Kosova

Kosova: “Uria” e bankave për kredidhënie

kosoveBankat komerciale që operojnë në Kosovë presin që në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti të rritet kërkesa për kredi nga dy kategori, ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare.
Kështu të paktën thuhet në raportin e fundit të Zhvillimeve Makroekonomike të publikuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.
Pritjet e bankave për rritje të kërkesës për kredi, duhet të arsyetohen me oferta më të favorshme, me procedura më të lehta për aplikim, norma më të ulëta të interesit, pohojnë përfaqësues të subjekteve ekonomike.
Sipas tyre, jo rrallëherë është vlerësuar se pikërisht bankat komerciale me politikat e tyre zbatuese po detyrojnë falimentimin e bizneseve në Kosovë.
Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet financiare kërkojnë kredimarrës, por nuk po ofrojnë asnjë ofertë të volitshme për biznese.
Ai madje thotë se edhe zvarritja e funksionimit të institucioneve të Kosovës të dala nga zgjedhjet e tetë qershorit, lë hapësirë që bizneset dhe ekonomia e tyre të varen nga bankat, dhe rrjedhimisht të rritet kërkesa për kredi, sepse shumë projekte kapitale janë pezulluar nga institucionet qendrore dhe lokale.
Në këtë mënyrë, thotë Shahini, bizneset kanë obligime financiare ndaj operatorëve që kanë bashkëpunuar dhe alternativa e vetme për të mbuluar përkohësisht kërkesat janë bankat.
“Është e natyrshme që gjashtëmujori i dytë i rritë kërkesat për kredi, por bankat nuk po ofrojnë asnjë ofertë më të lehtë se një vit më parë, apo se në gjashtëmujorin e parë. Bizneset janë të detyruara që të marrin këto kredi më këtë interes aq të lartë dhe shpesh në këto situata do të rritet numri i kompanive të cilat do të falimentojnë për arsye të mosfuqisë për t’i kryer obligimet ndaj operatorëve të ndryshëm ekonomik por edhe ndaj shtetit”, thekson Shahini.
Kreditë për ndërmarrje dhe ato për ekonomi familjare edhe ashtu vazhdojnë të dominojnë në strukturën e gjithsejtë të kredive në Kosovë.
Nga 1.8 miliard euro kredi sa kanë qytetarët në bankat komerciale, 67 për qind janë kredi për ndërmarrje pasuar nga kreditë për ekonomitë familjare me 30.8 për qind.
Sidoqoftë, bankat vazhdimisht deklarohen se janë në funksion të biznesit, por sa i përket shërbimeve, ato janë shumë të shtrenjta.
Mungesa e qarkullimit të parasë se gatshme në treg, thotë Shahini, detyron bizneset që të pranojnë këto shërbime, e që në disa raste paraqiten si faktorë të falimentimit të bizneseve.
“Bizneset pasi nuk kanë alternative të ndryshme detyrohen që të t’i nënshtrohen këtyre kritereve dhe kushteve të bankave dhe shpesh të vënë në pikëpyetje kthimi i huasë”, thekson Shahini.
Në anën tjetër, udhëheqës të Shoqatës të Bankave të Kosovës, pohojnë se bankat komerciale janë duke zhvilluar strategji të ndryshme për uljen e shpenzimeve operative të tyre, në mënyrë që të kenë edhe kushte më të favorshme për kreditim.
Petrit Balija, drejtor i Shoqatës se Bankave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se bankat nuk kanë ashpërsuar kriteret për aplikim për kredi. Por sipas tij, bankat janë të kujdesshme për sigurimin e kthimit të këstit të kredisë.
“Megjithatë, nuk është për të thënë se nuk kanë mundësi që edhe bankat të bëjnë përmirësimet e tyre dhe besoj që edhe bankat janë duke u munduar që përmes konkurrencës të bëjnë uljen e kostove të të gjitha shërbimeve, në mënyrë që edhe bizneset të kenë më të lehtë të bëjnë pagesa dhe mos të kemi vonesa apo dështime në kredi”, shprehet Balija për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshe, kamatat për kredi për ndërmarrje sillen mbi 10.6 për qind, kurse për ekonomitë familjare 10.4 për qind.
Edhe pse normat e interesit ndryshojnë varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.
Bankat komerciale që operojnë në vend, përmes reklamave të ndryshme në media të shkruara dhe elektronike, si dhe panove reklamuese, paraqesin oferta të ndryshme dhe tërheqëse për produktet e tyre, madje thuhet se ofrojnë norma të volitshme të interesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button