Parlamentare

Zgjidhje urgjente për AMA-n dhe RTSH-në

amaE ndodhur prej disa vitesh në ngërç për shkak të vakancave dhe, tashmë edhe pa kryetar, Autoriteti i Mediave Audiovizive po rrezikon tashmë të kthehet jofunksional edhe për shkak të mungesës së opozitës në Kuvend dhe pamundësisë për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kryetarit të saj.

Për t’i hapur rrugë zgjidhjes, nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, ka kërkuar mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe i ka bërë thirrje opozitës, që të kthehet në komision për të kryer detyrën e tyre ligjore si për anëtarët e kryetarin e AMA-s, ashtu dhe për përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit drejtues të RTSH.

“Ligji aktual përcakton të njëjtat përgjegjësi si për mazhorancën edhe për opozitën, ndaj përfitoj nga ky moment t’i bëj thirrje opozitës që të vijë urgjent në komision, për ta zhbllokuar këtë situatë dhe për të kthyer normalitetin në punën e RTSH dhe AMA”, u shpreh nënkryetari Alfred Peza.

Deputetja Mimoza Hafizi, përmes një letre që mazhoranca u dërgon deputetëve të opozitës, është ndaluar te plotësimi i vendeve vakant në AMA, ku aktualisht ka vetëm 3 anëtarë, nga 7 që është numri total, dhe zgjedhjen e anëtarëve të këshillit drejtues të Radiotelevizionit shqiptar.

“Si rezultat i mosfunksionimit të AMA është bllokuar procesi i dixhitalizmit të operatorëve radiotelevizivë. Të nderuar kolegë të opozitës, Republika e Shqipërisë ka detyrimin që ta përfundojë procesin e dixhitalizmit, pra kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike, deri më 17 Qershor 2015, afat ky i përcaktuar nga International Telecommunication Union, nëpërmjet një marrëveshjeje të ratifikuar nga Shqipëria. Në këtë mënyrë, nga vendi i parë në Europë që futi në treg për qytetarët e saj transmetimet dhe platformat dixhitale, për shkak të mosfunksionimit të AMA-s Shqipëria rrezikon të mbetet shteti i fundit në Europë, në implementimin në kohë dhe me cilësi të procesit të dixhitalizimit”, u shpreh deputetja Mimoza Hafizi.

“Ata e kanë për detyrë që, në respekt të atij ligji që kanë miratuar, në respekt të funksionimit të këtyre dy institucioneve që janë pasuri e të gjithë shqiptarëve, të jenë këtu të pranishëm që të zhbllokojnë situatën”, vijoi më tej deputeti Musa Ulqini.

“Nga ky moment, i japim edhe dy ditë kohë opozitës që të njihet me letrën, si dhe opinionit publik e medias, për të vijuar më pas mbledhjet e komisionit në përvijimin e procedurave për plotësimin e katër vendeve vakante në AMA”, deklaroi Peza.

Edhe pse Shqipëria ishte një ndër vendet e para në Europë, të cilat futën platformën dixhitale, tanimë rrezikon të jetë vendi i  fundit, që do të plotësojë procesin e dixhitalizimit, i cili duhet të përfundojë më 17 Qershor të vitit 2015.

Nëse ky afat nuk respektohet nga Shqipëria, atëherë konsumatorëve shqiptarë rrezikohet t’u ndërpritet shërbimi dixhital nga 18 Qershori i vitit të ardhshëm.

AMA, prej disa muajsh është inekzistente, çka ka bërë që, jo vetëm pirateria të rritet, por të hyjnë në transmetim shumë operatorë radiotelevizivë krejtësisht të paligjshëm.

Mazhoranca bën me dije se, nëse opozita do të heshtë sërish para kësaj situate, duke bojkotuar sërish Komisionin e Medias, atëherë do të ndjekë të gjitha hapat e parashikuar në ligj. Dhe, hapi i parë dhe më urgjent është plotësimi i vendeve vakante për t’i kthyer funksionalitetin këtij institucioni, duke nisur që nga mbledhja më e parë e Komisionit të Medias.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button