Kronika

Haradinaj bisedon me Merkelin në Londër, temë edhe finalizimi i dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, në Londër, ku të dy po qëndrojnë në kuadër të një samiti evropian.

“Në takimin ndërmjet Kryeministri Haradinaj dhe Kancelares Merkel është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me shtetin Gjerman, për proceset e përgjithshme në Kosovë, për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në raport me BE-në, si dhe për procesin e finalizimit të dialogut me Serbinë”, bën të ditur Qeveria, nëpërmjet një njoftimi.

Haradinaj vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës, thuhet në njoftim.

“Partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është i një rëndësie të veçantë, duke njohur rolin dhe kontributin e Gjermanisë edhe në procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila i ka hapur rrugë Kosovës që të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet tjera të rajonit. Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë partneritet. Parku Inovativ dhe Trajnues në Prizren është një dëshmi e radhës, që vendi ynë është i përkushtuar për prezencën ekonomike, krahas asaj politike”, citohet të ketë thënë kryeministri Haradinaj.

Sipas Qeverisë, duke falënderuar Merkelin për mbështetjen e fuqishme të saj dhe të shtetit gjerman, Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës me përkushtim dhe vendosmëri të lartë është duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik, agjendës së reformave evropiane dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve me fqinjët.

“Lidershipi juaj ka qenë vendimtar për shumë procese nëpër të cilat po kalon Ballkani Perëndimor, andaj kërkojmë mbështetjen Tuaj që edhe në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimeve evropiane, liberalizimit të vizave, të jeni zë i fuqishëm për të ardhmen prosperuese të Kosovës”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Kancelarja tha se Gjermania përmes procesit të Berlinit do të luaj rolin e saj edhe më tutje që Kosova të jetë e barabartë dhe të jetë kontribuuese në stabilitetin politik jo vetëm të saj, por edhe të rajonit, njofton Qeveria e Kosovës.

Në takimin e kryeministrit Haradinaj me kancelaren Merkel, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm i vendit, Behgjet Pacolli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button