MaqedoniaRajoni

Sarajevë, Zoran Zaev nderohet me çmimin e personalitetit evropian të vitit

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili gjendet për vizitë në Bosnjë dhe Hercegovinë, sot në Sarajevë në ceremoninë e zgjedhjes së 38-të të menaxherëve dhe kompanive më të mira evropiane në vitin 2018, u nderua me çmimin “Personaliteti i Vitit” nga kategoria e çmimeve të posaçme.

Pas pranimit të çmimit, Zaev tha se është veçanërisht i lumtur dhe se ndien dashuri për qytetarët e BeH-së, por gjithashtu edhe ata të gjithë rajonit. Ai shtoi se dëshiron të ndajë çmimin me kryeministrat e BeH-së, Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, si dhe me kryeministrat e Bullgarisë dhe Greqisë, fillimisht, siç tha ai, pasi i kushton vëmendje të madhe rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian (BE), dhe më pas, sepse së bashku me ta ka arritur të zgjidhë mosmarrëveshjen për emrin.

“Ajo që dua të them si mesazh për të gjithë qytetarët e rajonit tonë është se ne vazhdojmë të punojmë për ju, qytetarë të nderuar, sepse nëse sigurojmë stabilitet dhe siguri dhe krijojmë miqësi, atëherë ne do t’ju ofrojmë një të ardhme më të mirë. Ne duam të dëshmojmë para Evropës Perëndimore se Ballkani Perëndimor ka diçka për t’i ofruar BE-së. Ballkani nuk do të jetë më një fuçi baroti, por do të jetë evropian, ashtu siç meriton”, deklaroi Zaev.

Nga ana tjetër, Denis Zvizdiç, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të BeH-së, i cili ia dorëzoi çmimin Zaevit, theksoi se çmimi për personalitetin e vitit në Evropë është në duart e duhura.

“Urime Zaevit për çmimin që meriton, për shkak se bëhet fjalë për një person të veçantë, me vizion të veçantë politik, guxim të jashtëzakonshëm dhe vullnet me ndërmarrjen e hapave të rrezikshëm për të tejkaluar përvojat e vështira të së kaluarës dhe për të hapur derën për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve të tij, dhe përfundimisht për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai dhe Aleksis Tsipras na kanë treguar se në qoftë se ekziston vullnet i mirë politik dhe vullnet për marrëveshje, dialog politik dhe bashkëpunim, mund të përparohet në rrethana shumë të vështira sociale dhe politike edhe atëherë kur duket se nuk ka zgjidhje për problemet e së kaluarës”, tha Zvizdiç.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe shumë çmime të tjera në kategori të ndryshme.

Më herët u mbajt një Forum Ndërkombëtar i Biznesit ku Bojko Borisov, kryeministri i Bullgarisë, u nderua me çmimin e Personalitetit Evropian të Vitit.

Ndryshe, Maqedonia është partnere e zgjedhjes së 38-të të menaxherëve më të mirë, kompanive dhe personaliteteve në Evropën Qendrore dhe Juglindore, të organizuar nga Agjencia e Pavarur Evropiane nga Zenica.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button