Home / Kronika / Vrasja e dyfishtë në Shkodër, gjendet automjeti i autorëve të dyshuar

Vrasja e dyfishtë në Shkodër, gjendet automjeti i autorëve të dyshuar

Ish-efektivi i Policisë së Shkodrës, Berhan Bërcama, 30 vjeç, dhe bashkëjetuesja Silvana Ndoci, 24 vjeç, u gjetën të vrarë në prag të shtëpisë në qytetin e Shkodrës.
I vetmi  dëshmitar i krimit të dyfishtë  ka qenë djali i çiftit, 1 vjeç e gjysmë, i cili është gjetur i terrorizuar nga policia pranë trupave të pajetë të prindërve të tij.

Nga ekspertiza paraprake në vendangjarje, policia beson se është qëlluar me armë tip automatike nga dritarja e makinës, ku ishte ulur ish-efektivi i policisë. Ata janë qëlluar me breshërinë e 22 plumbave.

Ish-polici Bërcama kishte dhënë dorëheqjen nga patrulla e policisë 6 muaj më parë, atëherë kur ndodhej me shërbim në Fushë Arrëz. Por, ai nuk ka dhënë asnjë argument se përse po e linte policinë.

Një burim i tha Top Channel se, në atë kohë, kur ishte polic në patrullat e përgjithshme, ai ishte shprehur se do të largohej jashtë Shqipërisë.

Më herët, Berhan Bërcama ka shërbyer si agjent krimesh në qytetin e Shkodrës, pikërisht në kulmin e përplasjeve të dy grupeve kriminale me njëra-tjetrën. Hetuesit mendojnë se çifti është ndjekur gjatë, derisa është realizuar atentati në banesën ku ata jetonin me qira.

Bëhet e ditur se 30-vjeçari nuk ka kryer asnjë kallëzim për ndonjë kanosje, ndërkohë që të dhënat paraprake tregojnë se ish-polici ka qenë së fundmi në Francë, prej nga ku është kthyer.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në qytet, në zonën e “by pass”-it, policia ka gjetur të djegur një makinë tip Benz. Policia e Shkodrës ka dyshime të forta se ky automjet është përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i krimit dhe më pas ata i kanë vënë flakën për të zhdukur çdo gjurmë.

Brenda në automjetin e djegur është gjetur edhe një armë automatike, që është përdorur për krimin e dyfishtë. Prokuroria nuk ka ende një pistë të qartë, edhe pse dyshimet nisin që nga problemet e para dy viteve të viktimës, deri te detyra e tij si ish-polic.

Leave a Reply

%d bloggers like this: