Politika

Reforma në Drejtësi, gati Komisioni i posaçëm

Nga Herion Mesi

komision ligjeshSistemi i drejtësisë dhe ai i gjyqësorit janë dy nga çështjet më problematike të kritikuara edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili, në çdo rast, i ka kërkuar shtetit shqiptar që të reformojë sistemin, në mënyrë që ai të jetë i drejtë dhe i pavarur. Dhe për këtë arsye, mazhoranca është e bindur se reformimi i sistemit të drejtësisë në vend duhet të nisë pa humbur kohë. Për këtë arsye, Kuvendi, përmes Komisionit Parlamentar të Ligjeve, si komision përgjegjës, do të nisë javën e ardhshme procedurat për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të realizojë hartimin e draftit përfundimtar të kësaj reforme, i cili më pas do t’u kalohet ligjvënësve për miratim në seancë plenare. Burime nga Komisioni i Ligjeve theksuan dje për gazetën “Shqip” që Komisioni Parlamentar për Reformën në Drejtësi do të konstituohet menjëherë pas përfundimit të tryezës së 6 tetorit në drejtësi, që u thirr nga Presidenti i Republikës, ku gjithashtu, edhe opozita do të ftohet që të marrë pjesë në realizimin e kësaj reforme. Sipas të njëjtave burime, mësohet se data më e mundshme e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve për këtë çështje pritet të jetë të premten e ardhshme, më datë 8 tetor, ku sipas Rregullores, Komisioni do t’i propozojë më pas Kuvendit miratimin e komisionit të posaçëm për reformën.

Reforma

Për reformën në drejtësi, qeveria ngriti një grup pune, pjesë e të cilit ishin ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe deputetë të majtë. Por në Tryezën e Katërt të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri – BE, që u mbajt dje në Tiranë, u shqyrtua mundësia e krijimit të një komisioni të posaçëm për këtë reformë, duke ia lënë në dorë Kuvendit realizimin e saj. Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët dhe të fundit për Stefan Fylen si komisioner i zgjerimit, shprehu vullnetin e qeverisë për reforma gjithëpërfshirëse ashtu siç kërkoi më herët edhe kryeopozitari Basha që të jetë reforma në drejtësi. “Jemi absolutisht të gatshëm, të hapur e mikpritës për opozitën për t’u bërë pjesë e reformës në drejtësi dhe çdo reforme. Ishim përgatitur, ministri i Drejtësisë, kryetari i Komisionit të Ligjeve si dy pjesë të patjetërsueshme të procesit, kishim bërë gati draftin për konferencën për reformën në drejtësi e sapo u njohëm me një nismë të Presidentit, iu drejtuam Presidentit, nuk avancuam me konferencën nga qeveria dhe jemi gati të caktojë ditën që do Presidenti dhe të hapim këtë proces. Për ne ka vetëm një detyrë, opozita nuk duhet të ndiejë për asnjë çast atë që kemi ndier ne kur kemi qenë në opozitë. Përtej kësaj, ne nuk kemi pse të merremi me opozitën, sa i takon pjesës së rregullave të lojës” – tha Rama.

Komisioni i Ligjeve

Avokati i PS-së, Arjan Salati, zgjidhet në Bordin e AMF-së

Komisioni i Ligjeve nisi dje plotësimin e Bordit Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pas ndryshimeve ligjore të muajit korrik, që vendosën riformatimin e organeve drejtuese të institucionit. Në Komisionin e Ligjeve u paraqitën dy kandidatura për vendin vakant në bord, Kestrin Katro dhe Arian Salati. Kestrin Katro sapo ka mbyllur një mandat si anëtare e bordit drejtues të AMF-së, ndërsa Arjan Salati është jurist dhe avokat, i njohur në vitet e fundit si një ndër përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste në çështje zgjedhore. Pas shqyrtimit të të dy kandidaturave, Komisioni votoi kandidaturën e Arjan Salatit, i cili do t’i propozohet edhe Kuvendit për miratim në seancën plenare të së enjtes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button