Politika

Meta vlerëson Presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviç me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç,  ”Për kontributin e çmuar në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë; për forcimin e mëtejshëm të miqësisë shumëshekullore midis popullit shqiptar dhe atij kroat; si dhe për mbështetjen e pakursyer në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Në këtë ceremoni, Meta vlerësoi lart rolin dhe mbështetjen e Presidentes Grabar-Kitaroviç për Shqipërinë dhe shqiptarët, si në kuadër të zhvillimeve rajonale, ashtu edhe të integrimit europian.

“Kroacia para tre ditësh u shpall me meritë si nënkampione bote në futboll, duke frymëzuar edhe shqiptarët dhe gjithë popujt e tjerë të këtij rajoni për suksesin në të ardhmen.  Por për ne padyshim që Kroacia ka qenë dhe është gjithashtu edhe një shembull shumë i mirë për një ecuri më të suksesshme lidhur me anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian”, tha Presidenti.

Shqiptarët dhe kroatët kanë ndërtuar në shekuj lidhje të fuqishme miqësie e bashkëpunimi, tha Meta duke shtuar se “300 vjet më parë kroatët i hapën dyert e tyre Arbanasve dhe kjo ka vijuar në forma të ndryshme deri në fund të shekullit të shkuar”.

Ai vuri në dukje se vizita e Presidentes kroate në vendin tonë është konfirmim e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Sot demonstruam edhe një herë dëshirë dhe vullnet të përbashkët për t’i çuar më përpara e forcuar marrëdhëniet në të gjitha fushat, ku padyshim ai ekonomik e kulturor mbeten ndër prioritetet tona kryesore.  Së shpejti do t’i ngremë ato në nivelin e Partneritetin Strategjik, në dobi të marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe të rajonit tonë të përbashkët. Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, mirënjohjen për Kroacinë, popullin kroat dhe Presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviç, dëshiroj ta shpreh përmes akordimit të Dekoratës së Flamurit Kombëtar”, tha Kreu i Shtetit.

Pasi mori në dorëzim dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentja e Kroacisë, falënderoi Presidentin Meta duke theksuar se: “ju falënderoj zoti President për këtë nderim, që në fakt nuk është vetëm për mua, por edhe për popullin kroat, duke më akorduar Dekoratën e Flamurit Kombëtar! Ky titull që po marr është simbol i një miqësie të thellë mes vendeve tona, veçanërisht mes shqiptarëve dhe kroatëve dhe u jam mirënjohëse si ju personalisht, po ashtu dhe Shqipërisë.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button