Rajoni

Milan St. Protiq: Elitës serbe i mungon guximi politik

Historiani serb Milan St. Protiq thotë për Deutsche Wellen se politikanët serbë nuk kanë idetë e duhura për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sipas tij, ata nuk po i përdorin si duhet “argumentet”.

Deutsche Welle: Koha e pushimeve të verës është një periudhë e mirë për bilance: Si e vlerësoni gjendjen sot në Serbi, gati 18 vjet pas demonstratave të mëdha kundër Millosheviqit, më 5 tetor 2000. Vlerësimet janë tërësisht të ndryshme – prej autokracisë e deri tek diktatura?

Milan St. Protiq: Me siguri që niveli i demokracisë në Serbi nuk është ai i fillimit të këtij shekulli, pas ndryshimeve të pesë tetorit 2000. Serbia ende ka probleme të mëdha me liritë demokratike, lirinë e shprehjes dhe mendimet ndryshe. Mbase tepër herët kemi shpresuar se e kemi fituar lirinë. Por ajo që më shqetëson edhe më shumë është mungesa e ideve. Partia në pushtet (SNS) është duke bërë të njëjtën politikë sikur dikur DOS-i (Opozita Demokratike e Serbisë, e cila e ka rrëzuar Millosheviqin në vitin 2000, (shën. i autorit), por duke mos gjetur përgjigje në asnjë prej çështjeve më të rëndësishme – si në politikën e brendshme ashtu edhe atë të jashtme. Ndaj mendoj se Serbia është në gjendje vendnumro.

Pushteti i tanishëm me siguri që nuk pajtohet me vlerësimin tuaj, sepse mendon se DOS-i ishte diçka më e keqe që ka mundur t’i ndodhë Serbisë?

Kjo është një prej kundërthënieve të skenës politike në Serbi. Në njërën anë kritikohet “Pesë Tetori”, por harrohet pse ka ndodhur ai. Ndërkohë që pushteti i tanishëm bën një politikë të njëjtë si DOS-i. Më duket se mesazhi i pushteti të sotëm në Serbi është: Ne do të bëjmë të njëjtën gjë që keni bërë ju, pak më mirë, por jo ndryshe. Tek e fundit, prej Millosheviqit, përmes Djingjiqit, Koshtunicës, Tadiqit, Nikoliqit e deri tek Vuçiqi, duket sikur partitë politike janë të përkufizuara njësoj. Nuk ka ndonjë dallim serioz, ndoshta nuk ka edhe hapsirë, por vërej një mungesë të guximit politik të elitave në Serbi, që të dalin nga trashëgimia e kohës së Titos.

Vëmendjen e opinionit e ka zgjuar shumë deklarata juaj për Kosovën, në radhë të parë ndërlidhja e zgjdhjes së çështjes së Kosovës me vetëvendosjen e serbëve në Republikën Serpska?

Mbi parimin e vetëvendosjes së popullit – një komb një shtet – është shkatërruar edhe ish-Jugosllavia. Argumenti kryesor i shqiptarëve në Kosovë është insistimi i krijimit të shtetit pikërisht mbi këtë bazë. Kurrë nuk është mirë kur për të njëjtat gjëra aplikohen parime të ndryshme, sepse kjo jo vetëm që është e padrejtë, por paraqet edhe një burim të problemeve, sipas motos: nëse mund ta bëjë njëri, pse të mos e bëjnë edhe të tjerët? Ndaj mendoj se ky është një parim, i cili në Ballkan nuk mund të evitohet dhe deri sa ai nuk realizohet, nuk mund të shkohet përpara.

Nëse gjërat janë kështu dhe nëse statusi i Kosovës ka mbërritur deri në nivelin kur shtrohet vetëm dilema nëse Serbia do të njohë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, atëherë më duket e natyrshme që kjo të balancohet me të drejtat e serbëve në Bosnje-Hercegovinë për vetëvendosje. Pra njësoj si edhe e drejta e shqiptarëve.

Kjo që kemi tani është një sabotim i ndërsjelltë. Shqiptarët e jugut të Serbisë e sabotojnë Serbinë, e Serbia saboton Kosovën. Nuk mendoj se kjo është zgjidhje e mirë. Serbia me insistimin e saj që të ruajë integritetin territorial është duke e bllokuar mundësinë e shtrimit të kësaj çështjeje. Kjo nuk do të thotë se Serbia nesër duhet të hapë çështjen e ndarjes së Republikës Serpska nga Bosnjë-Hercegovina, por mjafon të përdoret si argument dhe të presë që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë argument dhe të kuptojë se për çfarë është fjala.

Por kjo është edhe një prej vërejtjeve kryesore që dëgjohet edhe në Serbi, se bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i dëgojë argumentet e palës serbe…

Përvoja ime ndërkombëtare dhe njohja e Perëndimit nuk është e vogël. Do të doja shumë që t’ua shtroj hapur këtë pyetje dhe të shoh se cila do të ishte përgjigja. Hipokrizi është vet fakti që ata nuk kërkojnë nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por na ofrojnë një të ashtuquajtur marrëveshje të detyrueshme juridike. Pse na ofrojnë ata diçka të tillë? Mua më duket se ata janë të vetëdijshëm se njohja e Kosovës nga Serbia do t’ia zgjidhte duart Serbisë për realizimin e interesave të saj. Ndërsa oferta për marrëveshje është një zgjidhje tipike formale perëndimore.

Ndërlidhja e ngjarjeve në Srebrenicë me pohimet se ky është shkak pse Republika Serpska nuk duhet të ketë të drejtën e vetëvendosjes, mund të interpretohet edhe ndryshe – se serbët kanë të drejtë ashtu si të gjithë të tjerët për vetëvendosje. Në këtë moment kemi standarde të dyfishta, sepse në Kosovë duam një gjë, e në Bosnjë-Hercegovinë diçka tjetër.

Diplomacia serbe mendon se Uashingtoni ka ndryshuar politikën dhe se SHBA është më e gatshme për propozimet e palës serbe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Mendoni se Uashingtoni e ka ndryshuar qëndrimin?

Kjo më duket bukur infantile. Fuqitë e mëdha nuk e ndryshojnë politikën e tyre, ose e ndryshojnë me shumë vështirësi. Nuk ka asnjë shenjë se SHBA e ka ndryshuar politikan ndaj Ballkanit, e në këtë kuptim pra as qëndrimin ndaj Kosovës, dhe në veçanti jo që t’i kthehet palës serbe. Ne edhe në fillim kemi pasur sjellje fëmijërore, sa i përket pritjeve nga Trumpi. Kur në krye të diplomacisë keni një Daçiq, i cili nuk e di asnjë fjalë anglisht, për të cilin politika në Uashington është më e panjohur se sipërfaqja e Marsit, diçka më të mirë nuk mund të prisni. Ne nuk duam të ndryshojmë politikën tonë, ndërsa presim që këtë ta bëjë Amerika! Nuk e di si duhet ta quajë këtë sjellje. E qartë është që edhe Rusia, siç edhe po bën, do ta shfrytëzojë Kosovën si precedencë për interesat e veta.

Ky optimizëm i pabazë është i bazuar tek padija elementare. Njerëzit këtu merrem me çështje për të cilat nuk e kanë idenë dhe mendojnë se politika mund të bëhet pa leximin e librave dhe pa analiza. Kështu ne e kemi shkatërruar edhe shkollën dhe kemi nënvlerësuar dijen, kemi ardhur në një situatë kur secili mund të punojë çdo punë. Tani kemi edhe ambasadorë të cilët nuk e dinë as serbishten mirë, e të mos flas për ndonjë gjuhë të huaj.

Por shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq pohon se ata kanë ndarë gjysmë milioni dollarë për lobim dhe se kjo ka rezultuar me ndryshime të mëdha në politikën amerikane?

Dikush ka dëgjuar se në Amerikë ekziston lobimi. Natyrisht që atje ka shumë mashtrues, të cilët të premtojnë gjëra dhe duan t’ju marrin shumë para. Për lobim në Amerikë duhet të kesh shumë para dhe është gati e pamundur që me para të ndryshoni poliktikën amerikane. Politika amerikane nuk mund të blihet. Lobimi shërben për diçka tjetër. Ajo që mund të bëhet është prezantimi i argumenteve të shëndosha politike para opinionit përmes njerëzve me influencë, e për këtë nuk nevojiten para por shkathtësi. Ju mund të paguani dhe të fotografoheni me presidentin e Amerikës, por jo edhe të bisedoni me te për çështjet politike. Tek e fundit, presidenti nuk vendos për këtë. Pra me Trumpin nuk duhet të bisedohet për këtë, sepse ai nuk e ka idenë për këto gjëra.

Politika serioze bëhet në vende të tjera – në universitete, në media, në Kongresin amerikan, në korin diplomatik… e këtu ju nevojiten paratë vetëm për karburante dhe makinë. Nëse dikush ju fton të mbani ndonjë ligjëratë në ndonjë shkollë serioze, kjo mund të ketë një efekt shumë më të madh se të bisedoni me Trumpin. Ja edhe një shembull: perceptimi serioz i opozitës serbe në SHBA ka ndodhur pas një paraqitje në Harvard në pranverën e vitit 2000, ku kanë marrë pjesë 1.000 studentë dhe asnjë politikan. Ftesën e kemi marrë nga një fondacion grek dhe këtë e kemi shfrytëzuar mirë.

*Milan St. Protiq është historian, ish-politikan dhe diplomat serb. Ai ka ligjëruar në fakultetet e SHBA, Kanadasë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Greqisë. Ka qenë ambasador i RFJ në Uashington dhe në Zvicër. Ai është një prej anëtarëve të kryesisë në Lidhjen për Ndryshime , e më parë edhe në DOS.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button