Home / Kryeartikull / Për pushimet e Ramës dhe të Bashës

Për pushimet e Ramës dhe të Bashës

Alfred Peza

Në përpjekje për të mbajtur gjallë temat e debatit politik në Shqipëri, edhe gjatë muajit gusht, mediat por edhe opinionin publik nëpërmjet rrjeteve sociale, jo rrallëherë janë munduar që ta bëjnë këtë edhe nëpërmjet pushimeve të liderëve tanë politik në përgjithësi dhe atij të mazhorancës e opozitës, në veçanti.

E si në lojën e njohur të kungulleshkave, kur nuk ka thelb, gjithnjë qasja për të provokuar debat niset nga të mundet. Mjafton që të gjendet gjithnjë një sebep publik dhe më pas, mjafton të thuash të kundërtën.

Nëse Edi Rama i bën pushimet brenda vendit, Lulzim Bashës i thuhet pse i bën pushimet jashtë Shqipërisë.

Nëse Kryeministri shfaqet çdo verë në plazh, Presidentit të Republikës i thuhet se përse pushon vetëm në male.

Nëse kryeministri shfaqet në plazhet e jugut, do ta akuzojnë se përse nuk bën të njëjtën gjë edhe me plazhet e veriut.

Nëse Edi Rama shfaqet duke notuar në det, do ti thonë se përse po kërkon që të imitojë paraardhësin Sali Berisha, që thyente çdo verë rekordet e veta të qëndrimit në ujë.

Nëse një ditë i pari i qeverisë shkon për tu qethur tek berberi, foto e tij bëhet lajm kombëtar, e problemi më i madh nuk është hiçgjë më shumë sesa bakshishi që nuk paskërkësh dhënë.

Nëse shefi i opozitës kritikon ndonjë punë të pabërë mirë të qeverisë këto kohë, kjo nuk është çështja, por se përse ai i bën kritikat duke qenë me pushime dhe jo duke qëndruar në krye të “punëve” të veta.

E gjithë kjo situatë, më kujton tekstin e famshëm të Faik Konicës: “Këshilla një gazetari”, të cilën mjeshtri i penës e nis me fjalët:

“Në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër.

Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend.

Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.

Ndaj me sa duket, prej më shumë se një shekulli edhe pse Shqipëria ka ndryshuar, zakonet tona nuk ndryshojnë, e qasja jonë kolektive mbetet po ajo. Ndaj, do vazhdojmë e do vazhdojmë çdo gusht, që të luajmë lojën tonë kaq të parapëlqyer për ti vënë bisht çdo gjëje që nuk e ka, dhe për tia hequr, gjithçkaje që mund ta ketë një të tillë.

Ndoshta duke mos u kujtuar asnjëherë ti themi të vërtetat ashtu siç janë. E në këtë rast, Kryeministri ndoshta është mirë të mos bëjë sikur punon, edhe atëherë kur pushon.

Ndërsa kandidatit për kryeministër, të mos i kërkojmë që të punojë, edhe atëherë kur duhet të pushojë. Sepse problemi kryesor nuk është ky. Por fakti se përse ai duket sikur pushon, edhe atëherë kur thotë se është në punë!

Leave a Reply

Your email address will not be published.