Home / Politika / Audio-regjistrimi i Denar Bibës, Basha: Rama shantazhon gjyqtarin e Strasburgut për pronat

Audio-regjistrimi i Denar Bibës, Basha: Rama shantazhon gjyqtarin e Strasburgut për pronat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha të martën se kryeministri Edi Rama ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar të Gjykatës së Strasburgut “për të bllokuar vendimet e Strasburgut për pronat”.
“Një audio-regjistrim ku dëgjohet shkoqur sesi gjyqtari shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku, shantazhohet në emër të Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit dhe krahut të djathtë të Edi Ramës, që të ndikojë vendimet e pronave në favor të qeverisë, është prova më tronditëse në këto 28 vjet, që e fakton qeverinë e Edi Ramës si një organizatë tipike mafioze. Audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ dhe kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e ka projektuar Edi Rama drejtësinë e re për shqiptarët. Pasi ka vënë nën kontroll të plotë gjykatat dhe prokurorinë shqiptare, Edi Rama ka kërcënuar edhe shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi: “Sipas regjistrimit-audio, Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë. Kërcënimi është i qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës “pas përfundimit të mandatit do të mbetet pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë”. Me këtë gjuhë tipike mafioze, i dërguari i Engjëll Agaçit, pra i Edi Ramës, i kujton gjyqtarit shqiptar në Strasburg se: “ky tren, pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë, nuk do t’i vijë më në jetë”. Ky shantazh është një akt të mirëfilltë mafioz dhe një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe i pa imagjinueshëm në historinë e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut. Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike. Prokuroria duhet të kishte nisur këtë mëngjes procedimin penal ndaj tyre, dhe duhet ta kishte komunikuar këtë publikisht, për të treguar se nuk është një vegël në dorën e Edi Ramës dhe të sejmenëve të tij”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: