Bota

“Një detyrë që na intereson të gjithëve”

Kancelarja Merkel kërkoi në Bundestag mbështetje për kursin e partive unioniste në politikën ndaj refugjatëve. Ligji dhe rendi duhet të zbatohen.

Kancelarja gjermane dhe kryetare e CDU-së, Angela Merkel mbrojti në Bundestag pajtimin e CDU-së me CSU-në në çështjen e azilit. Këtu bën pjesë edhe një kthim më i mirë pas i refugjatëve. “Duhet të kemi më tepër rregull në të gjitha llojet e migrimit, në mënyrë që njerëzit të kenë përshtypjen se po zbatohen ligji dhe rendi”, tha ajo para Bundestagut.

Shkaku i mirëfilltë i debatit në Bundestag ishte debati për buxhetin federal, i cili paraqitet nga kancelarja. Por një pjesë e madhe e debatit u bë për mosmarrëveshjen për azilin, dhe konkrerisht për migrimin sekondar, për migrantët jo nga BE që shkojnë nga një vend në tjetrin për arsye ekonomike ose për të përmirësuar shanset që t’u njihet azili.

Kancelarja tha se çështja e migrimit do të jetë bashkëvendosëse për ekzistencën e Bashkimit Evropian. Nevojiten përgjigje me bazë juridike, realiste, solidare, të cilat nuk i mbingarkojnë njerëzit. Në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Evropian javën e kaluar u ra dakord që trajtimi i migrantëve nuk është një çështje që prek vende të veçanta, por “është një detyrë që na intereson të gjithëve”

Kjo çështje ishte shkaku kryesor i përplasjeve midis saj dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer, konservatorit nga Bavaria, që kërkon një politikë shumë më të rreptë ndaj refugjatëve.

Merkeli përmendi që një marrëveshje përkatëse me Greqinë do t’i lejojë Gjermanisë që të kthejë pas në këtë vend refugjatë, të regjistruar më parë atje, por që kanë ardhur në Gjermani. Dhe shtoi se ajo dhe Seehoferi do të zhvillojnë bisedime me shtete të tjera të Bashkimit Evropian, për të arritur marrëveshje të ngjashme.

Merkeli kërkon një ligj imigrimi për fuqi të kualifikuar punëtore

Përveç kthimeve dhe masave të tjera për pengimin e migrimit duhet të ketë mundësi legale për vende studimi dhe pune, kërkoi kancelarja. Për këtë nevojitet një “ligj migrimi për fuqi punëtore të specializuar”. “Ndryshe nuk do t’i luftoni dot trafikantët dhe kontrabandistët e njerëzve”.

Në konfliktin tregtar me Bashkimin Evropian ajo i bëri thirrje SHBA që të tregojnë gatishmëri për kompromis. Funksionimi i mirë i ekonomisë botërore varet nga një bashkëpunim në partneritet, tha Merkeli. Njëkohësisht ajo kritikoi vështrimin e njëanshëm nga Presidenti i SHBA, Donald Trump i bilancit tregtar me BE. Një tepricë e madhe në tregti e Evropës rezulton vetëm kur bëhet fjalë për shkëmbimin e qarkullimit të mallrave, tha ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button