Home / Kosova / Thaçi: Koha për marrëveshje historike më Serbinë
Kosovo's Prime Minister Hashim Thaci speaks to Reuters during an interview in Pristina March 27, 2014. Russia should stop using the case of Kosovo's independence from Serbia to justify its Crimea incursion because the two cannot be compared, Kosovo's Prime Minister Thaci said on Thursday. To match Interview UKRAINE-CRISIS/KOSOVO REUTERS/Hazir Reka (KOSOVO Tags: - POLITICS)

Thaçi: Koha për marrëveshje historike më Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se procesi i kërkimit të marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bartë me vete shumë rreziqe, por, sipas tij, “nuk ka rrezik më të madh për ne si Kosovë sesa të vazhdojmë të qëndrojmë kështu në një gjendje pezull si shtet dhe si shoqëri”.

Ai i bëri këto komente para shefave të misioneve diplomatike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ambasadës amerikane, KFOR-it, OSBE-së dhe EULEX-it.

“Është koha për marrëveshjen e madhe, historike, në mes të dy shteteve. Nuk mund të kthehemi prapa, sepse historia e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është një histori tragjike. Nuk mund të qëndrojmë në vend apo të vendnumërojmë dhe as nuk kemi se çfarë të presim, sepse ngecja dhe pritja në zgjidhjen e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë është pikërisht thirrje për tensione, për destabilizim, për probleme të mëdha, jo vetëm në mes nesh, por edhe në mbarë rajonin”.

Ai tha se nuk ka kohë për të humbur as për Kosovën e as për Serbinë dhe marrëveshja duhet të arrihet në muajt e ardhshëm.

Kosova, tha ai, si shtet, si politikë dhe si shoqëri, është lodhur nga ngecja në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Qoftë për shkak se Serbia ndërhyn në punët e shtetit të Kosovës, qoftë për shkak se Bashkimi Evropian nuk arriti ta krijojë konsensusin për ta njohur shtetin e Kosovës, apo sepse shumëkush ka menduar që me kalimin e kohës, vetvetiu, gjërat në Kosovë dhe rreth Kosovës do të zgjidhen. Ky mendim doli krejtësisht i gabuar, theksoi ai duke shpalosur pikëpamjet e tij për procesin.

“Së pari, ne si Kosovë synojmë një marrëveshje të përhershme me Serbinë, jo një tjetër marrëveshje kalimtare që vetëm sa i shtyn gjërat për disa vite. Së dyti, për ne normalizim i plotë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është njohja formale, reciproke, në mes të shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë”, tha ai duke nënvizuar se përmes kësaj marrëveshjeje do të hapej mundësia që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, OSBE-së, paktit NATO dhe t’i ofrohet perspektiva e anëtarësimit në BE.

“Së katërti, njohja reciproke në mes të dy shteteve, do të mund të përcillet edhe me një proces të dakorduar në mes të dy palëve për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jem sërish shumë i qartë: Ky proces do të shënonte fundin e konfliktit të gjatë mbi një shekull në mes të Kosovës dhe Serbisë, jo fillimin e një konflikti të ri. Koha e luftërave dhe konflikteve, në mes të Kosovës dhe Serbisë, për bindjen time, ka kaluar. Por, fundi i kësaj epoke do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen e madhe politike në mes nesh dhe Beogradit”.

Ai tha se një marrëveshje e tillë do të jetë ndihmesë për paqen dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit dhe nuk do të ketë kurrfarë pasojash sa i përket karakterit shumetnik të shoqërisë së Kosovës dhe të drejtave të komuniteteve pakicë dhe se institucionet do të jenë garantues të ruajtjes së trashëgimisë religjioze dhe kulturore serbe në Kosovë, në veçanti të asaj që lidhet me pozitën e Kishës Ortodokse Serbe.

“E di që do të jetë shumë vështirë të bëhet marrëveshja. Ka kundërshtarë të saj të rreptë këtu në Kosovë, por edhe në Serbi. E di që i gjithë ky proces bart në vete rreziqe dhe të panjohura të shumta. Por, nuk ka rrezik më të madh për ne si Kosovë sesa të vazhdojmë të qëndrojmë kështu në një gjendje pezull si shtet dhe si shoqëri”, theksoi ai.

Presidenti Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një javë më partë kërkuan mbështetje për një marrëveshje që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

Por, as njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një marrëveshje e tillë dhe çfarë ndryshimesh do të përfshinte. Presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike.

Të shtunën ai kritikoi ashpër opozitës serbe që po u kundërvihet ideve për ndarje e shkmëbim territoresh duke theksuar se “ata po gëzohen nga mundësia që Serbia të mos fitojë asgjë” në procesin e bisedimeve me Kosovën”.

Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Idetë e tij janë kundërshtuar nga opozita që kërkon seancë të jashtëzakonshme në parlament por edhe parti në koalicionin aktual qeverisës.

Të dy presidentët pritet të takohen më 7 shtator në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në kuadër të asaj që quhet periudha përfundimtare e bisedimeve. Zonja Mogherini tha të premten në Vjenë se pret një takim të vështirë në kërkim të një marrëveshjeje ligjore ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa theksoi se “do të do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në krijimin e shteteve njëetnike”.

Një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në radhë të parë Gjermania e Britania e Madhe, kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve.

Serbia që është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, i cila është në vitin e 11-të shtetësisë së saj. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre është kusht për integrimet evropiane.

Leave a Reply

%d bloggers like this: