Home / Kronika / Gjyqtari Thanza në sitën e Vetingut, parregullsi në formularin e dekriminalizimit

Gjyqtari Thanza në sitën e Vetingut, parregullsi në formularin e dekriminalizimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot seancën dëgjimore ndaj Gjyqtarit pranë Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i cili i ishte i pranishëm së bashku me avokatin e tij Theodhori Sollaku.

Trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj, Olsi Komici, shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit dhe zhvilloi një procedurë të thellë hetimi, bazuar në tre kritere, të pasurisë, atë të figurës, si dhe në vlerësimin profesional për subjektin e rivlerësimit.

Nga hetimet e bëra nga KPK, dosja e tij rezulton tejet e ngarkuar me parregullsi. Relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj zbuloi se gjyqtari ka qenë i dënuar për vjedhje në Itali por e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

Ne lidhje me kontrollin e figurës, DSIK ka kryer verifikime. Ne konkluzion të tyre DSIK ka paraqitur një raport të detajuar sipas të cilit subjekti ka fshehur një procedim të bërë ndaj tij për një hetim korrupsioni, i pushuar në 2016.

KPK tha se nga “Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, më datë 20 prill 2018 rezulton se Admir Thanza ka qenë i dënuar nga shkalla e parë në Itali në vitin 1999 me 40 ditë burg dhe 100 mijë euro gjobë për vjedhje në bashkëpunim me persona të tjerë”.

Thanza nuk e ka deklaruar këtë të dhënë në formularin e dekriminalizimit. Ai është shprehur se e ka pranuar vjedhjen, por nuk e ka kryer atë. ‘E kam pranuar veprën atëherë për shkaqe humanizmi dhe për shkaqe familjare’, u shpreh Thanza.

Prokurori në sitën e Vetingut

Po sot në orën 14:30 do të zhvillohet seanca dëgjimore për Kostaq Belurin, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Trupa Gjykuese përbëhet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj, Olsi Komici.

Ndërkohë nesër në orën 10:00 do të zhvillohet seanca për Adriatik Cama, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Trupa Gjykuese është e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Suela Zhegu, Pamela Qirko.

Leave a Reply

Your email address will not be published.