Bota

A mund të shkarkohet Trump? Zgjedhjet e mesmandatit, vendimtare

Prej dy ditësh po lakohet gjithmonë e më shumë mundësia e ngritjes së akuzave ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, me qëllim shkarkimin e tij nga Kongresi.
Edhe pse duken të pakta mundësitë që shumica republikane të fillojë një proces të tillë, “Zëri i Amerikës” thotë se situata mund të ndryshojë, nëse demokratët fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit.

Vet Trumpi po përpiqet ta paraprijë situatën me nisjen e një fushate kundër përpjekjeve të tilla, e këtë e dëshmoi qartë një ditë më parë, kur tha në “Fox News” se po të ngrihen akuza për shkarkimin e tij, tregu i aksioneve do të falimentojë.

Mundësia e shkarkimit është përmendur shumë gjatë dy ditëve të fundit, pasi ish-drejtori i fushatës së Trumpit, Paul Manafort u gjet fajtor për 8 akuza, nga një juri federale në shtetin e Virginias; ndërsa ish-avokati i presidentit, Michael Cohen u vetëdeklarua fajtor për shkelje të rregullave të fushatës me paratë e dhëna dy grave, që thonë se kanë pasur marrëdhënie intime me manjatin republikan.

Disa ekspertë të politikës sugjerojnë se, pranimi i shkeljes së rregullave për financimin e fushatave elektorale dhe implikimi që Cohen i bëri Trumpit mund të shërbejnë si bazë për ngritjen e akuzave, që çojnë drejt shkarkimit të presidentit. Të tjerë, sidoqoftë janë skeptikë.

Për momentin, një skenar i tillë duket i pagjasë, duke qenë se shumicën në Kongres e kanë republikanët, por nëse demokratët sigurojnë mazhorancën në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve të mesmandatit, në muajin nëntor, atëherë procesi kundër presidentit nuk është çudi të fillojë vërtet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button