Opinion

Pranvera e Pragës “përndjek” ende Europën

Një ushtri tankesh pushton rrugët e Pragës, xhevahirit të kryeqyteteve evropiane. Një lëvizje politike refomiste paqësore, u shtyp. Udhëheqësit e një kombi u rrëzuan nën presionin e Moskës, dhe u detyruan të mohonin idealet e tyre njerëzore. Pesëdhjetë vjet më parë në Çekosllovaki, gushti ishte çdo gjë tjetër përveçse një muaj i qetë veror.

Mbrëmjen e 20 gushtit 1968, pothuajse gjysmë milionë ushtarë të Paktit të Varshavës, mësynë në Çekosllovaki për të shtypur Pranverën e Pragës – një përpjekje e udhëheqësve komunistë të reformuar, të udhëhequr nga Aleksandër Dubçek, për të sjellë ndryshime liberale në vendin e tyre. Disa trupa ishin nga Bullgaria, Gjermania Lindore, Hungaria dhe Polonia. Por shumica ishin nga Bashkimi Sovjetik.

Linja zyrtare e Kremlinit, ishte se pushtuesit po i jepnin “ndihmë vëllazërore” një aleati të “kampit socialist”, që ishte në rrezik kapitullimi ndaj kundër-revolucionit. Por ndërsa ushtarët e rinj rusë morën kontrollin e Pragës dhe Bratislavës, ata u habitën teksa dëgjonin tallje dhe klithma proteste nga çekët dhe sllovakët e zakonshëm, që këndonin në korr:”Ivan, kthehu në shtëpi!”.

Për shumë qytetarë të rinj të Republikës Çeke dhe Sllovakisë, të cilët vendosën të ndahen midis tyre në vitin 1993, ngjarjet e trazuara të pranverës 8-mujore të Pragës, i përkasin një epoke të largët, që mezi mbahet mend. Ajo ngjarje mësohet në librat e historisë në shkollë, por ndoshta rezonoi më pak për çekët dhe sllovakët, se sa lufta e Vietnamit për amerikanët, apo lëvizja gati revolucionare e majit të 1968-ës për francezët.

Pranvera e Pragës duket sot e largët, pasi ambienti gjeopolitik në të cilin ajo ndodhi është zhdukur prej kohësh. Në vitin 1968, Lufta e Ftohtë e ndau Europën më dysh. Gjysma e saj lindore u dobësua nga komunizmi – një sistem shtypës, i zymtë i qeverisjes së importuar nga Moska në vitet 1940, që do të durohej edhe për 21 vjet të tjera.

Në ditët e sotme, shtetet çeke dhe sllovake të rilindura janë demokraci të pavarura, gjithnjë e më të begata dhe anëtare të NATO-s dhe BE. Megjithatë, ka ende leksione për t’u nxënë nga Pranvera e Pragës. E para është se ideologjitë doktrinare dhe praktikat politike, qoftë komunizmi i stilit të viteve 1960-ës, apo dogmat intolerante të së djathtës dhe të majtës radikale të sotme, përmbajnë edhe farat e rënies së tyre.

Ato propozojnë zgjidhje jo të përshtatshme për problemet komplekse të shoqërive moderne. Ato sulmojnë kritikët, tallen me ekspertët dhe degradojnë arsyen. Duke vepruar kështu, krijojnë paaftësi ekonomike, tension social dhe pakënaqësi politike.

Mësimi i dytë është se etja njerëzore për të drejta politike, drejtësi dhe lirinë kombëtare, është e padiskutueshme. Kjo u shfaq gjatë gjithë epokës komuniste: Berlinin Lindor në vitin 1953, Budapestin e 1956-ës, Pragën e 1968-ës, Gdanskun e vitit 1980, dhe shtetet balltike në vitet 1988-1991.

Patriotizmi i çekëve dhe i sllovakëve, është më qytetar se sa nacionalist në natyrën e tij. Por rifitimi i pavarësisë, është një nga përfitimet e tyre më të çmuara të vitit 1989. Mësimi i tretë është se lufta politike nuk duhet të zhvillohet, si në shumicën e botës së sotme, me gjuhën e rrjeteve sociale.

Në vitin 1968, Dubçek kishte një buzëqeshje të përhershme në fytyrën e tij, dhe kremtoi dinjitetin e individit. Ai mund të fajësohet për besimin naiv, se komunizmi ishte i reformueshëm. Por ai qeshi i fundit, kur u kthye në një hero të mirëpritur në sheshin Vençesllas pas triumfit të Revolucionit të Kadifejtë të vitit 1989.

Këto tre mësime janë të rëndësishme, për shkak të rikthimit të peizazhit politik të perëndimit gjatë dekadës së kaluar. Liberalizimi është në tërheqje, sundimi i ligjit gjendet i kërcënuar, dhe populizmi kombëtar është në rritje. Mosmarrëveshja transatlantike po minon NATO-n.

BE-ja nuk ka unitet, vullnet politik dhe as ide të mira.

Në disa kryeqytete, frenat e pushtetit qëndrojnë në duart e forcave të fshehta, manipuluese apo të demagogëve abuzivë dhe të çmendur. Republika Çeke dhe Sllovakia, nuk janë të imunizuara ndaj atmoefera e zymtë që përhapet nëpër Europën Qendrore, dhe botën më të gjerë perëndimore.

Demokracia çeke është e gjallë, por e frakturuar. Në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, një parti e djathtë ekstreme e lidhur me rusët, hyri në parlament për herë të parë pasi mori 10.6 për qind të votave. Presidenti çek Millosh Zeman, është më miqësor me Moskën sesa me Brukselin. Kryeministri Andrej Babis, është një biznesmen miliarder, stili populist dhe telashet e tij me ligjin të kujtojnë presidentit amerikan Donald Trump apo ish-kryeministrin italian Silvio Berluskoni.

Në Sllovaki, publiku shfaq tendencat më të theksuara pro-ruse, se në çdo vend tjetër të Europën Qendrore. Por ishte vrasja në shkurt të këtij vitit e gazetarit investigativ Jan Kuçiak dhe të fejuarës së tij, ato që zbuluan diçka të kalbur në këtë shtet. Krimi nxiti protesta publike, dhe dorëheqjet e kryeministrit Robert Fiko dhe ministrit të tij të Brendshëm.

Fiko nuk u largua nga detyrua, pa huazuar një fletë nga “manuali” i kryeministrit hungarez Viktor Orban, duke lënë gjurmë të errëta në lidhje me ndikimin të supozuar keqdashës në Sllovaki të Xhorxh Sorosit, financierit dhe filantropistit të njohur amerikan të lindur në Hungari.

Së bashku me Hungarinë dhe Poloninë, çekët dhe sllovakët i përkasin Katërshes së Vishegradit, një grupim i rëndësishëm rajonal.

Në kryeqytetet e Europës Perëndimore kjo katërshe dyshohet se kujdeset shumë pak për vlerat e BE-së. Për çekët dhe sllovakët, ky kuartet shihet si një prirje e rrezikshme. Duke pasur parasysh madhësinë e vogël dhe vendndodhjen gjeografike të shteteve të tyre, duhet të jetë një interes thelbësor kombëtar për të dyja, mos dalja nga rrjedha kryesore evropiane. Ky ishte tek e fundit edhe ideali në zemër të Pranverës së Pragës. / Burimi: “FT”/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button