Bota

Gjermania – e preferuar në Afrikë

Për një kohë të gjatë, kontinenti afrikan u nënvleftësua nga evropianët. Kancelarja Merkel i premtoi në Berlin mbështetje dhe investime Presidentit të Angolas.

Afrika – kontinent për investime dhe për të fituar para? Për dekada me radhë evropianët nuk kanë qenë të bindur për këtë. Veç dhënies së ndihmës për zhvillimin, evropianët janë interesuar pak për potencialin ekonomik të Afrikës.

Por shumë nga të 55 shtetet e këtij kontinenti po tërheqin vëmendjen vitet e fundit edhe me zhvillimin ekonomik. Një pjesë e këtyre shteteve, të pasura me lëndë të para natyrore dhe me burime minerare, po përjetojnë rritje ekonomike. Aktorë të tjerë të ekonomisë botërore, më pak skeptikë, si Kina, e kanë kuptuar prej kohësh vlerën e investimeve në Afrikë. Kjo në një kohë kur liderë afrikanë janë të bindur për dallimin cilësor që ofron Perëndimi.

Presidenti i Angolas, Joao Lourenço është prej një viti në post. 28 milionë banorëve të vendit të tij ai u ka premtuar një “mrekulli ekonomike” me ndihmën e investimeve të huaja dhe një luftë të vendosur kundër korrupsionit.

Në vizitën e tij në Berlin te Kancelarja gjermane Angela Merkel u bë fjalë në radhë të parë për aspekte ekonomike. Por u diskutua edhe lëvrimi i mundshëm i anijeve për mbrojtjen e bregdetit të këtij shteti afrikan.

“Është e mundur që investime të caktuara të konkretizohen nga pala angoleze. Në to ne jemi me dëshirë partnerë, po të merren vendime të tilla për investime nga marina e Angolës”, tha Merkeli në Berlin pas një takimi me Presidentin e Angolas Joao Lourenço.

Mbrojtje e një vije bregdetare të gjatë

Presidenti i këtij shteti të pasur me lëndë të para pati theksuar se kërkon me Gjermaninë një bashkëpunim të gjerë në të gjitha fushat ekonomike, edhe në mbrojtje. Vendi i tij është i detyruar të mbrojë një linjë shumë të gjatë bregdetare nga piratët, terroristët dhe trafikantët.

“Prandaj unë u bëj thirrje investorëve gjermanë që të bashkëpunojnë me shtetin e Angolas, për shembull në marinën e luftës, por edhe në ofrimin e sistemeve elektronike për mbrojtjen e bregdetit”, tha Merkel.

Që në vizitën e saj në Angola në vitin 2011, Merkeli ia pati ofruar Angolas dërgimin e anijeve për të mbrojtur bregdetin. Kjo u kritikua atëherë ashpër në Gjermani. Anijet nuk u dërguan kurrë. Kancelarja e mbrojti tani iniciativën e saj të “aftësimit” të shteteve afrikane dhe tha se është edhe në interesin gjerman, kur shtetet afrikane janë vetë në gjendje që të mbrohen. “Nuk ka zhvillim pa siguri dhe nuk ka siguri pa zhvillim”, tha Merkeli.

Por edhe në sektorë të tjerë si në fitimin e energjisë nga uji ose në turizëm Gjermania mund të bëjë “me dëshirë” më shumë, tha Kancelarja. Po të angazhohen sipërmarrje gjermane në Angola, qeveria federale mund ta mbështesë këtë me garanci Hermes për kreditë e eksportit, u tha në Berlin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button