Politika

Rama: Krimi i organizuar po luftohet me vendosmëri

“E refuzoj kategorikisht përshkrimin e Shqipërisë si vend që ka ndonjë specifikë të veçantë për krimin e organizuar. Shqipëria jo vetëm nuk është atdheu i krimit të organizuar por në përmasën e vendit dhe problemit është një vend ku ka një problem serioz me krimin e organizuar, siç ka edhe në shumë vende të tjera të Bashkimit Europian”, deklaroi të enjten, Kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se “në Shqipëri krimi i organizuar po luftohet çdo ditë e më shumë me vendosmëri”.

Gjatë prezantimit të rezultateve të operacionit “Forca e Ligjit në Veprim”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “semestri i parë i 2018 sjell një pasqyrë rezultatesh shumë pozitive të Policisë së Shtetit dhe një bazë e sigurtë për thellimin e luftës kundër krimit të çdo natyre”.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “jemi të sfiduar në një periudhë 12- mujore, qoftë për të realizuar me sukses të gjithë procesin analitik për negociatat, qoftë edhe për të materializuar të gjitha ato aspekte të domosdoshme për konsolidimin e procesit të shtetbërjes që lidhen drejtpërdrejt edhe me çdo standard për t’u plotësuar në funksion të procesit të vetë negociatave”.

“Është me rëndësi të mos harrohet sa herë që diskutojmë për krimin e organizuar, kriminalitetin në tërësi për paprekshmërinë dhe ndëshkueshmërinë se bëhet fjalë për një problematikë sa komplekse aq edhe të lidhur me kompleksitetin e veprimeve mes institucioneve ligjzbatuese”, tha Rama.

Nëse deri 4 vjet më parë Policia e Shteti ishte i diskretituar dhe me nivelin më të ulët të besimit të publikut, bashkë me prokurorët dhe gjykatat, sipas Ramës, sot ka një ndryshim rrënjësor në perceptimin e opinionit publik, që shpreh edhe mangësinë themelore në këtë proces për shkak të disnivelit të lartë midis asaj që bën Policia e Shtetit dhe asaj që bëjnë gjykatat.

Policia e Shtetit është përgjegjëse për të garantuar prekshmërinë e kujtdoqoftë, ndërsa gjykatat janë përgjegjëse për të garantuar ndëshkueshmërinë e kujtdoqoftë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button