Kronika

Arrestimi i Begos, Policia: Nuk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar

Pas debateve të krijuara nga arrestimi i shtetasit Edmond Bego në Greqi, ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Shtetit e cila sqaron se Bego nuk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar e as kombëtar dhe se është liruar nga burgu në vitin 2011.

Sipas Policisë së Shtetit, Bego ka shkuar në mënyrë të përsëritur në Greqi dhe Itali.

Duke ju referuar sistemit TIMS, Policia e Shtetit bën me dije se Bego ka shkuar 3 herë në Itali, në vitin 2017.

Sipas policisë, Bego u arrestua në vitin 2009, ndërsa në vitin 2010 u dënua me 4.4 vite burg. Nga këto ai bëri vetëm 1 vit e 11 muaj burg, ndërsa pjesa tjetër iu konvertua në liri me kusht.

Reagimi i plotë i Policisë së Shtetit

Për dy ditë me radhë ka një debat publik, lidhur me ndalimin e shtetasit Edmond Bego në Greqi. Pas verifikimeve të kryera, Policia e Shtetit sqaron se në dosjen e Kërkimit dhe Arshivës së Interpolit, shtetasi shqiptar Edmond Bego, alias Manoli Bego, alias Sajmir Sina, alias Belul Gjatari, alias Mond Bega, 48 vjeç, nuk është në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar nga autoritetet policore shqiptare për llogari të ndonjë shteti tjetër.

Sqarojmë se më herët, shtetasi Bego është arrestuar në datë 24 dhjetor 2009 në Tiranë për llogari të drejtësisë në Itali, me urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar në vitin 2009, nga Gjykata e Apelit të Torinos.

Nga Prokuroria e Përgjithshme në datë 11 shkurt 2010 në Policinë e Shtetit ka ardhur kërkesa për njohje e vendimit penal italian nr. 1735, datë 22 prill 2008, i formës së prerë të vitit 2009 dhënë nga Gjykata e Apelit Torino, Itali.

Me vendimin nr. 807, datë 15 shtator 2010, Gjykata e Lartë në Shqipëri ka bërë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ka dënuar përfundimisht me 4.4 vite burg këtë shtetas. Ai është liruar nga burgu në 24 nëntor 2011, pasi ka vuajtur rreth 1 vit e 11 muaj burgim, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, e cila mbi bazën e kërkesës së të dënuarit ia konvertoi pjesën e mbetur prej 1.8 vitesh burgim, në liri me kusht. Pas këtij vendimi, Policia e Shtetit nuk ka asnjë mundësi tjetër veprimi.

Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, shtetasi në fjalë ka dalje dhe hyrje nga territori shqiptar nga vitet 2013 deri në vitin 2018, edhe drejt Italisë. Ai në territorin italian ka hyrë 3 herë në vitin 2017, dhe në datë 13 korrik në vitin 2018. Bego në datë 8 gusht 2018 ka dalë nga PKK Qafë Botë drejt territorit grek, siç ka bërë edhe më herët në vitet 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018, në disa raste në mënyrë të përsëritur.

Pra, për këtë shtetas nuk ka patur asnjë urdhër tjetër ndalimi ndërkombëtar, përveç urdhërit të ndalimit të ekzekutuar nga Policia e Shtetit në vitin 2009, që do të vinte në lëvizje Interpol Tiranën dhe Policinë e Shtetit, apo ndonjë kërkesë nga autoritetet italiane dhe misionet e tyre policore në Tiranë, ndryshe nga sa u deklarua nga subjekti politik Partia Demokratike.

Policia e Shtetit apelon çdokënd t’i drejtohet asaj për informacion të saktë dhe zyrtar, duke shmangur keqpërdorimet për interesa politike të ditës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button