Home / Intervista / “Rama, burrështetas i dështuar, mësoi si sundohet populli, por jo vetja”

“Rama, burrështetas i dështuar, mësoi si sundohet populli, por jo vetja”

Bisedoi: Entela Resuli

Gazeta DITA/18 gusht 2018/

Kim Mehmeti është i njohur si shkrimtar, romancier, tregimtar, eseist, publicist dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Ai është një njohës i mirë i mentalitetit njerëzor, i realitetit dhe aktualitetit në Shqipëri.

Përpara se Edi Rama të vinte në pushtet, ai ka qenë një nga mbështetësit kryesor të tij dhe shpesh e ka quajtur atë një mendje të mençur që i duhet Shqipërisë.

Por gjatë këtyre viteve të Ramës kryeministër, ai ka njohur një tjetër personazh, krejt ndryshe nga ç’ka pretenduar më parë.

Në këtë intervistë për Dita-n, Kim Mehmeti i bën një analizë të thellë, se çfarë ka ndodhur me Edi Ramën këto kohë. Si po e qeveris ai vendin dhe pse është një burrështetas i dështuar.

“Ligësinë njerëzore mund ta zbulosh pasi individi të bëhet i pasur dhe i pushtetshëm. Kështu që nuk kisha si ta shpalosja ligësinë e Edi Ramës përderisa ai ishte i mirë me të gjithë që mund ta ndihmonin të ngjitej atje ku synonte: ta mposhtë popullin e vet dhe ata që i kishin besuar. Po, ligësia e tij si njeri është ajo që sot më bën ta konsideroj si burrështetas të dështuar dhe si politikan të cilit nuk duhet besuar”.

Mehmeti bën edhe një përkufizim të asaj se çfarë ndodh kur shkëputesh nga realiteti, gjë të cilën sipas tij i ka ndodhur edhe Ramës.

“Siç duket ai prej moti është shkëputur nga realiteti në të cilin jetoni dhe është shpërngulur në botën e tij imagjinare duke besuar se po të mos ishte ai çdo gjë do shkonte “në të s’ëmës”.

Nuk ishte e lehtë të bënim një bisedë me Mehmetin në këtë kohë edhe pse periudhë pushimesh, por ia dolëm dhe në mos shumë, ca të vërteta që mund të na duken të hidhura, na i tha…

-Zoti Mehmeti, faleminderit që pranuat të bënim këtë bisedë bashkë. Jemi në periudhë pushimesh, po ju a po pushoni dhe cili është vendi që keni zgjedhur?

Ka vite që Ulqini dhe Velipoja janë vendet ku i kaloj pushimet. Ndjehem mirë kur e shoh bregdetin shqiptar të stërmbushur me pushues, edhe pse shpeshherë, ai bregdet të duket si i lënë në mëshirën e atyre, të cilët, sikur të mundeshin, edhe diellin do e lidhnin me tel dhe do e kallnin e do e fiknin sipas dëshirës së vet dhe kuptohet, do e linin të rrezatonte vetëm mbi pushuesit që kanë paguar për çadrat e tyre!

Sidoqoftë, edhe unë, si gjithë shqiptarët e tjerë edhe gjatë pushimeve të sivjetme, rrija nën çadrën time, por merresha me shitësit e misrave të pjekur që grindeshin mes veti, njësoj si edhe pushuesit e njërës çadër, me ata të çadrës fqinje! Dhe gjithmonë, shkak i grindjes ishte ‘territori’ i ‘pushtuar’ nga tjetri! Me çka ke përshtypjen se, o ne shqiptarët jemi bërë shumë grindavecë, o toka e qielli, nuk na japin aq sa na takon, e aq sa duam!

Dhe ka diçka që sivjet e kam vërejtur edhe përtej lumit Buna, te Plazhi i Madh i Ulqinit edhe këtej, te plazhi i Velipojës: pushues më të shumtë në numër janë mërgimtarët shqiptarë. E kur jemi te mërgimtarët tanë, bie në sy se thuajse nuk dëgjon prind shqiptarë të ardhur nga Perëndimi që fëmijëve të vet t’u drejtohet shqip. Që do të thotë se mbase kanë filluar të turpërohen nga vetvetja dhe duan rrejshëm të tregohen si pjesëtarë të popullit të shtetit nga vijnë.

Po pra ka shumëçka që i bën të ngjashme këto dy plazhe ku thuajse çdo vit i kaloj pushimet, e që në të vërtet janë një, por si shumëçka e jona, që ka në mes ndonjë ‘lum’, që shqiptarët i ndanë nga shqiptarët! Dhe ku njerëzit nuk ia dalin ta kuptojnë se ne s’mund të jemi as pronarë të plazhit, e as të detit, por mund t’i gëzohemi pronës më të shtrenjtë që na takon: lindjes së radhës së diellit, që nuk do përsëritet kurrë më në jetën tonë!

-Është vera një periudhë frymëzuese për ju në krijimtari?

Vera është stina kur më braktis krijuesi në mua dhe kur të gjitha i merr në duar lexuesi. Kurrë derë më tani nuk kam shkruar asnjë rresht letrar gjatë verës. Por gjatë kësaj stine i lexoj thuajse të gjitha librat që i kam grumbulluar brenda vitit. Kurrë nuk e kam kuptuar pse ndodh kjo, por ja, mbetet e vërteta se ‘krijuesi’ dhe ‘lexuesi’ në mua i kanë të ndara stinët që u takojnë: krijuesit vjeshta dhe dimri, lexuesit pranvera dhe vera.

-Edhe pse jemi në një moment pushimesh duket se situata është tejet e nxehtë me debate në hapësirën shqiptare. Ndoshta është një pyetje e gjerë, por në mënyrë të përmbledhur, çfarë po ndodh me shqiptarët, këtu e kam, fjalën me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, por dhe shqiptarët në trevat e tjera?

v

Kim Mehmeti

Shqiptarët kudo që janë, vazhdojnë ta ndajnë fatin e vëllazërisë së ndarë. Si dhe fatin e popullit të vogël e të vetmuar në këtë Ballkan. Pra ne jetojmë në plasaritjen që ndan ëndrrën për t’u bashkuar dhe iluzionit se do vijë dita kur ‘të mëdhenjtë’ e kësaj bote, dhe ata që i definojnë kufijtë e shteteve që nuk kanë forcë ta mbrojnë vetveten, do na marrin për dore dhe do na mundësojnë t’i realizojmë të gjitha ambiciet kolektive. Mbase shpesh na ndodh që kjo ëndërr dhe ky iluzion të na e mjegullojë shikimin sa të mos shohim se askush nuk ta jep atë që nuk din ta marrësh dhe se kjo botë, nuk mbështetet mbi shtyllat e drejtësisë, por mbi ato të mençurisë, forcës dhe pasurisë.

Ne pra jemi popull i ‘vetmuar’ në Ballkan dhe me shekuj, ndershëm dhe pa u ankuar, e kemi jetuar vetminë tonë. Kuptohet, vetmia është barrë e rëndë, posaçërisht kur je i rrethuar nga ‘vëllazëria’ e të ngjashmëve mes veti për nga fisi apo feja, e të cilët më shumë e duan të huajën se sa të veten dhe si të tillë, shpesh janë bashkuar për ta dëmtuar ‘vetmitarin’. Ne edhe sot në këtë Ballkan jemi po aq të ‘vetmuar’ sa çdoherë, por kemi diçka që nuk e kemi pasur kurrë më parë, por që nuk ditëm ta përdorim siç duhet për t’i realizuar qëllimet mbarëkombëtare dhe e detyruam ta braktisë vendlindjen: një rini e cila e njeh dhe komunikon me tërë botën, rini që jo vetëm se nuk jeton me barrën e popullit të vetmuar, por ndjehet pjesë e barasvlershme e civilizimit botëror.

Dhe duke u bërë popull që e flijoi më të vlefshmen që kishte – rininë e vet – neve na ndodhi që politika të jetë ‘biznesi’ më fitimprurës dhe shoqëritë tona të jenë poaq të partizuara sa edhe kur ishim në duart e komunistëve. Kështu që shqiptaria mbeti pengë e ‘bajraktarokracisë‘ dhe shqiptarët e Maqedonisë, veprimtarinë politike, kryesisht e kuptuan si diçka që të mundëson ta mbulosh hajdutërinë dhe injorancën dhe që, nga ‘askushi’, të bën të jesh ‘dikushi’; në Kosovë, veprimtaria politike, kryesisht kuptohet si ‘luftë’ mes fiseve – jo me ‘allti’ në bel, por me kollare firmato në qafë – që të mundëson të të takojë edhe lavdia, edhe hajnia; në Shqipëri, veprimtaria politike kryesisht përjetohet si pjesëmarrje në spektakël televiziv për ta zbavitur e gënjyer popullin, e ku kryepersonazh është kryeministri, e gjithë të tjerët ‘dublantë’ të tij, në spektaklin që duhet ta mbulojë të vërtetën se vendi është duke u bërë i pabanueshëm për rininë shqiptare. Dhe kështu shumica e politikanëve të ‘Shqipërive’ tona, ndryshe–ndryshe e përjetojnë veprimtarinë politike, por njësoj lezetshëm e shijojnë ‘hajdutokracinë’.

Por duhet pranuar se baras me politikanë që e varfëruan këtë popull, fajtorë jemi edhe ne “kritikuesit” profesionist të burrështetasve, edhe ne që përfituam nga “opinionbërje”. Mbase vetëm te ne mund të pasurohesh duke u marrë me politikë dhe me kritika gazetareske dhe, mbase vetëm ne shtiremi se nuk e dimë që vetëm hajdutët mund të pasurohen nga politikbërja dhe opinionbërja.

Dhe mbase vetëm te ne bëhesh me nam e nishan dhe vlerë kombëtare vetëm duke e gënjyer popullin dhe duke shkruar kolumna e kritika të porositura. Dhe kështu, ne, kritikuesit e pushtetmbajtësve, në të vërtetë pranuam rolin e ‘diazepamit’ që rrejshëm e qetëson popullon dhe filluam t’u ngjajmë atyre që e mbajnë lopën për bishti e brirësh, vetëm që pronari (lexo: politikanët) të papenguar ta mjelin atë. Dhe kështu shqiptaria ka sunduesit e vet, si dhe neve që i shajmë sunduesit, por jo edhe personalitete që veprojnë e që do i prinin popullit në betejat qe do sjellin ndryshime. Dhe duke pritur ardhjen e individëve të tillë. Populli u lodh e filloi të mos u besoj të gjithëve njësoj. Pra populli u ndje i gënjyer dhe e pa qartë se kapitalistë tanë të sotëm janë edhe “opinionistët” e dështuar që janë bërë politikanë, si dhe politikanët hajdut që janë bëre oponionistë. Si edhe shumë pronarë të mediave që i reketuan politikanët që kishin plaçkitur popullin.

-Si e gjykoni idenë për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Kush po e ushqen këtë ide dhe pse prej shumë personash duket si një temë tabu?

E thashë edhe më lart – shqiptarët u lodhën duke pritur ditë më të mira. Kjo lodhje më e dukshme dhe më molisëse është te shqiptarët e Kosovës. E ndërkohë, politikanët ‘shitën’ çdo gjë që i takonte shqiptarisë, e tani u kanë mbetur për shitje vetëm edhe tokat tona.

Në të vërtetë, jo qëllimisht shqiptarët u lanë në duart e politikanëve të kapur peng nga e kaluara e tyre kriminale dhe e pasur me hajdutëri. Sepse vetëm këta politikanë mund t’i tejkalonin kufijtë racional dhe të pranonin të shkelnin edhe mbi kufoma, vetëm për ta shpëtuar vetveten duke mbetur pushtetarë të përjetshëm.

Në ndërkohë edhe miqtë tanë perëndimorë u lodhën duke pritur që burrështetasit shqiptarë – veçanërisht ata të Kosovës – ta braktisnin mendësinë ‘fisnore’ e bajraktareske të të ndërtuarit shtet si dhe të hiqnin dorë nga plaçkitja e vendit.

Dhe kur jemi te faktori ndërkombëtar duhet thënë: ne duhet t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre që e ndihmuan çlirimin e Kosovës, por edhe nuk duhet harruar se misionarët perëndimorë ishin ata që e mbuluan hajdutërinë dhe krimin e burrështetasve tanë, vetëm pse si të tillë – të korruptuar – ishin më të përdorshëm e më të dëgjueshëm ndaj tyre. Në njëfarë mënyre, diplomatët perëndimorë, ndaj burrështetasve tanë filluan ta përdorin formulën e dikurshme sipas së cilës në ish-Jugosllavi promovoheshin elitat politike shqiptare: se shqiptar i përdorshëm dhe shtet-formues është vetëm shqiptari i korruptuar dhe i kriminalizuar. Dhe sa më të ulët e ka politikani shqiptar moralin dhe mençurinë, aq më lart atë duhet ta ngresh në piramidën shtetërore, e që pastaj i papenguar të manipulosh atë.

Pse e ndërlidh këtë që thashë më lart me zhurmën që bëhet rreth shkëmbimit të tokave shqiptare nga kjo anë e kufirit me ato përtej kufirit?! Sepse ideja për ndarjen e Kosovës është e vjetër poaq sa edhe konflikti shqiptaro-serb. Dhe diplomacia serbe pandalë punon për ta realizuar këtë ide, e në ndërkohë, burrështetasit e Kosovës pandalë punojnë për ta bërë Kosovën pronë të veten dhe të pandjeshme ndaj fatit të saj.

Pra duhet thënë shkurt e shqip: përderisa burrështetasit kosovarë merreshin me hajdutëri, diplomatët serbë ia dolën që idenë për ndarjen e Kosovës ta bëjnë të pranueshme edhe për SHBA-të. Dhe unë vlerësoj se sot, këtë ide nuk e kundërshtojnë si dikur as SHBA-së dhe se në Ballkan do ketë korrigjime të kufijve shtetëror. Njësoj siç vlerësoj se me ndarjen e Kosovës, do jetë thuajse e pamundur të mbahen në këmbë Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

-Duam të ndalemi pak në Shqipëri. Ne, në DITA prej disa javësh jemi duke analizuar nëpërmjet bashkëpunëtorëve tanë, por dhe mendjeve të mençura mes shqiptarëve, qeverisjen e Edi Ramës dhe sidomos vitin e parë të mandatit të dytë. Do të donim t’ju pyesnim: cili është gjykimi juaj për qeverinë e Shqipërisë?

Mendoj se ka kaluar koha kur duhej të merreshim me profilin e sunduesve tanë dhe ka ardhur koha kur duhet analizuar ku gabuam që nuk ia dolëm të shpëtojmë nga burrështetasit që dinë të sundojnë, por jo edhe të ndërtojnë shtet. Pra ne duhet të merremi me atë si t’ia kthejmë këtij populli besimin, që ta ndalojmë ecjen e tij drejtë më të rrezikshmes që mund t’i ndodh një kombi: të bëhet i pandjeshëm ndaj fatit të vet.

Dhe burrështetasit e sotëm të Shqipërisë janë duke e keqpërdorur mu varfërinë dhe këtë pandjeshmëri të popullit ndaj fatit të vet. Pra ata e bënë Shqipërinë vend që i ngjan një plantashi të kanabisit, shtet që mbijeton nga paratë e drogës, ku partitë politike janë strehimore për të paaftët, e madje edhe për kriminelët dhe ku partitë janë ‘kompani’ private të kryehajdutëve dhe kryebanditëve që i drejtojnë ato!

E di, gjitha këto vlerësime e kritika, Kryeministri i Shqipërisë do i komentonte me thënien: karvani do të shkojë përpara, sado të lehin qentë! Dhe sikur të mos e kishte ndje veten si kalorës, kritikët e tij si qenë, e popullin si deve, ai që moti do e kuptonte se, nuk quhet karvan tufa e hienave!

Mendoj se ka vite që në Shqipëri është instaluar ‘diktatura demokratike e rilindësve’. Dhe kjo diktaturë nuk e nënshtron popullin duke i kontrolluar të vërtetat që publikohen, por duke i vënë nën kontroll gënjeshtrat nëpërmjet të cilave shlyhet pragu që ndanë të vërtetat nga të rrejshmet. Si dhe, kjo ‘diktaturë’ nuk i mbyll kufijtë dhe nuk i vret në kufi ata që duan ta braktisin shtetin, por përkundrazi, i nxit dhe i detyrojnë kundërshtarët e vet politik ta braktisin vendin, duke mos u lejuar të punësohen e të mbijetojnë në mëmëdheun e tyre. Dhe kështu – njësoj si Enveri që dikur ndërtoi shtet vetëm për të dëgjueshmit e vet – edhe ‘rilindësit’ në Shqipërinë e sotme, ndërtojnë shtet vetëm për ata që u përkulen atyre.

 -Ju e keni patur pritshmëri më të larta për kryeministrin Edi Rama?

Sa për vete, gjithmonë e kam ditur se partitë politike nuk janë as akademi shkencash, as organizata humanitare, e as shoqata filozofësh e intelektualësh, por grupe interesi, që synojnë marrjen e pushtetit. Por ama, e pranoj publikisht: kurrë nuk e kisha paragjykuar e besuar se ato do bëheshin atë që në pjesë të madhe i karakterizon partitë shqiptare – strehimore për injorantët, karrieristët e sëmurë, gënjeshtarët, banditët dhe hajnat e kategorive të ndryshme.

Dhe prisja që Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, si njeri i mençur, e ka kuptuar se nuk ka politikanë më të rrezikshëm se ata që e kanë humbur pushtetin mbi vetveten. Dhe se do bëjë çmos që kjo të mos i ndodh edhe atij. Por për fat të keq, ndodhi e kundërta: ai shpejt e mësoi si sundohet populli, por jo edhe vetvetja!

-Përpara disa vitesh ju keni qenë një mbështetës i kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa tashmë jeni një kritik i fortë. A mund ta bëjmë pyetjen se çfarë ka ndodhur mes Kimit dhe Edit në rrafshin personal apo nuk ka asgjë të tillë?

Nuk ka asgjë personale dhe as që mund të ketë ngaqë me Kryeministrin e sotëm të Shqipërisë nuk kemi asnjë të kaluar, apo të sotme të përbashkët. Nuk besoj se atij do mund t’i ketë mbetur hatri pse gjatë viteve kur ai e promovonte “Kurbanin” nëpër vendbanimet shqiptare, unë nuk pranova që t’ia promovoja librin në Shkup, edhe atë për arsye që nuk kishin të bëjnë personalisht me të, por pse kurrë nuk jam marrë me përurimin e librave me prapavijë politike dhe të shkruara nga politikanët, ngaqë e di se librat e tillë nuk i shkruan dora krijuese, e as mençuria personale, por inati politik.

-Ju, më herët në analizat tuaja e keni vlerësuar atë (Ramën) si një mendje të mençur, po tani, a ka ndryshuar mendimi juaj për të?

Dallimi i parë që bëj mes politikanëve dhe njerëzve në përgjithësi është ajo më e dukshmja që mund ta vëresh te ata: mençuria e tyre. Dhe Kryeministrit të Shqipërisë nuk mund t’i mohohet mençuria si dhe dhuntitë oratorike. Siç nuk mund t’i mohohet se është njeri i informuar që lexon, që flet një shqipe të begatë, e që janë tipare të cilat i çmoj te njerëzit.

E sa i përket ligësisë njerëzore, atë mund ta zbulosh pasi individi të bëhet i pasur dhe i pushtetshëm. Kështu që nuk kisha si ta shpalosja ligësinë e tij përderisa ai ishte i mirë me të gjithë që mund ta ndihmonin të ngjitej atje ku synonte: ta mposhtë popullin e vet dhe ata që i kishin besuar.

Po, ligësia e tij si njeri është ajo që sot më bën ta konsideroj si burrështetas të dështuar dhe si politikan të cilit nuk duhet besuar.

-Ju jeni një njohës i mirë i mentalitetit njerëzor, pse mendoni që një mendje e mençur reagon në këtë formë?

Kryeministri i sotëm i Shqipërisë në mënyrë shkollareske dëshmon atë që e kam thënë para shumë vitesh: se rrallë ndodh që nga një artist i dështuar të bësh një burrështetas të suksesshëm. Pastaj ai dëshmon se një politikan injorant, por me bosht fisnik njerëzor, është më i dobishëm për popullin e vet se sa një burrështetas i mençur, por i lig dhe mendjemadh si njeri.

Pastaj Kryeministri i sotëm i Shqipërisë i ngjan fëmijës të rritur në shtëpi publike apo kafene pijanecësh, e që pasi rritet, i urren të gjithë ‘makrotë’ dhe ‘pijanecët’ që e njohin të kaluarën e tij. Dhe ai është fëmijë politike që e pollën mediat dhe gazetarët që tani i quan “kazan’ dhe që i llogarit si “idiotë” që as dinë as marrin vesh gjë. Ai është gatuar në at ‘kazan’ dhe i njeh mirë ‘master shefat’ e kuzhinave gazetareske, andaj tani vepron njësoj si Enveri dikur, por duke mos mundur t’i përdorë të njëjtat mjete për t’i eliminuar ata që dikur as që e numëronin mes të ‘gjallëve’.

Dhe deri diku ai ka të drejtë kur të gjithëve na konsideron si një turmë kokëzbrazurish, sepse po të ishim atë që themi për vetveten, nuk do arrinim deri këtu ku jemi sot: që çdo idiot i mbuluar me emblemën e partisë qeverisëse, të tallet me ne.

Pra sikur të ishim më të mençur e më të kujdesshëm, ne me kohë do e i kuptonim se një artist i dështuar dhe i frustruar mund të bëhet vetëm një burrështetas mendjemadh, që do i përbuzë të gjithë që e rrethojnë.

-Sipas jush cilat janë tre gjërat që Rama i ka bërë mirë dhe tre me të cilat ka dështuar?

Ishte shpresëdhënëse orvatja e tij që Shoqërinë ta bënte vend ku vlen ligji, ku hajdut quhet edhe ai që e vjedh pronën publike, e jo vetëm ai që i fut duart në xhepin tonë. Por për fat të keq, u pa se edhe kjo iniciativë e tij, ishte në shërbim të forcimit të partisë, e jo të shtetit. Ngaqë me aq sa shoh, Shqipëria sot vazhdon të mbetet shtet ku libreza e partisë në pushtet, të bën të paprekshëm dhe të mbrojtur nga cilido ligj.

-Si një shqiptar i Maqedonisë, mendoni se keni të drejtë të jepni mendime opozitare për kryeministrin e Shqipërisë, pse?

Shqipëria e Kosova mbase edhe nuk do ekzistonin nëse nuk do ishin ëndërr mbarëkombëtare. Dhe ato i lindi dhe i bëri shtete ai vullnet, ai përkushtim mbarëshqiptar, kështu që ato janë ‘pronë’ e mbarë shqiptarisë. Dhe për to duhet të kujdesemi të gjithë së bashku.

Pastaj Shqipëria është ajo që më jep emrin me të cilin krenohem – shqiptar dhe, njësoj siç e kam unë për obligim që me vogëlsinë time të bëj çmos për të mos e njollosur mëmëdheun, edhe shteti amë e ka për obligim të më përfaqësojë ashtu që, nëse jo më shumë, të mos më bëjë të turpërohem.

Dhe nëse e keni vërejtur, në botën shqiptare janë të bashkuar etnikisht vetëm nëntoka politike dhe mafia shqiptare, ndërkaq çdo gjë tjerët është e copëtuar dhe bëhet çmos që të mos bashkohet. Dhe kjo është ajo që më brengos e që më bën të mbetem opozitar i përjetshëm.

Mua shpeshherë, edhe lexues dhe dashamirë më thonë, mos u merr me Shqipërinë, po shiko hallet e shqiptarëve tu në Maqedoni! Ata mbase nuk e kuptojnë se pa një Shqipëri dhe Kosovë të konsoliduar si shtete, ne shqiptarët e Maqedonisë mbase edhe nuk mund të arrijmë asgjë më shumë se kjo që kemi.

Mendoj se qëllimisht kultivohet mendësia e principatave të ndara shqiptare, pra kultivohet mendësia që çdonjëri të kujdeset vetëm për “Shqipërinë“ e vet, që të kemi politikanë të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, si dhe opinionistë që merren me principatat e veta politike, por jo edhe të atillë që mendojnë ‘shqip’ dhe mbarëshqiptarçe.

Duhet thënë hapur; politikanët shqiptarë të kudondodhur, më së shumti i tremben mundësisë që shqiptarët – edhe pse jetojnë në më shumë shtete – të fillojnë të veprojnë të bashkuar dhe, për shembull, të nisen protestuesit shqiptarë nga të gjitha trojet tona e të grumbullohen te sheshi Skënderbeu në Tiranë, e pastaj nga aty të shtegtojnë në Prishtinë e Shkup, ku do u thonë pushtetarëve – më mirë ju të ikni jashtë vendit, se sa rinia shqiptare!

Më në fund e di se je më i mbrojtur, më i sigurt, e më i pëlqyer, kur mban anën e të pushtetshmit dhe kur ke mik të fortin, të pasurin e të famshmin! Por, gjithashtu e di se miqësia e mbështetur vetëm mbi themelet e frikës dhe interesit tënd personal, është pasqyrë ku shihet dobësia e individit! Kështu që, kanë qenë, e do mbeten të fortë e të njerëzishëm, vetëm ata që e mbrojnë, e ndihmojnë dhe janë në anën e të dobëtit, të dëmtuarit dhe skamnorit. E unë mundohem që të mbetem i njerëzishëm dhe, nëse jo vepra me të cilat do të mburrem, atëherë të mos bëj diçka që do më bënte të turpërohem.

 -Janë të shumtë ata që e akuzojnë kryeministrin Rama si një njeri arrogant, po ju keni një mendim për të?

Arroganca është mbulesë e injorancës dhe e frikës se të tjerët do mund ta zbulojnë të vërtetën që e fsheh nga ata. Për Kryeministrin e Shqipërisë mund të thuash ç’të duash, përpos se është injorant. Andaj, siç duket, me arrogancën e vet ai don të fshehë diçka që është edhe më e keqe se injoranca për një burrështetas; frustracionet personale dhe mendjemadhësinë!

-Po ndoshta mund të ketë të drejtë, pasi shpesh është shprehur se ndihet i keqkuptuar nga njerëzit, apo ai është kryeministër dhe duhet t’i marrë të gjitha parasysh?

Siç duket ai prej moti është shkëputur nga realiteti në të cilin jetoni dhe është shpërngulur në botën e tij imagjinare duke besuar se po të mos ishte ai çdo gjë do shkonte në ‘të s’ëmës’.

Burrështetasi i mirë nuk merret me atë sa populli e kupton atë, por sa ai i kupton të sunduarit e vet. Pastaj burrështetasit nuk maten nëpërmjet asaj sa atë e kupton populli, po sa ai di të drejtojë ambiciet kolektive. Dhe sa më shumë një burrështetas beson se të tjerët janë ata që nuk e kuptojnë atë, aq më shumë ai zhytet në baltën e vetëgënjimit se e përfaqëson mençurinë kolektive.

-Në Shqipëri janë duke u aplikuar në masë të famshmet PPP (partneriteti Publik Privat). Cili është mendimi juaj për dhënien me koncesion të çdo shërbimi që mund ta bënte shteti?

Nuk marr vesh nga ekonomia dhe nuk e fus kokën aty nga nuk kem si ta nxjerr, por çdo gjë është aq e mirë dhe aq e keqe sa atë e përdorë për të mirë, apo për të keq. E di se shumë shtete e kanë aplikuar këtë partneritet, por jo për të ndërtuar kulla dhe stadium me kulla, por spitale e biblioteka. Pastaj e di se në vendet tjera, ky partneritet nuk është përdorur që të rrënohet e vjetra për të ndërtuar kulla, por e reja është ndërtuar në hapësirë të re dhe e vjetra ka mbetur e paprekur, që të shënojë mbëmendjen e popullit.

-Thonë se korrupsion ka kudo, por keni një perceptim se në ç’nivel është korrupsioni në Shqipëri?

Shpesh më thonë se e teproj dhe se pa argumente i quaj hajdutë politikanët tanë. Për gjithë ata kam një pyetje: si mund të bëhet pasanik një deputet, një ministër, një kryeministër apo një president i shtetit që nuk ka pagë mujore më të lartë se dy-tre mijë euro? Dhe si mundet që burrështetatsit e sotëm të Shqipërisë, të cilët që nga lindja janë marrë vetëm me politikë, të kenë pasuri sa një sheik arab, që ka në pronësi puse të naftës!? Andaj e përsëris: vetëm hajduti mund të pasurohet nga politika.

-Folëm për disa nga punët e qeverisë dhe me të drejtë ju keni kritikat tuaja të cilat do t’i bënin nder çdo qeverie nëse i merrte për bazë, por nga ana tjetër kemi një opozitë në Shqipëri që në kohën e pushtetit ka bërë shumë më shumë gjëra mbrapsht deri dhe krime shtetërore dhe asnjë ditë nuk u gjykua për këtë. Jemi në një fazë që situata politike është disi e zymtë, cila do të ishte një zgjidhje që Shqipëria të ketë një zhvillim më të mirë dhe vendi të hiqej nga lista e më të korruptuarve?

Ajo që është më shkatërrimtare për shoqëritë shqiptare është se ato u bënë të pabanueshme dhe të pashpresa për ‘trurin’ dhe ‘guximin’ rinor. Pastaj ‘Shqipëritë’ tona janë duke u bërë vende ku ka kush të vdes, por nuk ka kush të lind fëmijë, sepse të rinjtë shtegtuan në Perëndim. Dhe zgjidhje do ishte kthimi i shpresës te të rinjtë. Që sipas meje, mund të ndodhë vetëm ashtu siç e thashë më lartë: nëse mbarshqiptarçe e fillojmë pastrimin e ‘Shqipërive’ tona nga ky pleh politik që na është grumbulluar gjatë tri dekadave të kaluara!

-Një vit e gjysmë më parë ju u bashkuat me opozitën në çadër, ishte një veprim inatçor ndaj Ramës apo besoni realisht te kjo opozitë dhe te kreu i saj, Lulzim Basha?

Jam në moshë kur e kam kuptuar se ç’ndonjëri që bën diçka për inat të tjerëve, më parë e plas vetveten se të tjerët. Në çadrën e opozitës shkova që të them atë që thashë: se neve shqiptarëve të Maqedonisë nuk na duhet as PD, as PS e fortë, por një Shqipëri e fortë. Se ne nuk duam Shqipëri të çadrave, por një mëmëdhe që do jetë çadër për mbarëshqiptarin.

 -Keni ju një njohje me kreun e opozitës Basha dhe çfarë mendoni për të si lider politik?

Me prijësin e PD-së nuk kam njohje personale dhe për herë të parë e të fundit me të jam takuar pesëmbëdhjetë minuta para se të shkoja në çadrën e opozitës.

Mendoj se ai nuk ia doli ta shfrytëzojë mundësinë që iu dha – të bëhej prijës i mbarë opozitës shqiptare. Njësoj siç besoj se atë më shumë e dëmtuan të privilegjuarit e përjetshëm të PD-së, se sa kundërshtarët politikë. Thjeshtë, ai nuk e parallogariti mirë se PD-ja ishte bërë strehimore e atyre që, njësoj si këta ‘rilindësit’ e sotëm, besonin se shteti u takon vetëm atyre dhe se shqiptarët janë të mirë e të mençur vetëm kur i voton ata dhe se, kur ata mbeten larg grazhdit të pushtetit, nuk vlen gjë as Shqipëria as shqiptaria.

-A mos vallë në këtë jemi pa alternativë qeverisëse? Kemi një qeveri arrogante dhe një opozitë të paaftë!

Nuk mund të flitet për opozitë frytdhënëse në një vend ku çdonjëri i mbron hajdutët e vet dhe ku mbisundon mendësia se hajduti dhe krimineli i partisë sime, është më pak hajn e keqbërës se ai i partisë kundërshtare.

Pastaj nuk mund të flitet për mirëqeverisje dhe opozitë aty ku çdo gjë i takon partisë në pushtet, e asgjë të tjerëve. Shtetet e tilla janë në duar të regjimeve dhe në ato vende, partitë nuk kanë për qëllim forcimin e shtetit, por të vetvetes. Dhe alternativa e vetme që u mbetet qytetarëve është të bëjnë spastrimin e elitave politike, por jo vetëm të tyren.

-Sa ndihen të përfaqësuar shqiptarët e Maqedonisë nga shteti amë, që është Shqipëria?

Ne do ndjehemi mirë të përfaqësuar nga mëmëdheu atëherë kur Shqipëria do bëhet shtet ligjor dhe me institucione të konsoliduara shtetërore. Si mund të ndjehemi të mirëpërfaqësuar nga një Shqipëri si kjo e sotmja që nuk ia doli ta mbrojë rininë e vet?! Nga një Shqipëri ku më lehtë mund të gjesh vrasës me pagesë, se sa një shkencëtar apo shkrimtar të ri?!

-Ka një tendencë që Shqipëria dhe Kosova të flirtojnë hapur Erdoganin edhe si një presion ndaj Perëndimit? Cilat duhet të jenë raportet tona me Turqinë?

Nuk e di se çka i lidh burrështetasit shqiptarë me Presidentin e Turqisë, po e di se asnjë administratë e mëparshme shtetërore turke nuk ka qenë kaq proshqiptare sa kjo e sotmja. Dhe e di se përderisa dikur nuk guxoje të thuash se je me origjinë shqiptare, sot, këtë e thonë mburrshëm të gjithë ata mbi pesë milionë shqiptarë që jetojnë në Turqi. Gjithashtu e di se mua me mbajnë për “turkoshak” e proturk dhe ja po e përsëris: unë jam e do jem proturk, ngaqë atje jeton gjysma e familjarëve të mi si dhe mbi pesë milionë shqiptarë tjerë. Njësoj siç jam e do jem proamerikan, progjerman, prozviceran, proitalian…, pro gjithë shteteve e popujve që e kanë ndihmuar dhe strehuar popullin tim kur ai e ka pasur më së rëndi për të mbijetuar.

Unë nuk e di pse jemi bërë aq të ndjeshëm ndaj qëndrimit të burrështetasve tanë ndaj Presidentit turk, e jo edhe ndaj të tjerëve të kësaj bote?! Kam bindjen se te disa qarqe shqiptare – posaçërisht në Prishtinë – me “antierdoganizmin” mbulohet “antislamizmi” dhe se këto dy ‘anti-izma’ janë bërë ‘biznese’ fitimprurës.

Doni dëshmi për këtë pohim timin?

Mua më gëzon që disa “mendjendritur” tanë janë bërë ‘instruktorë’ me përmasa globale të demokracisë, por sikur ata të kishin hallin e standardeve demokratike, nuk do u ndodhte të shkonin në Turqi para se të merreshin me “orbanët” e Evropës që rekomandojnë edhe ngritjen e mureve mes shteteve. Pastaj, nëse këta ‘ligjërues’ e mbrojtës të vlerave demokratike e perëndimore do ishin atë që thonë për veten, atëherë kur do dilnin ta mësonin Lindjen se ç’është demokracia dhe të drejtat njerëzore, do u kujtohej se lindjes i takon edhe Izraeli, ku edhe qarqet izraelite e thonë se ky shtet është duke shkuar drejtë aparthejdit dhe shovinizmit të pastër, duke i shpallur qytetarë të rendit të dytë palestinezët autoktonë të atyre hapësirave.

Sidoqoftë, mendoj se ne nuk duhet të merremi me atë se kujt ia bëjnë me sy burrështetasit tanë, por me atë si ata ia dolën të na imponojnë tema që atyre u mundësojnë ta mbulojnë të vërtetën se janë bërë diktatorët më të pashembullt të Evropës, duke i shndërruar “Shqipëritë” tona pronë të tyren private.

-Z. Mehmeti, a ndjeni se ka një mungesë orientimi, një krizë mentale në Shqipëri. Shumë të rinj duan të ikin, ka një pakënaqësi në ajër, një pesimizëm të shtuar. Nga se vjen kjo?

Duhet thënë se në Shqipërinë e sotme, Zot, ideologji dhe fe e vetme është leku! Dhe në shoqëri ku me para mund të blesh edhe atë që as blihet as shitet – që i pamoralshmi të shet moral, hajduti të jetë në krye të të ndershmëve….- nuk mund të presësh te sundoj mençuria. Në një mjedis ku vlerat individuale nuk i përcakton ajo që ke në kokë, por ajo që ke në xhep, në një shoqëri ku njerëzit i përkulen vetëm të pasurit e të pushtetshmit, shtohet numri i të pashpresëve dhe nga dita në ditë shkrihen mençuria, si dhe vlerat fisnike njerëzore.

-Si mund të zgjidhet kjo, si mund t’i jepet shpresë njerëzve?

Sipas meje vetëm nëse bashkohen ‘kokat’ mbarëshqiptare dhe ashtu të bashkuar – njësoj siç janë bashkuar nëntoka politike dhe mafia shqiptare-të bashkëveprojnë mbarëkombtarisht. Përndryshe do vazhdojmë të merremi me analiza e me intervista, në të cilat do ketë plot shpjegime por jo edhe veprim konkret.

Leave a Reply

%d bloggers like this: