Opinion

Pu-Pu-Pu, për pak xheç kërkuam falje!

PELLUMB KULLA

E çuditshme!

Një ish kongresmen amerikan, nxiton ta shpëtojë Tepelenën nga njolla e turpit që e kërcënon atë prej një veprimtarie memorialistike sic është Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave te Totalitarizmit. I shqetësuar më shumë sec i takon një amerikani, ai i shkruan kryebashkiakut të qytetit, që të nxitojë e të heqë nofkën e simbolikës të diktaturës. Zoti Dioguardi nuk thotë se ku në Shqipëri duhet zhvilluar kjo veprimtari. Bile ka të ngjarë që për çdo qytet ai të ketë gati nga një letër për të parin e vendit, se që të gjithë qytetet kanë histori traditash luftarake e patriotike që i ndjellin  emocione pozitive ish politikanit nga Nju Jorku.

Shkurt zoti Dioguardi mendon se veprimtaria nuk duhet bërë fare! Për të ky vend, që ai thotë se e njeh mirë nga ç’i ka treguar Ramiz Alia, nuk ka patur fare vuajtje dhe persekutime të padrejta.

Është një letër që kutërbon folklor të gjallë. Ai i tregon zotit Peçi, kryetarit të bashkisë së Tepelenës prejardhjen e vet arbëreshe dhe duket sikur e bën me dije të zotin e shtëpisë se çfarë përfaqëson Tepelena e Ali Pashës, a më e pakta, jep një provim historie përpara tij.

Zoti Peci do ta ketë kuptuar me të parën, se miku nga Amerika është shqiptar dhe as do ta kish pikën e dyshimit ngaqë ndërhyrja nuk kishte asnjë profum amerikan. Ndërhyrje më shqiptare nga kjo nuk kishte se si të bëhej ngaqë vjen dhe ai e i fryn një zjarri banal, që ca historianë dhe ca gazetarë me medaljonin e Mehmet Shehut në qafë e kanë ndezur mirë.

Tashmë dihet se fjala nuk është për Tepelenën, për merakun se i ngarkohet krahinës, apo qytetit përfaqësimi i diktaturës dhe persekucionit. Metaforat dhe krahasimet me gjenocide të tjera në histori dhe në glob, janë spekullime.

Zhurma e madhe nuk është veçse forcimi i teorive të liga të përçarjes jugë-veri, ku ca figura politikanësh kanë investuar mjaft për këtë. Është brengosëse nëse kjo përpjekje qëllimkeqe nuk vihet re.

Po më brengosëse nga të tëra është nevoja që ndjehet për asgjësimin e kujtesës. Çnjerëzore është fushata histerike e zbutjes  dhe përligjjes së kalvarit njerëzor të të pafajshmëve, kujtesa e të cilëve asfiksohet, mbytet, me synimin për ta fundosur përgjithnjë.

Përse hidhet një top në fushë e tërë sulen pas tij? Tepelena, Dibra, apo Tropoja duke qenë pjesë të Shqipërisë, nuk janë vetë Shqipëria! Përse ngrihet kjo tymnajë, ku njerëzit nxitojnë ta davaritin, sepse një qyteti i faturohet padrejtësisht ferri i diktaturës dhe i persekutimit, si krahina më e zellshme për të bërë të vuajnë ata që është dashur të vuajnë. Si çdo krahinë e vendit ajo ka të mirët dhe të liqtë e saj dhe askush nuk njësohet me krahinën dhe me natyrën. Tepelenasi trim nuk i vesh me trimëri të gjithë vendasit që jetojnë rreth e qark tij, ashtu siç nuk janë të besës të gjithë tropojanët pa përjashtim, dhe bujaria e një dibrani nuk e bën po aq bujar fqinjin e tij

Qysh vallë nuk na u nda ky ves përfaqësimi që ne e aplikojmë në gjithëcka. Ne na bën të krenohemi Skëndërbeu por nuk pretendojmë të jemi po aq trima luftëtarë si ai. Humanistja me famë botërore Nënë Tereza nuk na mbulon dot të gjithëve me veprën e saj. Enveri dhe Gonxhe Bojaxhi, që të dy shqiptarë, nuk kanë asgjë që i lidh me njëri tjetrin veç faktit të turpshëm që ai e quajti shenjtoren, spiune të të huajve dhe e shoqja e tij e priti me nderime dhe e shoqëroi tek varri i tij.

Por asnjëri prej të dyve nuk i përfaqëson shqiptarët.

Aty në letrën që përmenda, Dioguardi  duket sikur reciton shprehjen e stërthënë për veprën e madhe të popullit shqiptar në mbrojtje të hebrejve. Këtë ai thotë se e dëgjoj për herë të parë nga Alia, i cili nuk mund ta thoshte ndryshe. Ai dhe udhërrëfyesi i tij parardhës, por edhe tek tuk ndonjë shkrimtar i njohur, e kanë trajtuar popullin shqiptar sikur ai të ishte një personazh. Nuk përfytyrohet një imazh biblik që populli shqiptar të mblidhej mizëri në një fushë pa fund dhe të vendoste unanimisht që t’i trajtonte hebrejtë e përndjekur me zëmërbardhësi. Teorinë përfaqësuese udhëheqësi i fundit komunist e përdor si dhunti të të gjithë popullit. Dhe këtë e bën për të fshehur aktin e madh të Mustafa Krujës me shokë që morën vendimin dhe organizuan transportin për futjen e hebrejve në truallin shqiptar.

Populli ynë që priti hebrejtë nuk ishte aq zemërmadh nja dy-tre vjet më vonë, me fëmijët dhe pleqtë krejtësisht të pafajshëm të internuar, në Krujë, Tepelenë dhe fushat kënetore të Myzeqesë. Pa dyshim janë të shumta rastet e qëndrimit human e ndihmës të pakursyer të tepelenasve apo kruetanëve, por këto ishin vepra fisnike jo aq të shpeshta, që sillnin risk dhe nuk ishin të para me sy të mirë nga autoritetet. Ku shkoi pra ai virtut kolektiv i rastit të hebrejve. Mos vallë ai shfaqet kur vihet re që bamirësia nuk të sjell telashe?

Një kongresmen amerikan mund të bënte më shumë.

Unë nuk di që ai të ketë marrë ndonjë inisiativë në favor të Shqipërisë, në ato pak vite që ishte anëtar i kongresit. Ai duhet të jetë i ndërgjegjshëm që vendi i të parëve të tij ka qenë vendi më i egër stalinist i Europës, i rrethuar, jo metaforikisht, me 25 fije telash me gjemba.

Duhet të dijë se është i vetmi vend ku dosjet mbahen ende të kyçura për shantazhe, nevoja që u lindin pushtetarëve bashkëkohorë të Shqipërisë paskomuniste. Si amerikan duhet të dijë se nostalgjia komuniste ka arritur nivele të llahtarshme dhe ku kujtesës historike, enveristët i kanë vënë thonjtë në fyt.

Shkurt unë mendoj se një veprimtarit amerikan, që pëlqen të gjendet shpesh mes shqiptarësh dhe sidomos mes politikanësh, unë do t’i këshilloja të lerë për ca kohë historinë e Skënderbeut, Ali Pashës dhe hebrejve dhe le të mësojë më mirë historinë e këtyre viteve të fundit.

*     *     *

Më ka mbetur në kokë tregimi i një njeriu tim të afërt, nga ata njerëz për të cilët gënjeshtra, fantazia dhe krijimtaria letrare qenë të pakuptimta. Ai u burgos kur qe 17 vjeç bëri 22 vjet burg dhe po aq vite të tjerë i kaloi nëpër shtretër të sëmurësh, deri sa vdiq në moshën 61 vjeçare.

E kishin dërguar në kampin e të burgosurve të Thumanës…

“Punonim, – tregonte ai, – në baltën e kënetës. Për këtë duhet të shkelnim me kujdes mbi dërrasa, që i merrnim me vete. I hiqnim nga stiva që kishim në oborrin e kampit dhe pas punës i kthenim ato prapë në stivë. Nuk i linim në kënetë, se thoshin që mund të na i vidhnin fshatarët e atyre anëve. Kur i kthenim, dërrasat i ndjenim shumë më të rënda, ngaqë gjithë ditën ato thithnin ujin e kënetës, po edhe ngaqë ishim shumë më të rraskapitur. Një pasdite, ndërsa ktheheshim, një shoku ynë e ndjeu veten keq. Ia tha këtë gjë policit, por ai nuk ia vuri veshin. I gjori qe bërë i verdhë dyllë dhe volli disa herë, ashtu, me dërrasën mbi kurriz. Më në fund e flaku atë. Kryepunëtori, i burgosur dhe ai, e kallëzoi tek polici. Ky se si u ndodh në ato çaste dhe ia ktheu kryepunëtorit me inat: “E hodhi ai, merre ti!” Gjatë rrugës shoku i sëmurë volli disa herë të tjera dhe ne, të ngarkuar siç ishim, nuk e ndihmonim dot, e ai mbeti në bisht të kollonës… Hymë në oborrin e kampit dhe shpumë dërrasat në vendin e caktuar. E pamë shokun e sëmurë kur hyri në sheshin e kampit dhe u drejtua për nga vargu i nevojtoreve, që s’ishin veçse nja njëzet kabina të ndyra, pa dyer, në fund të oborrit. I sëmuri nuk pati fuqi të arrinte deri te nevojtoret. U përmbys në mes të sheshit e nuk lëvizi hiç. Ne kishim mbetur pa gojë e po e vështronim që nga stiva. Njoftuan doktorin. Ky vajti atje dhe pasi e vizitoi hapi krahët e dha shënjë se i burgosuri kish mbaruar. Ne kishim ngrirë te stiva. Doktori u largua dhe të ziut iu afruan dy roja. Ata pa u përkulur hiç, me tabanët e çizmeve e rrotulluan si ndonjë qilim kutullaç dhe e shpunë deri buzë gropave të zbuluara prapa nevojtoreve. Aty e shtynë, të mjerin njeri, brenda ndotjeve. Dhe e lanë atje. Ky ishte varrimi i tij… “

Tregimi ishte tronditës, por vërtetësisë së tij unë i ve firmën poshtë. Mbetet që të tjerë të burgosur të Thumanës, në se jetojnë, le të firmosin tok me mua, që nuk kam qenë aty. Dhe jam i bindur se ky është një nga tregimet më të zakonshëm e më pak të dhimbshëm, nga ata që ende nuk janë shkruar e thënë nga realiteti nazist i Shqipërisë.

Këto janë monstruozitete njësoj si ata milionat e hebrejve që u dërguan në furra dhe u shfarrosën. Milionat janë vetëm shifra, mëkati është i njëjtë.

Në muajt dhe vitet e para të përmbysjes, përjetimet ishin të ndryshme. Mëkatarët ishin në ankth. Të nëpërkëmburit nuk u besonin syve dhe veshëve. Një shoqëri e re po premtohej në Shqipëri. Njerëzit filluan t’i bënin gjyqin vetes dhe po bëheshin gati ta shpërfaqnin këtë në dritë të diellit, të kërkonin ndjesë dhe të dilnin ballëhapur në një sfidë të re.

Mjerisht institucioni i rrëfimit dhe i pendimit nuk pati jetë.

Edhe nëse disi me droje, dëshira për rrëfim u vu re tek individë të veçantë, shteti dhe partitë nuk e kanë analizuar akoma të kaluarën diktatoriale në mënyrë kritike. Deri më sot, asnjëra nga partitë nuk ka formuluar një dokument bazë, një rezolutë apo një traktat analitik. Në kongresin, ku Partisë së Punës i vunë përsipër kapakun e mermertë, në qershor 1991, ish anëtari i Komitetit Qendror, Dritëro Agolli bëri një analizë të hapur, të ashpër e pa doreza, që ia pritën me klithma çjerrëse dhe ofshama urrejtje. Megjithatë kjo mbetet analiza, kritika dhe autokritika më publike e regjimit. Ajo qe krejtësisht një formulim personal, por si duket partia e tij megjithse me turmën më të madhe të antarëve për pak e linçoi poetin tonë të shquar, ashtu si heshturazi, po e quan autokritikën partiake dhe të bërë dhe të pabërë. Të bërë, meqënëse mikrofoni nga u lexuan hollësitë e autopsisë, ishte i tribunës së saj dhe nuk iu mbyll folësit asnjëherë. Të pabërë, meqë ulurimat e nderonin historinë e partisë. Edhe partitë e tjera, që si rastësisht, u gjendën të udhëhequra nga ish komunistë e bij komunistësh jo të pa rëndësishëm, ndihen të përfaqësuar nga mea culpa që formuloi anëtari i Komitetit Qendror të PPSh, Dritëro Agolli. E kaq!

Ishte një moment historik me rëndësi. Nëse kish një platformë shndërrimesh të vështira, kjo nuk do të thotë që zbatimi ish po aq i lehtë sa edhe hartimi i saj. Masën e shumtë të komunistëve askush nuk e informoi mbi rrugën që do të ndiqej dhe sidomos sa rrënjësore do të qenë përmbysjet. Hutimi dhe pasiguria ishin të natyrshme, pamjet e përditëshme ishin të reja dhe tronditëse për sytë e tyre. Këtu ndihmuan dhe inskenimet e Perëndimit të Zotave: rrëzimi i Shtatores, zhvarrosjet e kryekrerëve të regjimit, arrestimet e së vesë të diktatorit dhe të Byrosë Politike, (që ngjarjet më pas treguan që në vend t’u vinin për proteksion badigardë u dhanë gardianë burgu). Ishin pamje që të godisnin syrin. Ato godisnin me efekt sytë e të gjithëve: të të përvuajturve, të komunistëve fanatikë dhe të atyre pragmatikë, të policëve, të gjyqtarëve, të vetë ideatorve të spektaklit, si atyre që ishin të prangosur, dhe atyre që i kishin prangosur! Ishin pamje, tronditëse, sokëllitëse, nga ato që ndodhnin a s’ndodhin në njëmijë vjet një herë!

Por si të gjithë inskenimet, kur nuk bëhen brenda mureve të teatrit, sjellin përftim tepër të rëndë. U shpall kështu vetvetiu hyrja në Erën e Re të Mashtrimeve të Mëdha. Ritrimërimi i tërë llojeve të mëkatarëve, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, mori jetë. Shtresat e persekutuara nga komunizmi patën gjynahun që të kujtonin e të silleshin si fitimtarë kur në të vërtetë Përmbysja e Zotave nuk ishte veçse dhurata e krishtlindjeve të atij viti të paharruar 1990, që Perëndimi u a shfaqi para syve të tyre të etur, si atë që në teatrin mesjetar do të quhej një shfaqje Miracle. Por nuk u dha atyre asnjë rol, se nuk e meritonin. Vetëm vuajtja, persekutimi dhe diskriminimi, sado të përmasave të mëdha, nuk janë as meritë dhe as bazë për ngadhnjim. Gëzimi i tyre i natyrshëm nga kjo fitore e rremë, nuk e mbushi aspak humnerën e thellë të çarjes për të cilën patën punuar bolshevikët shqiptarë për 50 vjet rresht. Përkundrazi! I vetëndjeri prej fitimtarësh, prej të qënurish në pushtet, që shfaqnin të drobiturit e kampeve dhe fushave të internimit, ua shtoi më shumë neverinë ish persekutorëve të tyre dhe e largoi përgjithnjë rrëfimin dhe ndjesën.

Ringritja e mëkatarve tani, në vitin e njëzetetë të kapitullimit komunist është marramendëse. Ripozicionimi i ri në politikë dhe pasurim është më lart se fantazia! Më e bukur se ëndrra! Tani ata buzëqeshin me tallje ndaj vetes, kur kujtojnë se për pak u rrëfyen. Pastaj qeshin, i thonë dhe i shfryjnë vetvetes: “Uh, për pak u bëmë qesharakë! Për pak u penduam!”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button