Politika

Reformat e kënaqshme të Shqipërisë, argumente për të bindur vendet anëtare

 “Shqipëria ka ndërmarrë reforma të kënaqshme, si reforma në drejtësi dhe këto janë argumente të rëndësishme për ne, për Gjermaninë, që të bindim edhe 27 vendet anëtare të BE-së”.

Kështu deklaroi sot në Tiranë, deputeti i SPD Gjermane, Josip Juratovic. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në Kryesinë e Kuvendit dy deputetët e SPD Gjermane, Josip Juratovic dhe Dr. Martin Roseman.

Juratovic tha se misioni ynë në Shqipëri këtë herë ka një karakter rajonal. “Po zhvillojmë një tur që e filluam me Tiranën dhe do ta vijojmë me Pogradecin, Shkupin dhe Prishtinën për të krijuar një imazh tonin lidhur me zhvillimet në vend”, tha ai.

Për ne, tha Juratovic, është e rëndësishme që të sjellim elementë pozitivë të cilët më vonë do t’i përdorim si argumente pozitivë dhe bindës në kuadrin e procesit të anëtarësimit për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Unë vetë përfaqësoj perspektivën se ky është një proces që duhet të fillojë shpejt, por edhe jam mbështetës i tezës se: çelje nuk do të thotë mbyllje, reformat duhet të vijojnë”, tha ai.

Deputeti i Bundestagut gjerman përshëndeti po ashtu edhe mesazhin që përcolli ministri gjerman për Europën, Michael Roth, sipas së cilit: “Shqipëria dhe rajoni janë një oborr i brendshëm i Europës dhe në këtë këndvështrim janë pjesë e Europës.

“Ne si grupe parlamentare jemi maksimalisht të angazhuar për marrjen e vendimeve pozitive që ky vend dhe rajoni të anëtarësohen në BE dhe të jenë pjesë e kësaj familje. Natyrisht që ka edhe gjëra për t’u kritikuar, por mesazhi që ne do të përcjellim jashtë për të bindur qytetarët tonë për pozitivitetin që ekziston dhe rezultatet pozitive që ka arritur vendi. Përmes këtyre mesazheve pozitive të kemi mundësi të shmangim edhe aspektet negative që janë për t’u kritikuar”, tha ai.

Ndërsa Balla theksoi e informoi delegacionin mbi punën e kryer gjatë muajit korrik dhe gusht që ka të bëjë me procesin e screening, një proces sa teknik, por me një rëndësi të madhe.

“Ky është një delegacion me një numër të madh anëtarësh të kryesuar nga dy deputetë të Bundestagut gjerman. Fokusi i bisedës është rruga e skicuar nga Bashkimi Europian në procesin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë”, tha Balla.

Për ne është e rëndësishme, tha Balla, që “rrezja e influencës së Bashkimit Europian të shtrihet në të gjitha themelet e funksionimit të institucioneve shqiptare”.

Lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi, Balla tha se procesi i Vetingut është i rëndësishëm po të kemi parasysh se nga 76 përfaqësues të sistemit të drejtësisë që kanë kaluar në sitën e Vetingut, më shumë se gjysma nuk e ka kaluar atë.

“Kjo tregon se sa i thellë ka qenë korrupsioni dhe problemet e lidhjeve me botën kriminale brenda sistemit të drejtësisë”, tha Balla.

Ai vlerësoi rëndësinë e rolit të opozitës në procesin e integrimit, ndërsa bëri thirrje që opozita të votojë ligjin për shkollën e magjistraturës që do të ndihmojë në mbushjen e  vendeve vakante në sistemin e drejtësisë për shkak të largimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

“Ne urojmë që opozita të jetë tërësisht ndryshe nga ajo në dy sesionet e shkuara kuvendore”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button