Politika

Qeveritë mblidhen në Shkodër: Forcim i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Promovimi i përbashkët i potencialeve turistike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, sidomos në hapësirën ndërkufitare, do të nxisë zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Në nisje të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, që u mbajt sot në Shkodër, Kryeministri Edi Rama u ndal te rëndësia e zhvillimit të potencialeve turistike që ekzistojnë në zonën ndërkufitare.

“Kohët e fundit, duke ndjekur edhe shembullin tuaj të shkëlqyer të zhvillimit të turizmit, si dhe duke komunikuar me investitorë të pranishëm në Malin e Zi, kemi dëgjuar më shumë se njëherë nga ana e tyre, nevojën për të zgjeruar investimet edhe në anën tonë të kufirit”, – tha Rama.

Ai shprehu domosdoshmërinë e ndërlidhjes së kapaciteteve qeveritare, bashkiake, ekonomike dhe natyrore të dy vendeve që të gjithë turistët që drejtohen drejt kësaj zone, duke pasur si pikë referimi Malin e Zi, të mund të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e zgjeruar dhe me një përfitim të madh reciprok”.

“Ne kemi një hapësirë që gjithmonë është përjetuar si hapësirë ndërveprimi. Nuk është aspak e rrallë që të dëgjosh gjuhën malazeze në restorante e hapësira publike apo turistike në Shkodër, si rezultat i udhëtimeve të vazhdueshme, historikisht të tilla, përpara se të na mbyllte kufijtë dhe ndante për së gjalli regjimi i kaluar”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi nevojën e nxitjes së projekteve që rrisin mundësinë për zhvillim ekonomik.

“Shqipëria dhe Mali i Zi janë të bekuara me bukuri fantastike natyrore në brendinë e tyre dhe kanë itinerare magjike nga bregu i detit në majat e maleve. Politikat për të shfrytëzuar bukuritë tona përrallore do të na mundësojnë jo vetëm rritjen e kapaciteteve për të pritur më shumë turistë dhe për intensifikuar destinacionet e pashfrytëzuara, por edhe forcimin real të nevojës së dëshiruar për njëri-tjetrin”, – tha Rama.

Markoviç: Forcim të bashkëpunimit ekonomik

Mali i Zi dhe Shqipëria do të intensifikojnë më tej bashkëpunimin dypalësh, pasi i kanë marrëdhëniet të shkëlqyera, por edhe mundësitë e shumta për fuqizimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen.

Në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive të Shqipërisë e Malit të Zi që po mbahet në Shkodër, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç siguroi për mbështetjen e qeverisë së tij në kuadër të procesit të integrimit si dhe për bashkëpunimin rajonal.

“Kam dëshirë të uroj Shqipërinë për vendimin e Bashkimit Europian për caktimin e datës së fillimit të negociatave me një bindje të thellë që do të vijojë me të njëjtin ritëm procesin e thellimit të reformave gjithëpërfshirëse dhe përvetësimit të standardit dhe vlerave europiane”, – deklaroi Markoviç.

Rikonfirmoj, shtoi ai, gatishmërinë e Malit të Zi që edhe në periudhën e ardhshme të jetë mbështetës në realizimin e qëllimeve të përbashkëta integruese dhe të ofrojë përvojat e veta.

Për këtë arsye, vijoi ai, jemi të përkushtuar në bashkëpunimin rajonal, ku përmes nismave të ndryshme realizojmë format konkrete të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këtu, ai veçoi bashkëpunimin e vendeve të rajonit në kuadër të procesit të Berlinit.

Ai nënvizoi detyrimin për të shfrytëzuar këtë shans për ta inkuadruar në një kontekst më të gjerë europian duke pozicionuar vendet tona në drejtime infrastrukturore kryesore europiane, sepse, vuri në dukje Kryeministri malazez qytetarët tanë meritojnë shumë më shumë se qorrsokakët anakronikë ballkanikë.

Ai njëkohësisht theksoi se duhet të përpiqemi të avancojmë bashkëpunimin ekonomik mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke marrë në konsideratë potencialin e madh në degë të shumta të ekonomisë që mund të shfrytëzohen në mënyrë shumë më të mirë në periudhën e ardhshme.

Marrëveshjet e nënshkruara sot, pas mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi:   

1. Deklaratë e përbashkët ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Malit Zi, Duško Marković, në kuadër të takimit të parë ndërqeveritar Shqipëri – Mali i Zi.   

2. Marrëveshje kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi mbi marrëdhëniet e ndërjsellta në fushën e menaxhimit të burimeve ujore ndërkufitare. 

3. Marrëveshje mbi bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjelltë në emergjenca ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi.

4. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi në lidhje me operacionet ndërkufitare të patrullimit ajror. 

5. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare në Zogaj-Skje për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në liqenin e Shkodrës. 

6. Programi i bashkëpunimit në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi për periudhën 2018-2020.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button