroni këtë projekt në një sipërfaqe më të madhe dhe të prodhoni edhe për tregun shqiptar? A mendoni se ka treg në Shqipëri për këtë lloj produkti, që mund të rezultojë në kosto relativisht pak më të shtrenjtë?

Po, një fazë e dytë është një domosdoshmëri le të themi, sepse potenciali i tregut është i madh dhe kërkesa për këto produkte vjen gjithmonë në rritje. Një fazë e dytë ka nisur tashmë të mendohet nga ne, në mënyrë që të diversifikojmë dhe gamën e produkteve që do të prodhojmë.
Në Shqipëri ka një potencial të madh për këto produkte, kjo lidhur ngushtë dhe me turizmin. Duhet përmendur që këtu duhet edukuar tregu dhe konsumatori në lidhje me produktet, cilësinë, kontrollin e një seri aspektesh të tjera.
Siç vërehet ka nisur një ndërgjegjësim në lidhje me origjinën, cilësinë dhe certifikimet e produktit. Ky fakt e rikthen tregun shqiptar në një mundësi të mirë për t’u zgjeruar.

“Made in Albania”, të paktën në aspektin e prodhimeve bujqësore, has ende në barriera të forta kur vjen puna tek eksporti. Ka shumë pak produkte që arrijnë të kalojnë traun e Doganave të vendeve fqinje për të mos shkuar më tej në Europë? A keni hasur apo hasni në skepticizëm për faktin se produktet do të prodhohen në Shqipëri dhe si e keni zgjidhur këtë “ngërç”?

Të jemi realistë, po. Skepticizëm nga ana e kontrollit të sigurisë/cilësisë dhe logjistikës. Këto pika tashmë janë të qartësuara midis palëve duke pasur dhe një barrë jo të lehtë përgjegjësie.
Përkrah skepticizmit nga hulumtimet që janë bërë së bashku me partnerët e huaj është vërejtur se ka ende konsumatorë europianë që kujtojnë produktet MADE IN ALBANIA të eksportuara para viteve ‘90.
Shqipëria njihet dhe si vend tradicionalisht bujqësor. Ky fakt, përveç rrjetit të marketingut dhe partneriteteve të ngushta ndërkombëtare, do të ndihmojë dhe më shumë në marketimin e produkteve “Made in Albania” të kompanisë në tregjet europiane dhe më tej në të ardhmen.

 

Akuaponik Albania, sera që lindi nga një akuarium dhe një video në YouTube

Flet Jani Taçi, inxhinier, Akuaponik Albania

Në fund të vitit 2012, një video në YouTube do të grishte kuriozitetin e Jani Taçit, për një lloj sere që po qarkullonte gjerësisht në internet. Ishte modeli i një sere akuaponike, që nuk e kishte hasur më parë dhe që njëkohësisht rriste peshq e bimë. Kurioziteti e shtyu që në akuariumin e shtëpisë ku kishte peshq dekorativë të eksperimentonte edhe me bimët.

Ky eksperiment rezultoi i suksesshëm. Nga ajo kohë e në vazhdim, tentativa e tij është të zgjerojë serën që ka diku në autostradën Tiranë-Durrës për të prodhuar më shumë. Në një intervistë për “Monitor” ai konfirmon se prodhon kale dhe 4-5 lloje sallatash një pjesë të të cilave i dorëzon në një dyqan në kryeqytet.

Si lindi ideja për Aquaponik Albania, sera që ju menaxhoni dhe që kombinon rritjen e peshkut dhe sallatave?

Gjithçka nisi me një video në internet në fund të vitit 2012. M’u duk diçka e veçantë dhe më pëlqeu si ide kjo pjesa e akuaponisë. Nisa të eksperimentoj në shtëpi në një pjesë të vogël të akuariumit. Rezultati i parë ishte i suksesshëm ndaj vendosa që eksperimentimin ta zhvendosja në një serë me sipërfaqe 100 metra/katror. Këtë e ndërtova në vitin 2013 dhe një vit më vonë kalova në një sipërfaqe edhe më të madhe me një total prej 800 metra/kator por nuk është e gjitha me akupon. Gjysma është akuapon dhe gjysma e zakonshme.

Çfarë peshqish përdorni për të plotësuar ciklin për të cilën karakterizohet kjo lloj sere?

Përdor peshq dekorativë që mbahen nëpër akuariume sepse sistemi që të funksionojë do peshq të ujërave të ëmbla, dhe dekorativi ishte peshku më i përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë. Jashtë përdorin peshk që është po i ujërave të ëmbla, por që është për konsum. Nuk ekziston tek ne. Ai do ujëra të ëmbla dhe temperaturë konstante. Në kushtet që kam në serë, nuk mund ta përdor. E kam nisur më shumë si pasion dhe eksperiment, nuk është diçka komerciale apo biznes i mirëfilltë. Në Shqipëri është tërësisht e re. Madje edhe nga Universiteti Bujqësor nuk ka shumë informacion për këtë si sistem. Kam pasur dy studentë nga ky universitet, të degës së Akuakulturës për të mbrojtur masterin me një temë që lidhet me akuaponinë.

Cila është diferenca që kanë produktet që prodhohen me këtë lloj sistemi, si funksionon pjesa që lidhet me pesticidet?

Produktet e këtij sistemi janë natyralë, biologjikisht të pastra sepse nuk mund të fusësh asnjë lloj pesticidi për spërkatje dhe asnjë lloj kimikati për nxitjen e rritjes. Uji është i riciklueshëm dhe duke qenë i tillë po të përdorësh ndonjë lloj helmi, problemi do të shfaqet tek peshqit të cilët janë shumë të ndjeshëm. Pra e vetmja gjë ekstra është ushqimi i peshkut. Ajo që mund të sajosh në kushte të tilla, të paktën ajo që bëj unë është spërkatje me hudhra ose spec djegës, është një lloj recete që ndjek për ta krijuar dhe më pas e filtron dhe bën spërkatjen.

Në këtë sistem motori është peshku dhe vëmendja jote duhet të jetë tek ai çka të detyron ty të jesh vigjilent për të kontrolluar kushtet e ujit, të masësh temperaturat dhe parametrat e tjerë të ujit që të jenë optimalë. Ka aparatura të veçanta me të cilat ti kontrollon nivelin e nitrateve, pehashit dhe fortësinë e ujit. Kryesisht pehashi duhet të jetë 7 që është neutral dhe është një e mesme e artë dhe për bimët (kryesisht ato e duan 6.5-7).

Ju prodhoni vetëm për vete në këtë serë apo edhe shisni?

Prodhoj për vete dhe një pjesë e vogël çfarë më tepron e çoj në një dyqan.

Çfarë kultivoni në përgjithësi në këtë hapësirë?

Momentalisht merrem vetëm me gjethurina që janë sallatat, kale, sallatë e kuqe, lloje të ndryshme. Rreth 4-5 lloje sallatash.

A ka leverdi kjo lloj sere për ju?

Për kushtet që jemi ne sot në Shqipëri nuk mendoj se ka leverdi për shitje në treg masiv. Tregu këtu nuk është i kontrolluar. Në të gjithë botën, produktet e pastra shiten shtrenjtë, kurse këtu tek ne, edhe nëse e ke këtë lloj produkti, nuk ke ku ta shesësh. Tregtarët e shumicës shohin çmimin, pastaj cilësinë. Po nuk u vunë rregulla të qarta loje, kushdo që të përpiqet të prodhojë pastër do të ketë probleme me çmimin pasi në fund është debati i investimit.

Keni menduar ndonjëherë që të zgjeroni më shumë se kaq?

E kam parë mundësinë, por ky është një investim që kërkon financime të mëdha. Me të ardhurat e mia kam arritur të ndërtoj kaq. E meta e sistemit është që ka një kosto investimi të lartë dhe të ardhurat nuk vijnë menjëherë, por shtrihen gjatë në kohë, nëse sera është e vogël. Investitorët shqiptarë janë mësuar që të hedhin sot paratë dhe duan nesër fitimin.
Kjo lloj ferme nuk gjendet për mbështetje as në politikat që ka shteti për prodhimin. Akuaponia dhe hidroponia janë të panjohura këtu, kurse Holanda apo vende të tjera 90% të prodhimit e kanë me hidroponi. Këtu tek ne nuk njihet. Në Institutin Bujqësor, shumë pak është dhe në literaturë mesa kam dëgjuar.

A mund të bëjmë një përllogaritje sa investim fillestar do një fermë 1 mijë metra/katrorë me këtë lloj sistemi dhe përftimi që merr prej saj?

Po ta kisha menduar në këtë aspekt, nuk do t’i hyja ndonjëherë pjesës së akuaponisë eksperimentale, por mua më ka gënjyer rezultati i parë i serës, i cili pati një prodhim shumë të mirë. Kam prodhuar nga domatet tek patëllxhani, qepa. Një produkt që rritet në këto kushte, dallohet menjëherë që nga pamja dhe shija. Mund të marrësh prodhim të mirë dhe unë siç ju thashë, pak shes, pjesën tjetër e çoj për bamirësi dhe konsum vetjak.

Për kuriozitetin tim, kam bërë analizat e produkteve në fund të shkurtit të këtij viti. Rezultatet ishin pozitive me të gjithë parametrat. Kur çoj në dyqan produktet, u çoj edhe këtë të analizave, edhe pse ata nuk ma kërkojnë por vë re një zvarritje të madhe me pjesën e burokracisë për të marrë përgjigje. Ka kërkesë gjithmonë e më të madhe për produktet e kësaj natyre por unë s’kam kapacitet.

Leave a Reply

%d bloggers like this: