Bota

Partnerë të vështirë – Gjermania dhe Turqia

Raportet mes Gjermanisë dhe Turqisë janë keqësuar dukshëm dy vitet e fundit. Por Gjermania dhe Turqia kanë edhe shumë interesa të përbashkëta. Kriza Turqi – SHBA jep shkas për përmirësimin e raporteve me Gjermaninë.

Në kulmin e krizës së rëndë ekonomike në Turqi, pas rënies së fuqishme të vlerës së Lirës, nga Gjermania vjen një lajm i mirë: Eksporti gjerman në Turqi përkundër ngarkesave të fundit në raportet politike, nuk ka shënuar ndonjë rënie. Shteti gjerman edhe më tej jep të ashtuquajturat garanci Hermes për bizneset gjermane në Turqi.

Qeveria gjermane e ka ashpërsuar politikën e saj ndaj Turqisë vitin e kaluar, pas arrestimit të disa shtetasve gjermanë. Ndaj e ka reduktuar mbrojtjen e riskut të biznesit të firmave gjermane në Turqi në një vlerë prej 1,5 miliardë Euro. Ky lajm është kritikuar në Gjermani. “Nuk është e pranueshme që partneriteti mes qeverisë turke dhe asaj gjermane të zhvillohet pavarësisht gjendjes së të drejtave të njeriut dhe rreziqeve të taksapaguesve”, thuhet në një kumtesë të partisë E Majta.

Konfliktet dhe mosmarrëveshjet

Grindjet rreth parave tregojnë se sa jo unike është politika gjermane në raportet ndaj Turqisë. Ka shumë konflikte, si për shembull, mbajtja nën masa arresti e shumë shtetasve gjermanë, me origjinë kryesisht turke; mosmarrëveshjet për vizitën e presidentit Erdogan në Gjermani në shtator të këtij viti; grindjet gjermano-turke për bazën e NATO-s në Incirlik, prej nga janë tërhequr ushtarët gjermanë në shtator të vitit të kaluar, apo dhe ndalimi i paraqitjes së politikanëve turq gjatë fushatës zgjedhore…

Të gjitha këto kanë ndikuar që raportet mes Turqisë dhe Gjermanisë të bien në pikën më të ulët në disa dekadat e fundit. Kësaj i shtohen edhe mosmarrëveshjet rreth fotogrative të futbollistëve Özil dhe Gündogan me presidentin Erdogan. Mosmarrëveshjet dhe grindjet më të mëdha kanë ndodhur pas puçit kundër Erdoganit dhe zhvillimeve që e kanë pasuar këtë ngjarje, kur janë supsenduar apo arrestuar rreth 110.000 nëpunës, ushtarë, policë dhe gjykatës.

Botëkuptime të ndryshme

Raportet mes Gjermanisë dhe Turqisë janë aktualisht vërtet të këqija, thotë ekonomisti Yunus Ulusoy, nga Qendra e Studimeve për Turqinë dhe Integrime. Por shumë gjëra kanë të bëjnë me botëkuptimet e ndryshme, sepse në Gjermani më së shumti i kushtohet vëmendje mangësive në Turqi, ndërsa shtetasit turq që e mbështesin Erdoganin shohin vetëm anën tjetër.

Ulusoy mendon se Gjermania dhe shtetasit gjermanë kanë të drejtë kur flasin për mangësitë në shtetin juridik dhe demokraci. Por shpesh mungon toni i duhur për të shprehur këto kritika dhe në këtë mënyrë humbet shansi për influencimin e gjërave.

Tonet janë ashpërsuar vitet e fundit nga të dy palët. Pas arrestimit vitin e kaluar të aktivistit Peter Steudtner, gazeta turke islamike “Yeni Akit” shkruante se “Merkel është edhe më e keqe se Hitleri”. Në shtator edhe presidenti Erdogan e ka sulmuar ashpër kancelaren Merkel dhe kandidatin e socialdemokratëve për kancelar Martin Schulz, të cilët u shprehën kundër anëtarësimit të Turqisë në BE. “Ajo që po ndodh është nazizëm, është fashizëm”, tha Erdogan. Më parë Erdogan u kishte bërë thirrje shtetasve gjermanë me origjinë turke që të “bëjnë jo tre, por pesë fëmijë”, që në Gjermani është komentuar si ftesë për mungesë luajaliteti ndaj shtetit. Ai u ka sugjeruar zgjedhësve me origjinë turke që të mos votojnë partitë e këtyre dy politikanëve në zgjedhje.

Kritikat nga Gjermania

Përgjatë gjithë kohës së grindjeve ka pasur kritika të ashpra edhe nga politikanët gjermanë. Kritikat më të ashpra kanë ardhur nga krahu i djathtë politik. Nga partia djathtiste Alternativa për Gjermani, AfD, ka pasur edhe sharje dhe ofendime të rënda. Por edhe krerët e qeverisë janë shprehur me tone shumë kritike ndaj Erdoganit dhe mundësisë së paraqitjes së tij në fushatë elektorale në Gjermani. Paraqitja e tij para votuesve me origninë turke në Gjermani është kundërshtuar nga radhët e pothuajse të gjitha partive.

Interesat e përbashkëta

Përkundër tensioneve dhe grindjeve, Gjermania dhe Turqia kanë edhe më tej lidhje të mëdha ekonomike dhe interesa të përbashkëta. Por jo vetëm në ekonomi, sepse Gjermania dhe Turqia janë të interesuara edhe për përfundimin e luftës në Siri, për shkak se në këto vende kanë ardhur jashtëzakonisht shumë refugjatë sirianë. Ato shpresojnë se me përfudnimin e luftës mund të krijohen kushtet për largimin e sirianëve dhe kthimin në vendlindje.

Ka shumë gjëra pra për të cilat duhet të bisedojnë Ankaraja dhe Berlini, thotë Yunus Ulusoy. “Vizita e Erdoganit në shtator në Gjermani është një mundësi për shtimin e influencës gjermane në politikën turke, në veçanti pas tensioneve diplomatike mes Turqisë dhe SHBA.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button