Bota

Gjermania duhet ta ndihmojë Turqinë të rrijë e lidhur me Perëndimin

Gjermania është e shqetësuar për stabilitetin ekonomik të Turqisë, por jo sa t’i ofrojë asaj ndihmë financiare. Mbështetja gjermane mund të jetë mjeti për ta ndaluar Erdoganin t’i kthejë krahët BE, shkruan Seda Serdar.
Kancelarja Angela Merkel u distancua nga deklarata e fundjavës së kryetares së Partisë Socialdemokrate Gjermane, Andrea Nahles që ndoshta Gjermania duhet ta ndihmojë financiarisht Turqinë. Megjithatë, mbajtja e Turqisë të lidhur me Perëndimin ka rëndësi të konsiderueshme dhe Gjermania duhet të luajë një rol qendror për këtë.

Normalizimi i marrëdhënieve
Turqia nuk i përballon dot betejat në disa fronte njëkohësisht. Sanksionet e SHBA dhe një grindje politike me Uashingtonin për priftin e arrestuar amerikan po e detyrojnë Ankaranë që të kultivojë marrëdhënie më të mira me Evropën.

Lirimi së fundi i qytetares gjermane dhe gazetares Mesale Tolu dhe i aktivistit të të drejtave të njeriut Taner Kalic janë sinjale se Turqia ka vullnet për të normalizuar marrëdhëniet me Gjermaninë dhe me BE. Por këto megjithatë janë hapa shumë të vegjël. Qeveria turke duhet të bëjë ndryshime serioze, ekonomikisht dhe politikisht, po të dojë të marrë mbështetje thelbësore nga Gjermania. Për shembull, duhet të sigurojë pavarësinë e Bankës Qendrore të Turqisë, të japë prova se Turqia dëshiron t’i kthehet sundimit të ligjit dhe të ofrojë hapësirë për një media të lirë dhe të pavarur.

Për të ndërmarrë hapa të tillë, Presidenti Recep Tayyip Erdogan duhet të ketë vullnet që të heqë dorë nga fuqia e madhe që mori në zgjedhjet presidenciale në qershor. Meqenëse objektivi i Erdoganit është që ta rimëkëmbë me çdo çmim ekonominë, gjendja ekonomike që po përkeqësohet mund ta detyronte për një gjë të tillë.

Megjithatë, Erdogani edhe mund të kthehet nga Rusia ose Kina, dhe Katari është një opsion tjetër. Ankaraja dhe Doha kuptohen mirë për shumë çështje dhe Katari tashmë ka deklaruar se do të investojë 15 miliardë dollarë në Turqi, në formën e projekteve ekonomike dhe të depozitave.

Forcimi i lidhjeve
BE dhe veçanërisht Gjermania as nuk duhet ta lënë Turqinë që të largohet nga vlerat perëndimore, as të lejojnë që ajo të rrëshkasë në destabilitet. Nga kjo nuk do të kishte askush të mirë, për një sërë arsyesh.

Së pari, Turqia ka ushtrinë e dytë në NATO, përsa i përket numrit të personelit. Ka edhe rëndësi strategjike dhe luan një rol me rëndësi themelore me bazën e saj ajrore të Incirlikut në luftë kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri dhe në Irak.

Veç kësaj, Turqia është një tampon midis Evropës dhe Lindjes së Mesme, dhe një Turqi e paqendrueshme mund të çlirojë një valë të re migrimi. BE dhe Turqia arritën një marrëveshje për migrimin në 2016-ën, synimi i së cilës ishte të frenonte valën e migrantëve përmes itinerarit ballkanik në bllok.

Dhe më në fund, lidhjet ekonomike të Turqisë me Gjermaninë janë të konsiderueshme. Në Turqi operojnë më shumë se 7000 firma gjermane, kështu që është në interesin e të dyja vendeve që të mos lejojnë që investimet gjermane të largohen nga Turqia.

Natyrisht, objektivi i Gjermanisë nuk duhet të jetë forcimi i një regjimi autoritar duke ofruar ndihmë financiare. Por sjellja e Turqisë më pranë me vlerat perëndimore dhe tregimi se ata turq që besojnë te demokracia nuk janë abandonuar është diçka që ia vlen të jetë në vëmendjen e qeverisë gjermane.

Vizita që pritet e Erdoganit në Gjermani mund të jetë një hap i rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve gjermano-turke dhe për ta afruar Turqinë më pranë Evropës, po të luhen si duhet letrat./ Nga Seda Serdar. Marrë nga DW/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button