Home / Politika / Deputeti gjerman Schwabe: Shqipëria duhet të vijojë rrugën e reformave

Deputeti gjerman Schwabe: Shqipëria duhet të vijojë rrugën e reformave

Deputeti gjerman Frank Schwabe, kryetar i Grupit Social Demokrat në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE) ka zhvilluar sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Schwabe u shpreh se sot është një ditë e rëndësishme pasi edhe Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn është në Tiranë për vizitë dhe kjo është një gjë e mirë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

“Komisioneri Hahn vjen për të parë punën e bërë me çështjet e konsolidimit të demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Komisioneri Hahn do të takojë Presidentin Meta dhe kryeministrin Rama”, shtoi Schwabe.

Ai theksoi se, “Këshilli i Europës dhe BE kanë të njëjtin synim për Shqipërinë, që është forcimi i demokracisë dhe integrimi në BE”.

“Shpresoj që reformat e ndërmarra nga qeveria, të vijojnë më tej. Në Shqipëri shoh progres tek rezultatet e reformës në drejtësi dhe duhet të vazhdohet në drejtimin e konsolidimit të reformës në drejtësi dhe të shohim përpara për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian”, tha Schwabe.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se reforma në drejtësi dhe vetingu po ecin me ritme shumë të mira.

“Z. Schwabe shprehu interesim edhe për çështjet e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut. Reforma në drejtësi po ecën me ritme shumë të mira. Vetingu po ecën me ritme shumë të mira”, tha Balla.

Po ashtu, shtoi Balla një pikë e takimit ishte implementimi i menjëhershëm i rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, të cilat janë shinat dhe kuadri i reformës zgjedhore.

Balla u shpreh se sa i përket Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në Asamble.

Leave a Reply

Your email address will not be published.