Home / Bota / Tragjedia italiane, “gabimi njerëzor” që kërkon ndërhyrje “antimafia” modernizuese

Tragjedia italiane, “gabimi njerëzor” që kërkon ndërhyrje “antimafia” modernizuese

Një gjë është e sigurtë, reshjet e stuhishme të rëna në Genova nuk kanë të bëjnë aspak me tragjedinë, që la të vdekur dhjetëra persona e plagosi shumë të tjerë, edhe pse shembja e urës ndodhi pikërisht në një ditë me shira të rrëmbyeshëm.

Fatkeqësia ndodhi, por siç thekson edhe zyra e prokurorit publik të Genovas, për shkak të një “gabimi njerëzor”. Hetimet janë hapur mbi ngjarjen, e me shumë gjasë akuza që do të rëndojë mbi fajtorin do të jetë “vrasje pa paramendim”.

E ndërsa ura të tjera që datojnë nga Roma antike qëndrojnë ende “kryelartë”, ajo e Genovas ishte në një nevojë urgjente për ndërhyrje, e jo për shkak se ndërtimi i saj daton dekada më parë. Ashtu siç kanë nevojë për rishikim shumica e rrugëve apo autostradave e urave në Itali.

Ura “Morandi” e Genovas kishte dhënë “shenjat e fundit të jetës” prej kohësh, sipas ekspertëve, e duhej të ishte riparuar me kohë, por që fatkeqësisht ndërhyrjet kanë qenë vazhdimisht të pjesshme. Nëse mund të bëjmë një krahasim të thjeshtë, është njësoj si të përpiqesh të riparosh një makinë të vjetër që s’bëhet më, në vend që të blesh një automjet të ri.

E pavarësisht se dihej nevoja urgjente për vëmendje ndaj saj, ura nuk i është nënshtruar kurrë një rishikimi apo rikonstruksioni total. Mungesa e vëmendjes ndaj saj bëri që të mos hartoheshin as plane për një rrugë alternative, ndërkohë që dijet e duhura teknike mund ta kishin parandaluar përkeqësimin e situatës së urës.

Ajo që dihet tashmë është se, materialet e përdorura për ndërtimin e saj ishin të vjetra, të një kohe të kaluar, e të papërshtatshme për të garantuar nevojat e qarkullimit gjithnjë e më të shtuar të automjeteve të kohëve të sotme. Trafiku, specifikisht në veriun e Italisë, ka shënuar një rritje ekstreme që prej kohës së ndërtimit të asaj ure, në vitet ’60. Por vëmendja mungoi sërish, edhe pse ajo ishte kthyer në një nga pikat kyçe ndërlidhëse jo vetëm brenda Italisë, por edhe të rajoneve italiane me ato franceze.

Infrastruktura moderne është jetike për zhvillimin dhe sigurinë e çdo vendi, por duket se ende jo një prioritet në Itali. Pas tragjedisë, zv.kryeministri italian Matteo Salvini, një kritik i hershëm i BE-së, reagoi në Twitter.

“Nëse ekzistojnë kufizime europiane, që na pengojnë neve të shpenzojmë parà për të siguruar shkollat ku studiojnë fëmijët tanë, apo autostradat ku udhëtojnë punonjësit tanë, atëherë nuk do t’i marrim parasysh. Ne do të vendosim sigurinë e italianëve mbi gjithçka tjetër e mbi këdo”.

NJë tjetër e vërtetë e rëndë është se, fondet publike të rezervuara për modernizimin e rrugëve apo për ndërtimin e atyre të reja janë alokuar, gjithsesi thuajse kurrë dhe asnjë nuk është shpenzuar. Paratë janë aty, por italianët nuk dinë se ç’bëhet me to.

Italia mbetet një nga vendet nën mesataren europiane të shfrytëzimit të fondeve të BE-së për kohezion, që synojnë ndër të tjera edhe mbështetje ndaj projekteve të infrastrukturës. Në fakt, investimet në infrastrukturë janë të vështira për t’u përmbushur, mund të duan vite e ndoshta edhe dekada për të parë diçka në këmbë, e jo për shkak të rregullave shtrënguese fiskale të Europës, që kufizojnë shpenzimet. Ky faktikisht është një justifikim i paimagjinueshëm.

Por një pjesë të fajit, e sigurisht edhe të turpit, e ka edhe politika. Sapo vjen një qeveri e re e zgjedhur, ajo “zhbën” planet kyçe të infrastrukturës të miratuara nga një kabinet i mëparshëm, thjesht e vetëm për shkak të “ndryshimit të prioriteteve” apo presionit nga lobe të ndryshme. Planet për investime rrugore ndryshojnë sa herë që një parti e re, apo koalicion partish, merr pushtetin. Burokracitë janë gjithashtu një pengesë e rëndësishme në implementimin e plotë të projekteve infrastrukturore në Itali.

Por ndryshe nga shumë vende perëndimore, Italia ka edhe një problem tjetër të madh: mafien!

Korruptimi i oficerëve publikë dhe infiltrimi i grupeve kriminale në tenderat publikë ngadalëson jashtë mase përmirësimin e infrastrukturës publike italiane. Autostrada që lidh veriun me jugun e Italisë, e mbiquajtur edhe “Rruga e Gangsterëve”, mori plot 50 vite për t’u rikonstruktuar, kjo edhe për shkak të hetimeve të vazhdueshme.

Hetimi i tragjedisë së Genovas do të kërkojë kohë për të përcaktuar fajtorin, por ndërkohë, autoritetet italiane duhet të hartojnë plane afatgjata infrastrukturore, të cilat nuk do të mund të zhbëhen nga qeveria e re që do të vijë në pushtet. Kjo, sepse siç u mësua nga kjo javë, vonesat në përmirësimin e infrastrukturës nuk janë thjesht të papërshtatshme, por mund të rezultojnë edhe vdekjeprurëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published.