Ekonomia

Si u shpenzuan 3 miliardë euro borxhe të huaja për infrastrukturën

Qeveritë shqiptare në këto tre dekada të tranzicionit ka shpenzuar 3 miliardë euro të marra borxh për të përmirësuar infrastrukturën rrugore, të ujit dhe energjisë.

Një raport i Ministrisë së Financave tregon se huatë e disbursuara ndër vite në fund të gjashtëmujorit 2018 kanë arritur vlerën e 5.8 miliardë eurove, prej të cilave 3 miliardë kanë shkuar për investime në infrastrukturë dhe 2.1 miliardë euro të tjera janë dhënë direkt si mbështetje për buxhetin.

Disa prej këtyre huave janë shlyer tashmë, pasi stoku i borxhit të jashtëm është rreth 3.7 miliardë euro.

Financimin më të madh me borxh të jashtëm e ka marrë buxheti i shtetit me rreth 2.1 miliardë euro. Financimet janë dhënë në formën e mbështetjes buxhetore për të përballuar shpenzime që nuk mbuloheshin më të ardhura.

Vetëm sektori i transportit rrugor ka marrë rreth 1.4 miliardë  euro financime nga jashtë, pjesa më e madhe e tyre ka marrë për ndërtimin e rrugës Kombit, asaj Tiranë- Elbasan, dhe disa projekteve të tjera në rrugë nacionale të vendit.

Huamarrësi i tretë më i madhe është sektori i energjisë me 14 për qind të totalit të borxhit ose 830 milionë euro. Huatë e dhëna për zhvillimin infrastrukturor dhe strukturor të sektorit, duket se nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Nga kjo shumë 80 milionë euro janë marrë për ndërtimin e TEC-Vlorës i cili ka rezultuar difektoz dhe nuk është vënë asnjë ditë në punë. Rreth 40 milionë euro borxh i jashtëm është investuara në linjën e Transmetimit të energjisë, Shqipëri -Kosovë, e cila gjithashtu nuk është vënë asnjë ditë në punë edhe pse ka gati tre vite që ka përfunduar. Sipas zhvillimeve të deritanishme, linja e transmetimit të energjisë, Shqipëri – Kosovë, është çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po zgjidhet as me ndërhyrjen e institucioneve europiane rregullatore të energjisë.

Sektori i ujit i pijshëm është i katërti për nga volumi i financimeve më borxh të jashtëm me rreth 380 milionë euro, por kjo nuk ka ndihmuar që vendi të furnizohet me ujë të rrjedhshëm 24 orë.

Madje një studim i fundit i Ministrisë së Infrastrukturës shtron nevojën se infrastruktura e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujerave të zeza në qytetet bregdetare të vendit nga Velipoja, Durrësi, Lezha, Divjaka, Vlora, Himara, Saranda kërkon së paku 480 milionë euro investime për t’u kthyer në normalitet. Në këtë shumë 127,8 milionë euro nevojiten për infrastrukturën e ujit të pijshëm dhe 352 milionë euro për rehabilitimin e ujërave të ndotura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button