Rajoni

Rumania dhe Hungaria grinden për gazin e Detit të Zi

Në Evropën qendrore dhe juglindore është duke u zhvilluar një luftë ekonomike për shuma miliardash. Kemi të bëjmë me shumë gaz nga Deti i Zi – dhe varësinë nga furnizimet me gaz prej Rusisë.

Në pjesën rumume të Detit të Zi janë zbuluar vitet e fundit burime gjigande gazi natyror dhe disa prej tyre janë mbyllur sërish. Sipas vlerësimeve të kujdesshme kemi të bëjmë me të paktën 40 miliardë metër kubik, por sasia mund të jetë edhe 200 miliardë metër kubik. Sasi e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e gjithë Rumanisë për dekadat e ardhshme, por edhe për të eksportuar gaz.

Për të transportuar gazin nga Deti Kaspik në vendet evropiane, u planifikua ndërtimi i një gazsjellësi, BRUA, gërmat e të cilit tregojnë për vendet që marrin pjesë në të, Bullgari, Rumani, Hungari dhe Austri. BRUA pritet të fillojë punën më 2019, sipas një projekti që përkrahet nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për zhvillim, EBRD.

Siç ndodh shpesh në projektet e mëdha të sektorit të energjisë, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me polemika të gjata. Aktualisht këtë e tregon një grindje rumuno- hungareze për ligjet ofshore rumune dhe sasinë që planifikohet të kalojë në BRUA-n hungareze.

Në fund të muajit qershor shefi i ndërmarrjes për furnizimin e gazit në Hungari, Kristóf Terhes paralajmëroi politikën rumune që të nxjerrë pa vonesë ligjin për burimet ofshore dhe të furnizojë sasinë e dëshiruar nga Hungaria prej 4,4 miliardë metër kub gaz. Pak pas kësaj ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó shkoi edhe më tej duke thënë se Rumania pengon me shtyrjet e saj sigurimin e energjisë së rajonit. Nga ana e saj Rumania i ktheu akuzat mbrapsht dhe disa politikanë akuzuan Hungarinë se nuk i përmbahet detyrimeve të saj në ndërtimin e BRUA-s.

Interesa kontradiktore

Këmbimet e akuzave pasqyrojnë gjendjen komplekse të interesave në këtë çështje. Nga njëra anë janë shtetet e BE-së përfshirë Austrinë, që mundohen të krijojnë një furnizim të larmishëm me gaz, që të mos jetë i varur nga furnizimi rus. Në këtë aleancë bëjnë pjesë edhe koncernet perëndimore Exxon dhe OMV, që merren me zbulimin e gazit në Detin e Zi.

Hungaria nga ana e saj mundohet të forcojë pozicionin, madje të dalë në krye të sektorit të energjisë në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Prandaj qeveria e Orbanit mori vendim korrikun e kaluar që në kuadër të projektit BRAU, të mos e ndërtojë lidhjen e planifikuar të gazsjellësit me pjesën austriake. Si argumentim thonë se lidhja ekzistuese nëpërmjet Sllovakisë mjafton për transportin e mëtejshëm të gazit natyror.

Pas një takimi të përbashkët me qeverinë serbe si dhe pas pjesëmarrjes në një forum që merret me çështjet e energjisë, në muajin shkurt të këtij viti kryeministri hungarez Viktor Orbán foli hapur për atë se ku i rreh vendit të tij: “Monopolit rus të gazit do i vijë fundi, sepse më shumë se gjysmën e importit të gazit ne do e marrim nga një burim tjetër, në këtë rast nga Rumania”. “Kjo është një situatë e re jo vetëm për Hungarinë, por për gjithë rajonin. Që do të thotë se Hungaria do të gjendet në një pozicion të ri gjeostrategjik – në një pozicion shumë më të favorshëm se më parë.”

Hungaria mundohet të dalë në pozicion kyç

Kurse në Rumani është duke u zhvilluar prej kohësh një grindje e gjatë politike për neglizhencën dhe korrupsionin në dhënien e lejeve për përpunimin e lëndëve të para. Në të kaluarën koncernet është dashur të paguajnë shumë pak për licencat e përpunimit të lëndëve të para, kështu që shteti humbiste shumë para nga mosmbledhja e taksave për shkak të kontratave të bëra keq. Kjo duhet ndryshuar me një ligj të ri, të paktën në rastin e gazit nga Deti i Zi, me një ligj që quhet ofshore. Ligji u aprovua në fillim të javës së kaluar në Dhomën e Ulët të parlamentit rumun, Dhomën e deputetëve.

Sipas ligjit të ri, i cili nuk ka hyrë ende në fuqi, për licencat tani jepen 13 përqind. Po ashtu vendoset një taksë progresive në varësi të çmimit të gazit; ajo mund të shkojë deri në 50 përqind të fitimit. Politikanë të opozitës në Rumani, ankohen se shtetet e tjera relevante në nxjerrjen e gazit kërkojnë përqindje dhe taksa më të larta nga koncernet. Po ashtu ata fajësojnë qeverinë se në nxjerrjen e ligjit ofshore i është nënshtruar shumë shpejt presionit ndërkombëtar, përfshirë edhe atë hungarez.

Ekspertë hungarezë shohin në këtë rast rolin kyç të Hungarisë në grindjet për gazin nga Deti i Zi. Ekonomisti dhe eksperti për çështjet e energjisë, András Deák nga Akademia hungareze e shkencave thotë se për herë të parë në 60 vjet në Hungari do të rrjedhë gaz tjetër, që nuk është rus. “Do ishte budallallëk ose të paktën shumë rusofile, nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohej.” Pyetjet që shtrohen tani janë çfarë garancish mund të japë Orbán, në mënyrë që gazi të rrjedhë i lirë dhe me çmim të pranueshëm nëpër Hungari.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button