Opinion

Perëndimi ka luajtur prej 10 vitesh lojën e Vladimir Putinit

Nga: Robert KAGAN

Trumpi mund të ketë arsyet e tij të veçanta, për të kërkuar një “rivendosje” të raporteve normale me Rusinë, dhe sigurisht që ai ndan qëllimet e përbashkëta me Putinin, ndryshe nga çdo president i shkuar amerikan. Por ai gjithashtu po ndjek një skenar të njohur. Dhjetë vjet më pas, ne nuk po i nxëmë ende leksionet e vërteta të agresionit rus.

Nëse ngrehina e rendit botëror liberal është sot e rrezikuar të shembet – dhe në fakt është – kur nisën të dobësohen shtyllat mbajtëse? Shumëkush përmend kohën kur Trump është zgjedhur president. Por, ndërsa qasja e “Amerika e Para” e Trump në botë, ka zgjeruar ndjeshëm të çarat e rendit aktual ndërkombëtar, ndoshta duke i bërë ato të pariparueshme, ato janë shfaqur shumë kohë përpara se të ndodhte kjo.

Saktësisht 10 vjet më parë, Vladimir Putin ndëmori një nga goditjet e para të mëdha ndaj këtij rendi, kur dërgoi forcat ruse në Osetinë Jugore në Gjeorgjinë fqinjë, në mbështetje të separatistëve të mbështetur nga Moska. Presidenti gjeorgjian Mikhail Shakashvili, duke iu druajtur një pushtimi të plotë, urdhëroi trupat e tij të sulmojnë, duke rënë kësisoj në kurthin e Putinit.
Duke përdorur sulmin gjeorgjian si një pretekst, Putini e ndërmori atë pushtim në shkallë të plotë, me dhjetëra mijëra trupa, avionë luftarakë dhe elementë të Flotës së Detit të Zi, të gatshëm për të hyrë në veprim në çastin që veproi Sakashvili. Lufta 5 -ditore ruso-gjeorgjiane, u zhvillua gjoja për territoret e diskutueshme, por synimi i vërtetë i Putinit ishte gjeopolitik.
Gjeorgjia, si ish-republikat e tjera satelite sovjetike, po synonte të integrohej në Perëndim ekonomikisht dhe politikisht, dhe të fitonte mbrojtjen perëndimore nga Moska. Duke u frikësuar nga reagimi i Putinit, NATO refuzoi pranverën e atij viti t’i ofronte Gjeorgjisë qoftë edhe një ”hartë” (road map) për anëtarësimin në aleancë, por Putini gjithsesi lëvizi – për të ndëshkuar gjeorgjianët, për të paralajmëruar të tjerët, dhe për t’i dërguar një mesazh të qartë Perëndimit.
Rusia do ta rikonfirmonte me force hegjemoninë e saj. Përgjigjja e Perëndimit, u kufizua tek indiferenca.
Administrata e Xhorxh Ë.Bush, që kishte mbrojtur tundimin e Gjeorgjisë për t’u anëtarësuar në NATO, nuk donte të përballej me kriza. Sikurse presidenti Barack Obama, që besonte se Ukraina nuk ia vlente për nisjen e një lufte me Rusinë, këshilltari i sigurimit kombëtar të Bush, i mbylli të gjitha bisedimet për ndëshkimin e agresionit të Moskës duke pyetur:”A jemi ne të përgatitur të shkojmë në luftë me Rusinë, për shkak të Gjeorgjisë?”.
Presidenti Bush, nuk ndërmori as edhe ndonjë sanksion kundër Moskës. Shtetet e Bashkuara, ofruan asistencë humanitare, por refuzuan kërkesat e Tbilisit për pajisje ushtarake. Presidenti francez Nikolas Sarkozi, negocioi armëpushimin dhe Sarkozi (që më vonë në cilësinë e një qytetari, do të mbështesë aneksimin e Krimesë nga Rusia), bëri një marrëveshje që i la trupat ruse në territorin gjeorgjian, ku ato mbeten edhe sot.
Ashtu si britanikët dhe francezët që fajësuan çekët për provokimin e Hitlerit në vitet 1930, edhe sekretarja e shtetit e presidentit Bush, Kondoliza Rajs fajësoi Sakashvilin se “lejoi rusët që ta provokojnë”, madje duke pranuar se sulmi ishte “i paramenduar”.
Në fund, Putini u shpërblye. Siç shkruan ish-ambasadori amerikan në Moskë, Majkëll Mekfoll, në librin e tij “Nga Lufta e Ftohtë në paqen e ngadaltë:Një ambasador amerikan në Rusinë e Putinit”- koncepti i tij i shquar i kësaj periudhe, konceptet bazë të “politikës së rivendosjes” së Obamës, mori formë në reagimin ndaj Gjeorgjisë.
Leksioni për Obamën dhe ekipin e tij, ishte se Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për marrëdhënie më të mira me Moskën, për të shmangur konfrontimet e ardhshme. Më pak se një vit pas pushtimit rus, Obama mbajti samitin e tij të parë me presidentin rus, Dmitri Medvedev, dhe nisi përpjekjet për t’i zbutur gjërat me Rusinë.
Lufta ruso-gjeorgjiane, krijoi një ‘modus operandi’ (mënyrë veprimi), që Putini do të përdorte kundër Ukrainës thuajse saktësisht 6 vjet më vonë. Në të dyja rastet, sulmi rus u parapri dhe u shoqërua nga një luftë kibernetike intensive dhe mori “lajmesh të rreme”. Në të dyja rastet, forcat ruse lëvizën fshehtazi përpara sulmit kryesor. Të dyja pushtimet u mbuluan në paqartësi dhe konfuzion, duke bërë që shumë në Perëndim të fajësojnë Gjerogjinë.
Në të dyja rastet, Moska pretendonte se po mbronte popullatat pro-ruse nga keqtrajtimi i supozuar. Por qëllimi i vërtetë, ishte rivendosja e hegjemonisë ruse ndaj ish republikave sovjetike, që kërkonin të integroheshin në rendin botëror liberal – në rastin e Ukrainës duke negociuar një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian.
Sulmi rus mbi Gjeorgjinë, tregoi gjithashtu efektivitetin e narrativës së Putinit për ankesën e tij. Megjithëse Rusia ishte ajo që e kreu agresionin, shumëkush në Perëndim fajësoi të tjerët – Sakashvilin, Bushin, NATO – për shkak se imponuan ndërhyrjen e Putinit. Sot, “realistët” dhe e majta fajësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin, për provokimin e Putinit në Ukrainë.
Rusia duhet të ketë sferën e saj të interesit, argumentojnë ata. Zgjerimi i NATO-s, bëri Putinin dhe rusët të ndihen të pasigurtë. Perëndimi shkoi shumë larg. Është një nga fitoret më të mëdha të Putinit, që kjo narrativë është pranuar gjerësisht sot në elitën amerikane, dhe nga segmente të mëdha të të dyja partive politike.
Por siç shpjegon Mekfoll, ky është kryesisht një mit, i projektuar nga Putini për të justifikuar sundimin e tij gjithnjë e më autokratik dhe të personalizuar ndaj popullit të tij. Veprimet amerikane dhe europiane pas Luftës së Ftohtë, nuk ndaluan bashkëpunimin me Rusinë gjatë viteve 1990, pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, apo gjatë 2 viteve të para të administratës së Obamës.
Shtetet e Bashkuara dhe Europa, ofruan miliarda dollarë ndihma për Rusinë, dhe synuan të ndihmonin integrimin e Rusisë në ekonominë botërore. Shtetet e Bashkuara, krijuan sigurinë e pas Luftës së Ftohtë dhe marrëveshjet ekonomike si Këshilli NATO-Rusi, Grupi i Tetë dhe Organizata e Zgjeruar për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për të forcuar lidhjet me Moskën, dhe për t’i dhënë asaj një zë më të madh në këshillat globale.
Dy fuqitë negociuan dhe ratifikuan marrëveshjet e kontrollit të armëve, dhe bashkëpunuan në Afganistan dhe Iran. E gjitha kjo filloi të ndryshojë, pasi Putini u shqetësua për ruajtjen e pushtetit të tij në Moskë. Ai u alarmua nga revolucionet demokratike në Gjeorgji dhe Ukrainë në vitet 2003 dhe 2004.
Por, siç vëren Mekfoll, ishin zgjedhjet parlamentare katastrofike të vitit 2011 në Rusi, ato që patën ndikimin më të madh. Protestat e mëdha kundër parregullsive zgjedhore, dhe kundër kthimit të planifikuar të Putinit në presidencë për një mandat të tretë, çuan në ringjalljen e “argumentit të vjetër sovjetik, si burimi i ri i legjitimitetit” – mbrojtjes së atdheut kundër Perëndimit të lig, dhe veçanërisht të kërcënimeve të perandorisë të SHBA-së.
Përshkrimi i administratës së Obamës si një kërcënim për sigurinë ruse, u duk në fillim i pabuesueshëm, por me konsumatorë të gatshëm në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë, Putin pati sukses. Prandaj afrimi i Trump ndaj Putinit, nuk është një ndryshim aq i madh.
Ai mund të ketë arsyet e tij të veçanta, për të kërkuar një “rivendosje” të raporteve normale me Rusinë, dhe sigurisht që ai ndan qëllimet e përbashkëta me Putinin, ndryshe nga çdo president i shkuar amerikan. Por ai gjithashtu po ndjek një skenar të njohur. Dhjetë vjet më pas, ne nuk po i nxëmë ende leksionet e vërteta të agresionit rus.

/Robert Kagan është anëtar në Institutin Brookings, dhe një kolumnist në “The Washington Post”. Ai është autor i librit të ardhshëm “Rikthimi i xhunglës:Amerika dhe bota jonë e rrezikuar”. /“The Washington Post”/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button