Home / Kronika / “Sistemi arsimor dhe rendi në Shqipëri nuk duhet të jenë rob i FETO-s

“Sistemi arsimor dhe rendi në Shqipëri nuk duhet të jenë rob i FETO-s

Ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ka deklaruar se shkatërrimi i organizatës terroriste FETO bashkë me zgjatimet e saj është prioritet i Turqisë dhe se sistemi arsimor dhe rendi në Shqipëri nuk duhet të jenë rob i kësaj organizate, transmeton Anadolu Agency (AA).

Yörük të martën në mbrëmje ka folur në emisionin “Përballë” të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), duke iu përgjigjur pyetjeve rreth çështjeve aktuale në Turqi, zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale, rrezikut të organizatës terroriste FETO në Shqipëri, si dhe çështjeve të tjera të interesave dhe kontributeve turke në Ballkan.

“Shkatërrimi i FETO-s bashkë me zgjatimet e saj është prioritet i vendit tonë, ai i ambasadës dhe i imi personal. Këto zgjatime terroriste duhet të mos shikohen si të pashmangshme në Shqipëri. Sistemi arsimor dhe rendi në Shqipëri tashmë nuk duhet të jenë rob i FETO-s”, deklaroi ambasadori Yörük.

Në këtë kuadër, bëri të ditur ai, Turqia ka Fondacionin Maarif me mbështetje shtetërore, me anë të të cilit synon hapjen e shkollave të vërteta turke jashtë vendit dhe përçimin e cilësisë arsimore turke jashtë vendit, përfshirë edhe në Shqipëri.

Sa i përket aktiviteteve të organizatës terroriste FETO përmes institucioneve arsimore në Shqipëri, i pyetur se “me thirrjen për t’i mbyllur apo për t’i zëvendësuar me administrimin lojal ndaj Turqisë, ku synohet të shkohet dhe çfarë pritet nga qeveria shqiptare”, Yörük u përgjigj se “FETO nuk është një organizatë klasike terroriste dhe nuk është e mundur të përcaktosh më përpara se kur FETO do t’ju dëmtojë juve”.

Ambasadori turk theksoi se krahas institucioneve të tjera me maska legale, FETO ka futur në dorë edhe institucione arsimore, shëndetësore, mediatike dhe subjekte të tjerë të sektorit privat dhe u shpreh se Turqia e di se edhe në Shqipëri organizata ka zgjatimet e saj institucionale me pamje legale në këto fusha.

“Nuk është e drejtë që këto shkolla në Shqipëri të cilësohen si shkolla turke. Këto nuk janë shkolla turke, por janë shkolla të FETO-s. Ato nuk mbajnë flamurin turk, por pa u turpëruar dhe u shqetësuar, këtyre shkollave ata u vënë emrat e burrave të shtetit dhe poetëve të njohur që mbajnë vlera politike, shpirtërore dhe kombëtare për Turqinë”, u shpreh Yörük.

Ata veprojnë kështu, sepse, siç thotë ambasadorit turk, shfrytëzojnë ndjenjat kombëtare dhe shpirtërore të familjeve shqiptare dhe përpiqen të sigurojnë përfitime komerciale nga këto shkolla.

“Në konviktet e këtyre shkollave zhvillohen veprimtari që synojnë larjen e trurit të nxënësve. Pra, ka një kërcënim ndaj strukturës familjare shqiptare. Drejtuesit e këtyre shkollave janë në listën e terroristëve të kërkuar me vendim gjykate në Turqi. Gjithashtu, diplomat e këtyre shkollave në mënyrë kategorike nuk njihen në Turqi. Pra, nxënësit këto shkolla për sa i përket Turqisë konsiderohen si të paarsimuar. Ata janë plotësisht të privuar të ndjekin universitetin në Turqi”, thekson Yörük.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Shqipërisë të drejtohen te fondacioni MAARIF dhe të informohen për këtë çështje, si dhe në të njëjtën kohë të mos i tolerojnë institucionet dhe individët e lidhur me FETO-n, të qëndrojnë sa më larg tyre dhe të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e FETO-s.

“Dua të theksoj se do të vijë një ditë kur ky rrjet tradhtar nuk do të ngurrojë të dëmtojë Shqipërinë”, u shpreh ambasadori turk, duke falenderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një intervistë eksluzive për AA, tha se tentativa e FETO-s për grusht shteti në Turqi i ka bërë “më vigjilent dhe shumë të vëmendshëm pasi siguria kombëtare dhe stabiliteti demokratik i vendit të tij është prioritet i prioriteteve”.

Ambasadori turk pret që, siç tha ai, “prania e FETO-s në Shqipëri do të pastrohet nga territori shqiptar”.

“Vëllezërit tanë shqiptarë gjatë historisë asnjëherë nuk janë parë si të huaj”

Duke folur për lidhjet midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe popujve të të dy vendeve, ambasadori Yörük tha se për pesë shekuj këta dy popuj jetuan së bashku në aspektin shpirtëror dhe kulutor, ndërsa kjo jetesë sipas tij ka lënë një respekt reciprok të paharrueshëm.

Duke kujtuar se në Turqi ka miliona shtetas turq me origjinë shqiptare dhe se asnjë turk nuk i sheh si të huaj Shqiptarinë dhe shqiptarët, ai tha se këto dy popuj kanë shumë elemente të ngjashme me burim nga lidhjet historike dhe kulturore, mijëra fjalë të përbashkëta, shumë gatime të tryezave, si dhe shumë zakone dhe tradita të përbashkëta që vazhdojnë t’i ruajnë.

“Në historinë tonë kemi shumë figura të përbashkëta. Dihet se të paktën 32 kryeministra të kohës kanë qenë me origjinë shqiptare. Domethënë, vëllezërit tanë shqiptarë gjatë historisë asnjëherë nuk janë parë si të huaj. Atyre u është lënë besimi maksimal dhe u janë besuar detyrat të nivelit më të lartë”, theksoi Yörük.

Yörük gjithashtu tha se në ditët e sotme, Turqia dhe elementet turke janë të pranishme fuqishëm në Shqipëri. Ai shtoi se synojnë të organizojnë mbledhje të përbashkëta që qeveritë të mbështeten në forume biznesi me pjesëmarrje të gjerë, si dhe me projekte konkrete të investimeve.

“Me ambasadën tonë, Institutin Yunus Emre dhe Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), ne veprojmë dhe prodhojmë projekte konkrete në rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Nga ana tjetër, që nga viti 1991 pas shembjes së komunizmit, në Shqipëri veprojnë kompani turke numri i të cilave rritet vazhdimisht. Aktualisht, mbi 400 kompani turke veprojnë në Shqipëri”, u shpreh ai.

“Në objektivat e politikës së jashtme turke nuk gjendet ideja ose objektivi i neo-otomanizmit”

I pyetur “çfarë është neo-otomanizmi si politikë e Turqisë”, ambasadori Yörük u përgjigj se në objektivat e politikës së jashtme turke nuk gjendet ideja ose objektivi i neo-otomanizmit. Ai tha se terma të tilla janë sajuar nga qarqe të cilat shqetësohen nga politika aktive dhe nga veprimtaria ekonomike e Turqisë në një rajon ku gjenden lidhje të përbashkëta historike dhe kulturore që zgjasin me shekuj.

“Sajime të tilla si neo-otomanizmi që i përkasin shekullit të 19-të dhe krijojnë konotacione revizioniste dhe imperialiste janë retorika boshe që nuk kanë lidhje me praktikat e politikës së jashtme moderne shumëdimensionale të Turqisë, e cila nxjerr në plan të parë drejtësinë, humanizmin dhe ndërgjegjen. Janë retorika boshe që nuk kanë fjalë përgjegjëse në marrëdhëniet ndërkombëtare në ditët e sotme”, u shpreh Yörük.

Duke iu referuar lidhjeve pesëshekullore të Turqisë me popujt e Ballkanit, gjë e cila sipas tij shqetëson qarqe të ndryshme që përmendin termin “neo-otomanizëm”, ai thotë se sot rreth 40 për qind e popullsisë së Turqisë është me origjinë nga Ballkani.

“Për shembull, popullsia me origjinë shqiptare në vendin tonë është 4-5 milionë vetë, mendoni lidhjet shpirtërore me Shqipërinë dhe shqiptarët. Nga ana tjetër, numri i pakicës turke që jetojnë në Bullgari, Greqi, Maqedoni dhe Kosovë është më shumë se një milion”, tha ambasadori turk në Tiranë.

“Tentativa për grusht shteti e 15 korrikut synonte nisjen e një lufte civile në vend”

Duke iu referuar tentativës për grusht shteti të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi, e orkestruar nga organizata terroriste FETO, ai tha se në Turqi demokracia ka një pjekuri serioze dhe një nivel të lartë të efektivitetit dhe se turqit brenda sistemit demokratik janë mësuar me përdorimin e të drejtave dhe lirive të tyre, si pasojë e së cilës populli është i vendosur dhe serioz që t’i përgjigjet çdo tentative për të rrëzuar rendin kushtetutes.

“Kjo ndërgjegje, vetëdije dhe ky refleks i popullit turk tashmë është zhvilluar më se mirë. 15 korriku i vitit 2016 ishte diçka ndryshe, ajo ishte nën petkun e një tentative për grusht shteti dhe më tepër se një tentativë për të ndryshuar rendin kushtetutes në Turqi, synonte copëtimin e vendit dhe nisjen e një lufte civile në vend”, tha Yörük.

Siç theksoi ai, FETO nuk është një organizatë terroriste klasike, por është një organizatë terroriste hibride dhe e sotistifikuar, e projektuar me kujdes këto 40 vitet e fundit nga insitucione intelegjente të forcave globale dhe e punuar me kujdes si një qëndismë e mbështetur edhe nga disa organiza globale të shoqërisë civile.

Më tej, ambasadori turk tha se ata synojnë rendin kushtetues demokratik të shtetit ta fusin në dorë me ideologjitë dhe organizimet e tyre perverse, ndërsa objektivi final i saj është që kur të jetë e nevojshme të ngjallin jostabilitet në vend dhe të ndryshojnë regjimin politik.

“Ne i kemi përjetuar të gjitha këto përvoja të hidhura, por nuk duam që t’i përjetojnë edhe miqtë dhe vëllezërit tanë. Përse e them këtë, sepse kjo organizatë zgjatimet e saj i ka fatkeqësisht edhe në Shqipëri”, u shpreh ai.

“Pjesëmarrja e madhe në votime tregon pjekurinë e lartë që ka arritur demokracia në Turqi”

Yörük, duke folur për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbajtura më 24 qershor në Turqi, kujtoi se ato pasuan pas referendumit të 16 prillit të vitit të kaluar, ku populli votoi për ndryshimin kushtetues që Turqia të përqafojë sistemin presidencial.

Ai shprehu besim se rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të fuqizojnë më tej Turqinë në fushat politike, ekonomike, të sigurisë dhe në fusha të tjera.

“Një Turqi më e fuqishme do të thotë më shumë investime, më shumë popullsi dhe më shumë bashkëpunim. Një Turqi më e fuqishme do të thotë një Evropë dhe një Ballkan më të begatë, më të qëndrueshëm dhe më të sigurtë. Një Turqi më e fuqishme gjithmonë ka qenë në mbështetje të Shqipërisë. Dashuria që presidenti ynë ka për Shqipërinë dhe vëllezërit tanë shqiptar njihet nga të gjithë”, tha Yörük.

Sipas ambasadorit Yörük, zgjedhjet e 24 qershorit me një pjesëmarrje në votime me rreth 90 për qind ishte një festë e demokracisë në Turqi, pasi, siç tha ai, zgjedhjet u zhvilluan në një frymë demokratike dhe me një pjesëmarrje të madhe në votime. Ai po ashtu u shpreh se zgjedhjet u zhvilluan në një mënyrë transparente dhe të qetë.

“Duke parë pjesëmarrjen në zgjedhje të vendeve të tjera të botës, që është 40 deri në 70 për qind, kjo pjesëmarrje në Turqi në referendumin e 2017-tës ishte rreth 80 për qind, ndërsa në këto zgjedhje ishte në një shifër afër 90 për qind. Kjo tregon se zgjedhësit në Turqi, qoftë ato të partisë qoftë të opozitës, tregojnë se të gjithë këta zgjedhës e kanë përqafuar demokracinë dhe në të njëjtën kohë tregojnë pjekurinë e lartë që ka arritur demokracia në Turqi”, vlerëson Yörük.

“Anëtarësimi në BE objektiv strategjik i orientimit historik në rrugën e modernizimit”

Ambasadori Yörük theksoi se anëtarësimi në BE pranohet si një objektiv strategjik i Turqisë i orientimit të saj historik në rrugën e modernizimit, duke vazhduar më tej se marrëdhëniet midis BE-së dhe Turqisë kanë filluar në kuadrin e partneritetit themelet e të cilit u hodhën në Traktatit e Ankarasë, i cili u nënshkrua më 12 shtator 1963 me Komitetin Ekonomik Evropian.

Siç shpjegon Yörük, në Samitin në Bruksel në dhjetor të vitit 2004 u vendos që negociatat për Turqinë të fillojnë më 3 tetor të vitit 2005, por fatkeqësisht, thotë ai, që nga ajo datë negociatat nuk kanë mundur të përparojnë për arsye të bllokimeve nga disa vende të BE-së tërësisht me pretekste politike.

“Falë pozicionit të veçantë gjeostrategjik të potencialit të madh ekonomik të Turqisë, kemi bindjen se anëtarësimi i Turqisë në BE do të sjellë dobi konkrete për të dy palët. Shumica e anëtarëve të BE-së ndajnë këtë mendim tonin dhe mbështesin anëtarësimin e plotë të Turqisë. Është e sigurt se Turqia nuk do të jetë barrë, por do të jetë një vlerë e shtuar dhe forcë për BE-në”, deklaroi Yörük.

Ai shtoi se vazhdojnë përpjekjet e tyre për të tejkaluar pengesat politike lidhur me procesin e asociimit për të mundësuar përparimin e nevojshëm në procesin e reformave dhe për të siguruar asociimin në këtë bashkim duke iu përgjigjur kritereve të nevojshme.

Leave a Reply

%d bloggers like this: