Opinion

Kryeministri i të pasurve nuk mund të udhëtojë veçse me çarter

Me një status disi të veçantë kryeministri Rama është munduar të shuajë polemikat që lindën pas fluturimit të tij me një çarter privat, për të parë debutimin e Krisiano Ronaldos në Torino. Qoftë atyre që e akuzuan për shpenzimet marramendëse, qoftë të tjerëve që e qesëndisën për pasionin e parezistueshëm prej adoleshenti në kërkim të “like-ve”, ai i’u përgjigj me një arsyetim të thjeshtë.

Sipas tij, ishin të tjera pasione, si ato për artin, librat dhe filmat që e mbronin atë nga veset e pasunarëve arrogantë për makinat e shtrenjta, helikopterët apo avionët.

Në këtë arsyetim të Edi Ramës është interesant të qëmtohet imazhi që ai mëton të vizatojë për veten. Përtej vanitetit të zakonshëm për t’u auto-radhitur në pakicën selektive të njerëzve të shpirtit dhe mendimit, kuriozitet përbën këmbëngulja për të mos u barabitur me një tjetër racë, atë që pëlqen jetën e shtrenjtë dhe vanitoze. Restorantet me tre yje Michelin, makinat e shpejtësisë, dhe avionët privatë që Rama refuzon, janë simbolet tipike të profilit të miliarderëve anembanë globit. Ato përbëjnë digën që ndan sot në botë atë grusht njerëzish, që nuk janë as 1% e popullsisë së planetit, por kanë në zotërim më shumë se gjysmën e pasurisë së tij.

Prandaj shumë politikanë modernë, kanë refuzuar të njëhsohen me këtë simbolikë. Ndonjëri prej tyre, që ka bërë të kundërtën, ka paguar një çmim tepër të shtrenjte për këto teka. Kështu, ish presidenti francez Nicolas Sarcozy, nuk e hoqi dot kurrë nga vetja etiketën e presidentit të të pasurve, vetëm se e filloi mandatin e tij presidencial, nga jahti i një prej miqve të tij industrialistë dhe e kremtoi festën e fitores elektorale në një nga restorantet më të famshme të Champs Elyse.

Konkurenti i tij që e rrëzoi nga froni, François Holande e goditi rëndë vetëm me dy shprehje: “Unë nuk i dua të pasurit” dhe “armiku im është paraja”.

Pikërisht, rrezikun për të marrë një nofkë të tillë, pas pozave të publikuara në krah të CR7 dhe futurimit të papritur drejt Torinos, ka ndjerë edhe Edi Rama.

Prandaj ai hartoi një status të gjatë për të shpjeguar se në kohën e shkurtër që secili prej nesh kalon mbi këtë tokë, ai ka të tjera prioritete.

Me një vëzhgim të shkurtër, Lapsi.al ka treguar se ky pretendim i Ramës nuk është i vërtetë.

Por në fund të fundit, kjo ka fare pak rëndësi. Megjithëse imazhi që krijon për veten, shembulli që jep dhe simbolika që imponon një kryeministër janë të rëndësishme, ato bëhen krejtësisht të papërfillshme përpara akteve që ai kryen.

Prandaj, fakti që ai ndryshoi Ronaldon brazilian (atëhere kur ishte tifoz me Interin) me Ronaldon portugez (tani që është bërë me Juven), fakti që ai mori avion privat për në Allianz stadium, fakti që u mburr përballë gjithë shqiptarëve me disa kënaqësi që vetëm fare pak mund t’ia lejojnë vetes, nuk është faqja më e errët e imazhit të tij.

Edi Ramën nuk e ndan nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, mania për të praktikuar veset e të pasurve, që ai sot po kundërshton. Atë e diferencon me ta, vendimi për ta lënë vendin në duar të pak oligarkëve. Janë paratë, që ai u jep pa garë dhe tender atyre që djegin plehrat, atyre që bëjnë kontrollin mjekësor “falas”, atyre që marrin leje grataçielash në tokë publike që e bëjnë atë kryeministrin e të pasurve.

Po po, ai është i tillë. Këtë e ka konfirmuar raporti i Departamentit të Shtetit që përmendte oligarkët që fitojnë politikisht, këtë e vërtetoi gjykata europiane e auditit, që nënvizoi se një në tre tendera i dhurohet një klienti të pushtetit.

Pavarësisht nga sa thotë, Rama mbron vetëm interesat e pak vetëve. Ai është në shërbim të tyre. Dhe kjo, jo sepse ai ndan veset me të pasurit, por sepse ndan paratë me ta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button