Rajoni

Hungaria do t’i dhurojë Malit të Zi tel me gjemba për në kufirin me Shqipërinë

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se Hungaria do t’i dhurojë Malit të Zi gardh me gjemba në gjatësi prej 25 kilometrash për ta mbrojtur kufirin e përbashkët me Shqipërinë prej refugjatëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Szijjarto, i cili realizoi vizitë zyrtare në Mal të Zi, tha për Agjencinë e Lajmeve Maxhar (MTI) se fluksi i refugjatëve në Ballkanin Perëndimor ka filluar të rritet dhe t’i ngjajë situatës në vitin 2015.

Ministri hungarez tha se kanë marrë informacione se gjendja në Greqi është edhe më e keqe se ajo e vitit 2015, ndërsa theksoi se për dallim nga situata e para tre vitesh, fluksi i refugjatëve ndikon edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Szijjarto më tej tha se refugjatët kanë krijuar itinerare të reja dhe shprehu mbështetjen e shtetit të tij për Malin e Zi në menaxhimin e fluksit të refugjatëve.

“Është në interes të Budapestit që Mali i Zi të ruajë kufijtë e tij. Forcat policore janë dakorduar për t’i siguruar Podgoricës tel me gjemba në gjatësi prej 25 kilometrash për ta ndaluar migrimin ilegal dhe për ta ruajtur zonën më të prekshme të kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë”, shtoi ministri hungarez.

Ndryshe, Hungaria njihet si vend që ka marrë masa kundër refugjatëve, duke vendosur forca policore dhe ushtarake shtesë në kufirin me Çekinë, Poloninë dhe Sllovakinë.

Hungaria po ashtu ka vendosur tel me gjemba në kufirin me Serbinë dhe Kroacinë për ta ndaluar fluksin e refugjatëve dhe ka shpallur gjendje të jashtazakonshme në zonat kufitare, duke rritur gjithashtu dënimet për kalimet ilegale.

Përmes një ligji të miratuar vitin e kaluar në parlament, vendi e bëri të detyruar mbajtjen e refugjatëve në kampe në zonat kufitare gjatë procesit të azilkërkimit dhe njoftoi largimin jashtë kufirit të migrantëve të kapur brenda territorit të tij.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare akuzojnë forcat hungareze të sigurisë për përdorim force ndaj refugjatëve që tentojnë të hyjnë në vend dhe largimin e tyre në drejtim të Serbisë.

Hungaria ka kundërshtuar edhe sistemin e kuotave të Bashkimit Evropian (BE) për pranimin e refugjatëve, megjithëse vendi ishte paraparë të pranonte 1.294 refugjatë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button