Home / Ekonomia / OSHEE “zgjidh kuletën” – 294 mln euro investime në 5 vitet e ardhshme

OSHEE “zgjidh kuletën” – 294 mln euro investime në 5 vitet e ardhshme

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të investojë 37.1 miliardë lekë apo 294 milionë euro në 5 vitet e ardhshme në sektorin e furnizimit me energji elektrike. Plani i investimeve të OSHEE i është propozuar Entit Rregullator të Energjisë dhe është miratuar nga bordi përkatës. Vetëm për vitin 2018 janë parashikuar rreth 8.8 miliardë lekë investime që synojnë rritjen e shkallës së sigurisë së furnizimit, zvogëlimin e humbjeve teknike dhe jo teknike, plotësimin dhe modernizimin e sistemit të matjes.

Sipas përfaqësuesve të OSHEE, minimizimi i humbjeve, pas 5 vitesh do të sjellë kursim në rreth 55 milionë euro në vit.

“Konkretisht me një projeksion që kemi bërë për pesëvjeçarin e ardhshëm, parashikojmë të ulet diku me 9.9% humbjet deri në 2021. Ne parashikojmë që kjo ulje e humbjeve në raport me investimin, të jetë që investimi të kthehet brenda 6-6.5 vjetësh, që është një normë shumë e mirë. Se investimet ndahen në investime për mirëmbajtje, për mbajtjne e nivelit të humbjeve, dhe investime për reduktimin e nivelit të humbjeve. Ne i kemi bërë llogaritë që reduktimi i humbjeve me 10% ne na kursen diku tek 50-55 mln euro në vit, pas pesë vjetëve”, u shpreh Ceno Klosi, Drejtor Ekonomik në OSHEE.

Po të analizojmë grafikun e investimeve në këtë 5 vjeçar, duket se investimet më të larta janë parashikuar për këtë vit, si dhe edhe në vitin 2020 është parashikuar një vlerë e lartë prej 8.4 miliardë lekësh. Ndërsa viti më me pak investime është 2022, ku plani është që të shpenzohen 4.7 miliardë lekë.

Investimet e OSHEE 2018-2022

  • Viti 2018 8.8 mld lekë
  • Viti 2019  7.7  mld lekë
  • Viti 2020 8.4 mld lekë
  • Viti 2021 7.5 mld lekë
  • Viti 2022  4.7 mld lekë

Leave a Reply

Your email address will not be published.