Home / Politika / Nis puna për Bypass-in e Tepelenës, Rama: Projekt strategjik e sipas standardeve europiane

Nis puna për Bypass-in e Tepelenës, Rama: Projekt strategjik e sipas standardeve europiane

Ndërtimi i bypass-it të Tepelenës është cilësuar projekt strategjik nga Kryeministri Edi Rama, i cili mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së punimeve në Tepelenë.

“Finalizojmë një punë të nisur prej disa kohësh dhe çelim një kantier me një rëndësi strategjike për të gjithë aksin kombëtar nga Fieri, në Gjirokastër e Kakavijë, por edhe me rëndësi strategjike për zhvillimin e mëtejshëm të Tepelenës, ku siç mund ta dëshmojnë lehtësisht banorët, por edhe vizitorët, është në një proces transformimi rrënjësor të potencialeve të veta të jashtëzakonshme, në burim zhvillimi ekonomik dhe social pas dekadave të tëra harrese e braktisje, ku askush nuk donte të ndalonte në Tepelenë e gjithkush donte të ikte nga Tepelena”, – theksoi Kryeministri.

Rama bëri të ditur se bypass-i i Tepelenës për të cilin çelet sot kantieri i punimeve, ishte një vepër e premtuar për dekada të tëra dhe pjesë e historisë së trishtueshme të bypass-eve, e cila mjafton për të ilustruar më së miri se sa shumë kohë, energji e para janë humbur më kot për vite të tëra në përpjekjen e dështuar për të ndërtuar bypass-et.

“Bypass-i i Tepelenës ka një plan fillestar të vitit 1988 i cili parashikonte kalimin në anën e djathtë të lumit të Drino-s dhe Vjosës, një zgjidhje që jo vetëm shkurtonte me 11 km të ashtuquajturin bosht të Jugut, por shmangte edhe të gjithë rrezikshmërinë e gjurmës aktuale që është e ekspozuar ndaj shkarjeve e sjell hera-herës bllokime me rrezik për jetën e atyre që përdorin këtë segment”, – theksoi kreu i qeverisë.

Por, Kryeministri vuri në dukje se pavarësisht se studimi ishte shumë i qartë, qeveria paraardhëse, ajo që mori përsipër të gjitha rrugët e të gjitha i la rrugëve, e injoroi atë studim dhe ndërtoi një aks pikërisht aty ku nuk duhej të ndërtohej.

Kjo, theksoi Kryeministri, na detyron të ndërhyjmë përsëri në projekt.

“Projekti është realizuar dhe praktikisht vrima e zezë ku shkarkohen të gjitha flukset nga Levani dhe pastaj Gjirokastër e Kakavijë pa asnjë standard që ngadalëson qarkullimin e është vazhdimisht e rrezikshme do të eleminohet”, – bëri të ditur Rama.

Kjo rrugë kështu siç është konceptuar, vijoi Kryeministri, merr parasysh edhe nevojat për zhvillimin afatgjatë të Tepelenës dhe të gjithë qarkut, duke garantuar hyrje dhe dalje të përshtatshme, qoftë në qytetet, apo edhe në zonat rurale bashkëngjitur.

“Falë këtij bypass-i do të realizohet një lidhje më e lehtë dhe e sigurt, jo vetëm me qendrën urbane, por edhe me 13 fshatrat e përzgjedhur, pjesë e programit kombëtar të rilindjes rurale që ka në boshtin e vet projektin e ‘100 fshatrave’”, – deklaroi Rama.

Rama, më tej theksoi se falë kësaj lidhjeje më të lehtë që do të shoqërohet edhe me një investim të konsiderueshëm të rrugëve rurale zona të tëra do ta kenë më të lehtë për t’u transformuar ashtu si ne e parashohim, në zona ku do të promovohet zhvillimi i turizmit rural dhe ku agroturizmi do të marrë një vëmendje e me siguri edhe një hov të veçantë, duke ndihmuar familje të tëra të dalin nga varfëria dhe duke mundësuar për familje të tëra, por edhe shumë emigrantë, që duke investuar kursimet e tyre në shtëpitë e tyre të vjetra apo asetet e mrekullueshme natyrore e historike, përmes agroturizmit të garantojnë fitime shumë herë më të larta se sa në vendet ku ata punojnë sot.

Leave a Reply

%d bloggers like this: