Politika

Presidentja kroate në Kuvend: Shqiptarët kanë sakrifikuar për Kroacinë. Ne nuk harrojmë!

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç mbajti fjalën e saj të nderit përpara deputetëve gjatë seancës së sotme në parlament, duke nënvizuar se Kroacia do të mbështesë fuqishëm Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE.

“Kroacia e mbështet fuqishëm rrugën e Shqipërisë drejt  integrimit të Bashkimit Europian dhe mirëpret të gjithë progresin e dukshëm që është bërë nga Shqipëria, në përmbushjen e kritereve të kërkuara për anëtarësimin në BE. Sot, si një komb i ri, energjik, i zellshëm dhe të angazhuar ndaj vlerave demokratike perëndimore, Shqipëria ka perspektiva të shkëlqyera dhe është mjaft e rëndësishme të theksohen shembuj pozitivë dhe Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë për këtë gjë. Do të doja t’iu përgëzoja gjithashtu edhe për vendimin e Këshillit, i cili i ka njohur progresin e bërë nga Shqipëria. Kjo shtron rrugën për çeljen e negociatave në qershor të 2019”, tha presidentja kroate.

Për këtë arsye, theksoi ajo, në vitin që vjen është mjaft e rëndësishme të sigurohet një bashkim kombëtar për çështje strategjike, me qëllim që të ruhet motivimi për reformat.

“Në këtë kontekst, duhen pranuar dhe njohur reformat që Shqipëria ka bërë  deri më sot, veçanërisht, ato në fushën e gjyqësorit. Është mjaft e rëndësishme të theksohet rëndësia e procesit të Vetingut, i cili do të rrisë besimin në institucionet gjyqësore që përbëjnë edhe bazën e pushtetit ligjor”, -theksoi ajo.

Më tej, presidentja kroate nënvizoi se do të ndihmojë Shqipërinë në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare, duke ndarë edhe përvojën si shteti më i ri i anëtarësuar në BE.

“Kroacia planifikon që të vazhdojë në të njëjtën rrugë dhe përkushton të gjithë vëmendjen e saj drejt zgjerimit dhe këto gjera do të bëhen pjesë e presidencës tonë dhe ne do të investojmë edhe përpjekje më të mëdha për të organizuar një samit tjetër ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor. Kroacia do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit në BE, duke i ofruar Shqipërisë përvojën e saj dhe njohuritë, duke mbështetur ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare përfshirë këtu forcimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale”, nënvizoi Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Sipas saj, Shqipëria luan rol kyç në Europën Juglindore.

“Përsa i përket bashkëpunimit ekonomik, duhet të theksojmë se në fushën e turizmit dhe mjedisit, si dhe gazsjellësit Jon-Adriatik, është prioritet për të dyja vendet. Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol kryesor në Europën Juglindore, për këtë arsye Kroacia kërkon të forcojë më tej, marrëdhëniet strategjike me Shqipërinë me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik. Kroacia dhe Shqipëria mund të bëjnë shumë punë së bashku”, -ka përfunduar ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button