Bota

Pakti BE-Japoni, sfidë ndaj Donald Trump

Bashkimi Europian dhe Japonia firmosen njërën prej marrëveshjeve më të mëdha të tregtisë në botë, e cila do të mbuloje gati një të tretën e GDP-së së globit dhe rreth 600 milionë vetë.
Ndër eksportet kryesore të bllokut në Japoni janë produktet e bulmetit, ndërsa makinat përbejnë zërin qendror të eksporteve japoneze. Kjo lëvizje kontrakton thellë me veprimet e administratës Trump dhe tarifat e saj të shumëdiskutuara mbi importet e çelikut. Kreu i Komisionit Europian Jean Claude Juncker deklaroi se kjo është një marrëveshje, nga e cila përfitojnë të gjithë.

“Impakti i kësaj ujdie shkon përtej brigjeve tona. Së bashku, ne po bëjmë një deklaratë të fuqishme për të ardhmen e tregtisë së lirë e të ndershme. Po tregojmë se jemi më të mirë dhe më të fortë kur punojmë bashkë dhe se ka diçka atje jashtë diçka më shumë se tarifat dhe barrierat”, u shpreh Juncker.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në bisedime me Japoninë dhe vende të tjera aziatike përpara 18 muajsh mbi një marrëveshje të gjerë të Tregtisë së lirë, paktin tregtar të trans-paqësorit, por Donald Trump zgjodhi të tërhiqej prej saj sapo mori në dorë frerët e presidencës amerikane.

Politika e tij “Amerika e Para” i bëri punë në këtë rast Brukselit, sepse i hapi atij rrugën e nënshkrimit të këtij pakti me ekonominë e tretë më të madhe të botës.

Ndërkohë Bashkimi Evropian ka përfunduar një marrëveshje që lejon bizneset të transferojnë pa të meta të dhënat personale midis bllokut dhe Japonisë, duke thelluar lidhjet ekonomike, pasi të dy palët gjithashtu bien dakord për një pakt të tregtisë së lirë. Kjo marrëveshje duhet të hyjë në fuqi kah fundi i vitit.

“Të dhënat janë lënda djegëse e ekonomisë globale dhe kjo marrëveshje do të lejojë që të dhënat të udhëtojnë në mënyrë të sigurt midis nesh në përfitim të qytetarëve tanë dhe ekonomive tona”, tha në një deklaratë komisionerja e drejtësisë së BE-së, Vera Jourova.

“Duke punuar së bashku, ne mund të formësojmë standardet globale për mbrojtjen e të dhënave dhe të tregojmë udhëheqje të përbashkët në këtë fushë të rëndësishme”, tha ajo. Komisioni tha se vendimi do të thotë se të dhënat personale mund të rrjedhin nga Zona Ekonomike Evropiane në Japoni, pa nevojë për ndonjë mbrojtje ose autorizim të mëtejshëm.

Një pakt i ngjashëm i transferimit të të dhënave me Shtetet e Bashkuara që mbështeti miliarda dollarë të tregtisë transatlantike u godit në vitin 2015 nga gjykata më e lartë e BE-së për arsye se nuk i mbrojti mjaft të dhënat e evropianëve nga zhbiruesit e SHBA-së, duke e hedhur botën e biznesit në harresë ligjore.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button