Opinion

Gjeopolitika e Turqisë

 Ndryshimet e gjeopolitikës së Turqisë

Për nga gjeografia dhe historia e saj, Turqia përbën një urë midis Perëndimit dhe Lindjes, midis Europës dhe Azisë. I përket botës islamike, që njeh kudo një rizgjim dinamik dhe që është gjithnjë e më shumë e vetëdijshme për identitetin e saj. Babai i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk (Ataturk do të thotë “baba i turqve”) mendoi se kolapsi i Perandorisë Otomane në Luftën e Parë Botërore e bëri të nevojshme heqjen dorë nga vokacione të tilla gjeopolitike, duke u mbështetur në një “këmbë të vetme të urës”: atë europiane.

–       Mohoi të kaluarën perandorake.

–       Afirmoi nevojën që Turqia, për t’u modernizuar, të transformohej në një shtet – komb.

–       Mbështeti faktin që religjioni duhej të ishte një diçka individuale, as politike e as juridike.

–       Abrogoi Kalifatin dhe gjykatat islamike.

Me fitoret e tij ndaj fuqive pushtuese të pjesës së territorit të vendit asgjësoi poshtërimet e Traktatit të Sèvres, që parashikonte krijimin e një shteti kurd dhe ndarjen midis fituesve të rajoneve perëndimore të vendit. Sipas islamistëve, me zgjedhjen e europianizimit dhe me përjashtimin e islamit nga jeta politike e vendit, Ataturku i tradhëtoi identitetin e thellës. Izolacionizmi dhe shekullarizimi nuk korrespondonin me interesat dhe me vokacionin e popullit. Vizioni i tij për Turqinë duhej ndryshuar rrënjësisht. Konflikti i tyre me shekullaristët ka të bëjë me vizionin e të ardhmes së vendit dhe me vetë identitetin turk. Përplasja është akoma sot në zhvillim. E ilustrojnë manifestimet e protestës të Gezi Park në Stamboll, kur u vendos që të shembej Qendra Kulturore Ataturk për të ndërtuar një teatër. Vizioni kemalist sot kontestohet jo vetëm nga islamistët radikalë, por edhe nga eurazistët turq. Ata mendojnë se Turqia duhet ta zëvendësojë Europën me Eurazinë dhe Shanghai Cooperation Organization (SCO) me BE-në. Pozicioni zyrtar i qeverisë aktuale turke është ai mbajtjes së këmbëve në të dyja anët, duke rizbuluar rrënjët islamike të vendit, por duket e mbajtur të lidhur me Perëndimin. Domethënë duke siguruar për Turqinë rolin e urës midis Perëndimit e Lindjes dhe duke marrë pjesë në të dyja. Islami, historia, vokacioni gjeopolitik i “urës” midis Perëndimit e Lindjes dhe identiteti i Turqisë nuk u zhdukën me reformat shekullariste dhe izolacioniste të Ataturkut. Kujtimi i tyre u ruaj në “Turqinë e thellë”. Sot janë rishfaqur fuqishëm. Zgjedhja e europianizimit, e heqjes dorë nga çdo vokacion perandorak dhe, në mënyrë të veçantë, e izolimit të vendit nga trazirat e Lindjes së Mesme dhe mbyllja e tij në bastionin anadollas kontestohen.

Rritja ekonomike, mbarimi i Luftës së Ftohtë, gjatë të cilës lidhjet me NATO-n qenë të domosdoshme për sigurinë e vendit, dhe ndryshimet gjeopolitike të ndodhura në botë, në islam dhe në Lindjen e Mesme, kanë bërë të nevojshme ripërkufizimin e interesave, domethënë të politikë së jashtme të Turqisë. Shoqëria turke ka ndryshuar rrënjësisht. Ekonomia ka njohur një rritje të jashtëzakonshme. Turqia ka regjistruar një tranzicion shumë të shpejtë demografik. Koeficenti i lindshmërisë vërtitet sot nën 2 fëmijë për grua respektivisht 5 të tillëve të 20 viteve më parë. Edhe për 15 vjet akoma, Turqia do të mund të përfitojë një “dividend demografik” pozitiv, domethënë një rritje të krahut të punës. Më pas do të plaket, duke u bërë superaged si Europa dhe Japonia. Në krahasim, demografia e konkurrentit kryesor të Turqisë në Lindje të Mesme – Iranit – regjistron një ecuri të ngjashme. Demografia nuk do të influencojë shumë mbi modifikimin e raporteve aktuale të forcës në atë që është një prej rajoneve më të paqëndrueshëm të botës. Zëvendësimi i alfabetit arab me atë latin dhe shekullarizimi i deturuar kanë kontribuar në shkëputjen e Turqisë nga posedimetr e vjetra të saj ballkanike, të Lindjes së Mesme dhe veriafrikane. Kanë qenë shkaqe të rëndësishme të dështimit të shpresës, e kultivuar nga shumë perëndimorë, për ta eksportuar “modelin turk” të sislamit të moderuar e relativisht demokratik në shtetet që kishin përjetuar “pranverat arabe”. Përkundrazi, vendi po përjeton tendenca autoritare. Ka tradhëtuar shpresat europiane. Mbi një dështim të tillë kanë vepruar faktorë të tjerë.

Së pari, ngurrimi i elitave të vjetra e të reja arabe për ta pranuar lidershipin e “Vëllait të Madh” turk, të cilit i kujtonin dorën e rëndë gjatë dominimit ottoman. Së dyti, identiteti i ndryshëm etnik i arabëve karshi turqve. Së treti, mbështetja e dhënë nga Turqia (dhe nga Katari) Vëllazërisë Myslimane, në mënyrë implicite – por jo edhe aq shumë – armike e betuar e salafitëve dhe sidomos e sektit të tyre wahabit, shtyllë e monarkisë saudite, Gardiane e “Vendeve të Shenjta” dhe që ushqen ambicien që të jetë udhëheqëse e të gjithë islamit. Kundërvënia midis salafitëve dhe Vëllazërisë Myslimane e bën të pamundur unitetin e “bllokut sunit”, duke e dobësuar karshi atij shiit, i udhëhequr nga Irani. Vëllazëria Myslimane është më “ekumenikia” e salafizmit dhe nuk është kundër si ky i fundit ndaj sektit tjetër të madh të islamit, shiizmit, i dominuar nga ambiciet gjeopolitike iraniane. Reformat kemaliste kanë rezistuar gjatë Luftës së Ftohtë falë mbështetjes së forcave të armatosura, që i qenë mbrojtëset dhe që konsideroheshin të legjitimuara të ndërhynin politikisht, kur e mendonin të nevojshme për t’i shpëtuar ato. Anëtarësimi në NATO ishte thuajse i konstitucionalizuar. Moska konsiderohej si armike historike. Kundër saj, Turqia kishte bërë 13 luftëra të mira, thuajse të gjitha të përfunduara me humbjen turke. Marrëdhëniet që Bashkimi Sovjetik kishte me kurdët, sidomos pas ngjitjes së Oçalanit, shiheshin me preokupim dhe dyshim. Kërcënimit sovjetik nga lindja dhe në Detin e Zi i shtohej ai nga jugu i Sirisë dhe i Irakut, të lidhur me Moskën. Nga kjo buronin raportet e shkëlqyera me Izraelin, edhe në sektorin e industrisë së armatimeve. Sot situate është përmbysur. Respektivisht Iranit, Putini thuajse është rreshtuar në favor të Izraelit e Turqisë.

Turqia, Irani dhe Rusia në xhunglën e Lindjes së Mesme

Midis shtetit hebraik dhe Turqisë ekzistojnë tensione të përsëritura. Më të rënda kanë qenë ai i 2010 prej vrasjes nga ana e forcave speciale izraeliane e 9 qytetarëve turq të nisur drejt Gazas në bordin e “Mavi Marmara” dhe, në majin e 2018, ai që ka çuar në prishjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve prej numrit të madh të palestinezëve të vrarë në Gaza nga forcat izraeliane të sigurisë. Duke dënuar izraelin, Erdogani kërkon që të mobilizojë në favorin e tij opinionin publik arab, fuqimisht antiizraelian, dhe të dobësojë influencën e Arabisë Saudite, që në mënyrë gjithnjë e më të qartë është e detyruar që ta mbështesë Izraelin kundër ekspansionizmit Iranian, si edhe kundër Hamasit, i gjeneruar në Gaza nga Vëllazëria Myslimane dhe i mbështetur nga Irani. Të kuptohemi, Ankaraja i bën hesapet pa hanxhinë, domethënë pa marrë parasysh faktin që Shtetet e Bashkuara të Trump janë gjithnjë e më shumë të lidhur me Izraelin, i cili i frikësohet pranisë iraniane në Siri dhe forcimit të Hizballahut libanez, varësi mesdhetare e Teheranit. Por nuk është e përjashtuar që antipatia e përbashkët për Iranin të mund të rilidhë raportet dhe të rikrijojë një bashkëpunim turko – izraelian. Pavarësisht tensioneve me Arabinë Saudite, edhe prej kërcënimit të Riadit për të sulmuar katarin, tradhëtar i kauzës antiiraniane, Turqia asnuk mund të shkëputet krejtësisht nga blloku sunit, as nuk mund t’i forcojë shumë lidhjet e saj me Teheranin. Aleanca turko – iraniane në Siri është taktike, jo strategjike. Është një martesë interesi, e mbajtur bashkë dhe ndoshta e imponuar nga Putini. Moska i frikësohet një ndërhyrjeje izraeliane në Siri kundër Iranit. Ajo do të rihapte konfliktin. Do të rrezikonte që të vinte në lojë fitoren e Bashar al-Assad. Mission accomplished i deklaruar nga Putini do të bëhej barcaletë, si ajo e Bush jr. në Irak.

Kujtimet e rivalitetit midis Perandorisë Otomane dhe asaj safavide janë akoma të gjalla. Turqia do të mbesë rivali gjeopolitik i Iranit për supremacinë në Lindje të Mesme. Putini përfiton nga situata, që ia bën më të lehtë e më pak të kushtueshëm afirmimin e supremacisë në Lindje të Mesme, duke mbushur boshllëkun e krijuar nga çimpenjimi relative amerikan dhe nga mungesa e pafuqishmëria e Europës. Turqia nuk e pranon primatin saudit, i forcuar nga Egjipti, në botën sunite. Nuk merr pjesë në konfliktin në Jemen. Ka rresthuar trupa në Katar. Një ndërthurje e tillë rivaliteti dhe ambiciesh kërkon një analizë të kujdesshme të situatës. Vendimet afatshkurtëra, të prirura që të shfrytëzojnë mundësi të momentit ose “të tregojnë fytyrë të mirë në lojë të keqe” shpesh kundërvihen me objektiva strategjikë, më afatgjatë, të ndjekur nga aktorë të ndryshëm.

“Grupi i Astanës”, domethënë mirëkuptimi midis Rusisë, Turqisë dhe Iranit për Sirinë, është i brishtë dhe i përkohshëm. Mund të shembet prej iniciativës jo vetëm të Turqisë apo të Iranit, por edhe të Rusisë, përveçse prej rebelëve sirianë. Për momentin qëndron prej presioneve të Moskës dhe prej faktit se impenjimi rus në Siri shikohet me favor nga NATO dhe nga Europa, pasi lehtëson presionin e saj ndaj Europës Lindore dhe pse shmang kërcënime iraniane ndaj Izraelit. Rusia ka të gjithë komoditetin që ta përdorë rivalitetin turko – Iranian. Në rast se situata do të percipitonte, ka të ngjarë që midis Iranit dhe Turqisë do të preferonte këtë të dytën. Raportet midis Rusisë dhe Iranit kanë limite të sakte në vullnetin e Putinit për të ruajtur raporte të mira me Izraelit, për t’i shmangur një ndërhyrje massive në Siri kundër forcave iraniane që luftojnë në mbështetje të diktatorit sirian. Është i irrituar prej rritjes së agresivitetit iranian në Siri dhe prej forcimit të tij me dhjetëramijëra raketa e predha për Hizballahun dhe Hamasin. E dëshmon autorizimi thuajse eksplicit rus ndaj sulmit të madh ajror izraelian në Siri më 10 maj. Mbrojtjet e fuqishme kundërajrore ruse nuk kanë ndërhyrë kundër avionëve izraelianë. Për të shmangur një ndërhyrje izraeliane kundër Iranit dhe aleatëve të tij, Rusia ka propozuar tërheqjen e të gjithë forcave të huaja (përjashto të vetat) të rreshtuara në Siri, duke shkaktuar protesta të forta nga ana e Teherani. Irani do të shikonte që t’i shpëtonte nga dora rasti historik për të krijuar një “urë tokësore” midis territorit të tij dhe Mesdheut lindor, e përshkruar si nga Izraelin, ashtu edhe nga Turqia. Rivendosja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit është një favor i bërë Moskës, që nuk i duhet të dakordësojë me Teheranin një kufizim të eksporteve të saj të naftës dhe gazit në tregun botëror, duke bërë që të bien çmimet, aq të rëndësishme për ekonominë ruse. Paqartësia dominon të ardhmen. Aleancat aktuale mund të ndryshojnë rrënjësisht edhe në kohë shumë të shkurtër.

Faktorë të jashtëm e të brendshëm të ndryshimit të gjeopolitikës turke

Siç u theksua, interesat gjeopolitike turke kanë ndryshuar dhe janë akoma sot në rrugë ripërkufizimi, në mënyrë tejet pragmatike, domethënë të paparashikueshme. Faktorë të jashtëm e të brendshëm kanë influencuar në këtë: mbarimi i Luftës së Ftohtë, pranverat arabe, luftërat në Siri, në Irak dhe, në mënyrë më marxhinale, ajo me Jemenin dhe prishja midis dinastive të Gjirit e Katarit, konkurrenca e trazuar midis fuqivë të ndryshme rajonale në Lindje të Mesme që bëjnë luftë me bedel, tensionet midis “bllokut sunit” me atë shiit dhe midis Vëllazërisë Myslimane e salafitëve. Kushtëzimet e Luftës së Ftohtë janë zhdukur. Vullneti i fuqive të mëdha për të ndërhyrë në ruajtjen e stabilitetit rajonal është reduktuar. ISIS-i është shpartalluar. Gjeopolitika turke është diversifikuar. Nga izolacionizmi ka kaluar në aktivizmin në të gjitha drejtimet, sipas asaj që parashikohet nga parimi i “thellësisë strategjike”. Turqia ndodhet në qendër të një rajoni të gjerë gjeopolitik, që shtrihet nga Afrika Veriore (përfshi Sahelin dhe Bririn e Afrikës), Ballkani, nga “Gjysmëhëna Pjellore” në Azinë Qendrore dhe duhet të “përfitojë” nga një centralitet i tillë. Thelbi i lidhjeve me Perëndimi, që shpesh e kishin çuar Ankaranë që t’ua nënshtrojë disa prej interesave të saj atyre të aleatëve të fuqishëm të saj, është dobësuar. Ka ë kontribuar në këtë aspekt edhe vëmendja më e vogël e Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, jo më e domosdoshme për sigurinë e tyre energjitike. Por nevoja e Turqisë për të ruajtur lidhje të forta me Perëndimin europian dhe atlantik nuk është zhdukur. Nuk është vetëm nën profilin ekonomik. Politikisht, Turqia mund të lëvizë me një zhdërvjelltësi të caktuar edhe ndaj Moskës pikërisht prej lidhjeve të saj me Perëndimin. Ruajtja formale e vullnetit për t’u bërë anëtarë e BE-së – e theksuar kohët e fundit nga Presidenti turk – shmang frakturën midis AKP-së dhe europeisto – kemalistëve, dominues në Stamboll dhe Smirne.

Qysh nga fillimi i shekullit Turqia përjeton një rritje të shkëlqyer, pavarësisht dobësisë të vazhdueshme të monedhës së saj dhe deficitit të bilancit tregëtar. Ekonomia e saj është export-led dhe e avancuar nga PMI-të, të lidhur me AKP-në (“tigrat anadollas”). Rritja e saj e qëndrueshme (7.2% në 2017) është kushtëzuar nga stabiliteti i raporteve politike me shtetet importuese. Raportet midis qeverisë, që synon mbi rritjen me çdo kusht, dhe Bankës Qendrore, që i frikësohet tejngrohjes së ekonomisë dhe një inflacioni të fortë, janë gjithnjë e më të tendosura. Me ardhjen në pushtet të AKP-së në 2002 dhe me tendencat autoritare në rritj dhe të përqëndruese të kreut të padiskutueshëm të saj, Presidentit Recep Tayyip Erdogan, diversifikimi gjeopolitik i vendit është përshpejtuar. Lidhjet me Shtetet e Bashkuara janë dobësuar. Turqia është afruar me Rusinë dhe me Kinën. Shumë analistë sugjerojnë se po shkëputet nga Shtetet e Bashkuara për t’ju drejtuar Rusisë dhe nga Europa për t’u lidhur me Eurazinë. Bile disa mendojnë se synon që të zëvendësojë BE-në me SCO-në (Shanghai Cooperation Organization) dhe të vërë në diskutim lidhjet me NATO-n. Kjo shpjegon preokupimet e ngjallura nga blerja e projektuar nga ana Turqisë e sistemeve kundërajrore dhe antiraketore ruse S-400, dukshëm jo të integrueshëm në systemin e mbrojtjes ajrore të Aleancës. Bullgaria dhe Rumania do të mbeteshin të izoluara në Detin e Zi. Në 2015 Kina është bërë partneri i parë tregëtar i Turqisë, duke kaluar Gjermaninë. Raportet me Pekinin janë zhvilluar edhe në profilin ushtarak. Qysh në 2010, gjuajtës-bombarduesit kinezë kanë marrë pjesë në manovrat ushtarake “Anatolian Eagle”. Rezultojnë kontakte nga ana turke për blerjen e sistemeve antiraketore kineze, më pas të braktisura prej preferencës së dhënë S-400 ruse. Projekti madhështor kinez Belt and Road Initiative (BRI) është pritur me entuziazëm në Turqi. Mund të rrisë tregëtinë e saj me Eurazinë dhe të ofrojë mundësi të mëdha për kompanitë infrastrukturore turke. Një tren i shpejtësisë së lartë, i financuar nga Kina, është në ndërtim midis Azerbajxhanit dhe Turqisë lindore. Pastaj Turqia bashkëpunon me Kinën në Afrikë, ku të dyja janë gjithnjë e më të pranishme. Raportet me Moskën qenë prishur përkohësisht dy vite më parë prej rrëzimit të një avioni SU-24, që kishte kaluar në Turqi. Ato me Kinën prej represionit të Pekinit ndaj ujgurëve, popullsi turkiçe e Sinkiangut, i quajtur “genocid” nga Erdogan. Kemi të bëjmë me incidente të vogla, që nuk kanë influencuar mbi bashkëpunimin turk me të dy vendet dhe mbi tundimet “euraziatike” të politikës së jashtme të Ankarasë.

Në shkëputjen e Turqisë nga Perëndimi kanë kontribuar luftërat në Irak e Siri. Me të ka dështuar “politika e fqinjësisë së mirë”, e përshkruar nga slogani “asnjë armik në kufi” dhe e prirur nga penetrimi ekonomik e kulturor në vendet islamike, sidomos në ato të Lindjes së Mesme. Në ngadalësimin e oksidentalizimit të Turqisë, pavarësisht se me qëllime të mira, edhe Europa ka luajtur rolin e saj. Me idenë e e pranimit në Bashkimin Europian, ka stimuluar miratimin e reformave që kanë reduktuar pushtetin politik e ushtarakëve, mbrojtësit të rendit Kemalist, domethënë të oksidentalizimit të vendit. Megjithatë, Turqia nuk është më as shtylla juglindore e NATO-s, as e Intermariumit, domethënë e grupit të vendeve të ndodhura në istmin ponto – balltik. Black Sea Economic Cooperation (BSEC) po transformohet në një organizatë për bashkëpunimin turko – rus. Turqia nuk është pjesë as edhe e European Eastern Initiative. Por Turqia i frikësohet hegjemonisë së Moskës në Detin e Zi dhe në Kaukaz. Europa duhet të përpunojë një politikë të përbashkët ndaj Turqisë, përpara se shkëputja e saj të rritet më tej. Një proces i tillë kuptohet mirë se pengohet nga tensionet e Turqisë me Greqinë e Qipron, të shtrira sot në shfrytëzimin e basenit levantian. Në raportet me Perëndimin ka influencuar puçi i dështuar i korrikut 2016 dhe dënimet e përsëritura europiane ndaj shkeljes së të drejtave civile në Turqi, të pritura nga Erdogan me një bezdi në rritje, në mos zemërim. Sipas Presidentit turk, për puçin e dështuar është përgjegjëse lëvizja Gulen, pakashumë e mbështetur drejtpërsëdrejti, në mos e frymëzuar, nga Uashingtoni, fillimisht aleate e AKP-së, më pas e konsideruar armike kur në qershorin e 2013, u zbuluan çimka në zyrën e Presidentit, të eksponentëve të AKP-së dhe familjarë të Erdogan u akuzuan për korrupsion.

Tensionet me Perëndimin janë rritur prej ndalimit të vendeve të ndryshme europiane për të lejuar në vendet e tyre mitingje të eksponentëve turq për zgjedhjet e 2017. Ato e kanë transformuar kushtetutën në kuptimin presidencialist. Jo më kot, Erdogan ka mbajtur në maj në Sarajevë një mitin për zgjedhjet politike e 24 qershorit 2018, ku ka marrë pjesë një masë emigrantësh turq në Europë. Me të ka dashur të riafirmojë praninë turke jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën, dhe faktin që Ankaraja ka të drejtë të thotë fjalën e saj në çështjet europiane. Tensionet me Perëndimin janë ushqyer edhe nga mbështetja perëndimore ndaj kurdëve sirianë e irakenë dhe nga zemërimi në rritje europian ndaj islamit, i konsideruar si djep i terrorizmit. Turqia përbën vijën e parë mbrojtëse të Europës ndaj emigracionit nga Lindja e Mesme, pork jo nuk mjafton për t’i përmirësuar raportet. Ndryshimet e gjeopolitikës turke janë influencuar fuqimisht nga ato të shoqërisë, të ekonomisë dhe të aseteve të brendshme politike. Kthimi i islamit politik, regresi i shekullarizmit Kemalist dhe zhdukja, të paktën në periudhë afatshkurtër, e alternativave të besueshme ndaj pushtetit të Erdogan e të AKP-së kanë kontribuar në ripërkufizimin radikal e vizionit që Turqia ka për vetëveten, identietin dhe interesat e saj. Kështu, vendi po përjeton një periudhë tranzicioni, zhvillimet e së cilës janë tejet të paparashikueshme.

Kthesa turke e Turgut Ozalit me mbarimin e Luftës së Ftohtë

Mbarimi i Luftës së Ftohtë dhe shembja e Bashkimit Sovjetik janë faktorët që kanë influencuar më shumë në ripërkufizimin e gjeopolitikës turke. Ato bënë që në Turqi të lindë shpresa e zgjerimit të influencës së saj ndaj popullsive turqishtfolëse apo turkiçe të Kaukazit – sidomos në Azerbajxhanit, popullsia e të cilit është turkiçe, edhe pse shiite – dhe në Azinë Qendrore. Një shpresë e tillë u kultivua qysh nga fillimi i viteve ‘90 nga Presidenti Turgut Ozal, i ardhur ashtu si pjesa më e madhe drejtuesve aktualë turke nga qarqet sufi të Stambollit. Duke folur për “hapësirë turke”, ai aderonte në një konceptim gjeopolitik të ngjashëm me atë të eurazistëve rusë, që e vënë theksin mbi kontrollin territorial, ushtarak dhe ekonomik të sferës së influencës së tyre kulturore dhe etnike. Një shpresë e tillë ka rezultuar shpejt jorealiste prej mosdisponueshmërisë nga ana turke e resurseve të nevojshme ekonomike, prej mbështetjes së munguar të Perëndimit, prej rezistencës së drejtuesve të vendeve kaukaziane dhe qendroaziatike – të ardhur të gjitha nga shtresa e drejtuesve komunistë vendor – që ta pranonin mbizotërimin turk dhe, së fundmi, prej rigjallërimit të pranisë së Moskës në të dyja rajonet. Sukses më të madh ka pasur intensifikimi i raporteve ekonomike me Rusinë, fillimisht me Jelcinin, sot me Putinin, dhe ato me Kinën. Duke e kuptuar hendekun midis ambicieve dhe resurseve të saj, megjithëse duke mos e braktisur vizionin euraziatik, Turqia ka ndryshuar objektiva dhe instrumenta. E ka vënë theksin mbi tregëtinë dhe mbi lidhjet kulturore e fetare, duke i ndjekur vetëm me soft power e saj. Përdor rilindjen e islamit, rritjen e madhe e ekonomisë së saj, kujtimet e Perandorisë Otomane dhe influencën e Organizatës së Konferencës Islamike, ku falë financimeve bujare luan një rol të rëndësishëm. Ka përdorur organizatën e fuqishme Gulen, përpara se të ajo të prishej me qeverinë, aq sa të quhet prej saj organizatë terroriste.

Sociologjikisht, Turqia ka mbetur një perëndori multietnike dhe pjesërisht edhe multifetare. Kurdët janë 15 – 20% dhe alevitët (sekt shiit, i lidhur kulturalisht, sidomos për nga poezia e muzika, ne kulturën e madhe persiane) janë 10 – 12%. Të parët duan autonominë dhe njohjen e identitetit e kulturës së tyre. Shpërbërja e Turqisë, e vendosur në Sèvres nga fituesit e Luftës së Parë Botërore, përbën akoma sot një makth që ndikon në mënyrë përcaktuese mbi politikën e jashtme turke. Të dytët, alevitët, dyshohen se janë një kolonë e pestë iraniane. Turgut Ozal ishte i bindur se ëndërra për një sistem panturk apo panturanik do të kontribuonte në tejkalimin e dobësive të tilla të brendshme të Turqisë. Pas ridimensionimit të pushtetit politik të ushtarakëve, me aferat Ergenekon dhe Balyoz të 2010, që u kanë prerë kokat drejtuesve, dhe spastrimet që kanë pasuar puçin e dështuar e korrikut 2016, aderimi në Bashkimin Europian ka humbur shumë nga rëndësia e tij politike për Erdogan. Megjithatë, mbetet i rëndësishëm në profilin ekonomik dhe për të shmangur një frakturë të plotë midis islamistëve dhe europeistëve. Qartazi që Turgut Ozal e kishte nuhatur impaktin e përfundimit të Luftës së Ftohtë ndaj Turqisë. Pohonte se “shekulli i XXI-të do të ishte ai i Turqisë” dhe – në kundërshtim të hapur me politikën kemaliste të të europianizimit të vendit – se “Turqia nuk duhej të ishte më rob e kufijve dhe e aleancave tradicionale të saj”. Në fakt, duhej t’i shfrytëzonte mundësitë e reja. Nuk mund të mbahej e mbyllur në kafaz, në një lloj situate “as në qiell e as në tokë”, nga Bashkimi Europian, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga lidhjet me Izraelin. Ato nuk i mundësonin Turqisë që të shprehte të gjitha potencialitetet e ekonomisë dhe të soft power të saj në botën islamike, sidomos në hapësirën ish otomane.

Iraku dhe Siria, dy vende të Lindjes së Mesme që i qenë marrë nga Perandoria Otomane asaj persiano – safavide në shekullin e XVI-të, do të hapeshin ndaj influencës së Turqisë, duke i kontribuar në rritje. Në mënyrë të veçantë, Turqia do të mund ta rriste influencën e saj në Vilajetin e pasur të Ninivit (Mosulit), nga i cili nuk kishte hequr dorë kurrë, edhe kur në 1927 i ishte dashur që t’ia cedonte Britanisë së Madhe, që nga ana e saj ia kishte ceduar mbretërisë hashemite të Iraku. Regjimi i Saddam Hussein dhe i Partisë Ba’ath shihej me sy të mirë nga Turqia, edhe pse mbronte grupet etnike, si i turkomanëve, tradicionalisht i lidhur me turqit. Për këtë arësye Turqia nuk mori pjesë në asnjë nga dy luftërat kundër Irakut më 1990 – 1991 dhe më 2003. Përkundrazi, nuk e pëlqeu të dytën, duke ndaluar në 2003 tranzitin e forcave amerikane, të destinuara që ta sulmonin Irakun nga veriu. Në të parën kishte lejuar përdorimin e bazës së madhe të Inçirlikut. Turgut Ozal i kishte vlerësuar në mënyrë korrekte mundësitë që i hapeshin Turqisë. Megjithëse duke qenë mysliman praktikues, në ndryshim nga pasuesi i tij Neçmetin Erbakan dhe partia e tij Refah (Partia e Mirëqenies), e larguar nga pushteti prej ushtarakëve në 1997, ishte i bindur në nevojën e mossfidimit të regjimit shekullar, duke e mbajtur larg “islamin e thellë”, mbizotërues në fshatin anadollas. Edhe pasuesit e Turgut Ozal – ngaa Demirel tek Eçevit – qenë të vetëdijshëm për centralitetin e Turqisë dhe për nevojën e shtrirjes së influncës së saj, duke e braktisur izolimin kemalist.

Duke filluar nga 2002, rritja ekonomike dhe sukseset e përsëritura elektorale të partisë islamike të moderuar Drejtësi e Zhvillim (AKP), shumë më e matur se Refah i Erbakan, kanë çliruar potencialitetet gjeopolitike të Turqisë. Kanë kontribuar në këtë edhe karizma e Erdogan, aftësia për të nënshtruar e paparashikueshmëria e tij dhe raportet e reja me Rusinë dhe shumë shtete afrikane. Një aspekt interesant i politikës së jashtme të Presidentit turk konsiston në kritikën e tij ndaj ndërhyrjeve në Lindje të Mesme të fuqive të huaja dhe ndaj Marrëveshjes Sykes – Picot, me të cilën më 1916 Franca dhe Britania e Madhe kishin rënë dakord për të ndarë plaçkën e Perandorisë Otomane, në kundërshtim me premtimet e bëra nga Laërence of Arabia – i quajtur nga Erdogan “një spiun i poshtë britanik”, që kishte tradhëtuar arabët. Ozal ishte i vetëdijshëm për faktin se problemi i pazgjidhur kurd përbënte një pengesë të madhe në realizimin e ambicieve turke. Politika e jashtme e Ankarasë dominohet nga preokupimi se mos ndërtohet një rajon autonom kurd në kufijtë jugorë të saj. kjo shpjegon si kundërshtimin ndaj referendimit për pavarësinë e Kurdistanit iraken, ashtu edhe ambiguitetin turk në konfliktin në Siri. Erdogan thekson se Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG) e kurdëve sirianë janë një organizatë terroriste, ngushtësisht e lidhur me PKK-në. problem kurd pengon një prishje me Iranin, edhe ai i përballur me kërkesa për autonomi nga pakica e vet kurde.

Teoritë e Ahmed Davutoglusë

Ai që më shumë se kushdo tjetër ka zhvilluar dhe ka ilustruar qartë themelet e gjeopolitikës së Turqisë paskemaliste ka qenë Ahmed Davutoglu, Profesor në Universitetin e Stambolli, këshilltar i Recep Tayyip Erdogan, më pas Ministër i Jashtëm dhe së fundi Kryeministër, për t’u larguar më pas nga pushteti prej kundërshtimit ndaj autoritarizmit në rritje të Erdogan. Sipas Davutoglu, konceptet kyçe të gjeopolitikës së re turke duhet të jenë neo – otomanizmi, “panturanizmi” apo “panturkizmi” dhe “fqinjësia e mirë”, e ilustruar nga slogani “asnjë armik në kufij” (me përjashtimin e Greqisë dhe Qipros). Gjeopolitika tregëtare ndaj Lindjes së Mesme do të përfitonte nga rritja e jashtëzakonshme e “tigrave anadollas”, biznese të vogla e të mesme të mbështetura nga AKP-ja. Turqia do të duhet më pas t’u drejtohej edhe rajoneve ballkanike e veriafrikane, që kishin qenë pjesë e Perandorisë Otomane, ushtruar një influencë mbi të gjitha popullsitë turqishtfolëse dhe rivendosur prestigjin që Porta e Lartë dhe Kalifati kishin mbi të gjithë botën islamike. Për këtë objektiv të fundit, Turqia duhet të përfitojë edhe nga OIC-ja (Organizata e Konferencës – dhe nga viti 2011 Bashkëpunimit – Islamik, në të cilën marrin pjesë 57 vende). Një orientim i tillë, që parashikon të përdorë modelin turk e islamit të moderuar, reziston, duke u kryqëzuar me atë të “thellësisë strategjike”. Me një term të tillë, Davutoglu theksonte se Turqia ishte qendra e një rajoni gjeopolitik (Azi – Afrikë) të shtrirë nga ballkani në Gjirin e Adenit dhe nga Afrika Veriore (përfshi Sahelin dhe Bririn e Afrikës) në Azinë Qendrore – Sinkiang. Një concept i tillë mbetet akoma sot i gjallë. Është në bazën e diversifikimit të politikës së jashtme e të interesave kombëtare turke karshi atyre kemaliste dhe të raporteve me Europën dhe me vendet euraziatike. Politika e fqinjësisë së mirë ka dështuar krejtësisht në Lindje të Mesme. Në vend që të mos ketë asnjë armik në kufij, Turqia nuk ka më miq. Si Siria, ashtu edhe Iraku, shohin më shumë nga Irani sesa nga Turqia. Suksesi elektoral i nacionalistit shiit Moqtada al Sadr në zgjedhjet e fundit irakene do t’i dobësojë lidhjet midis Bagdadit dhe Teheranit, duke hapur mundësinë e përmirësimit të atyre me Turqinë, përveçse me Arabinë Saudite, ku Moqtada kishte shkuar përpara zgjedhjeve, sigurisht për t’i kërkuar mbështetjen. Për motivet e ridimensionimit të panturanizmit është folur tashmë. Ndoshta BRI-ja do ta rilançojë, duke lehtësuar tregëtinë turke me Azinë Qendrore, ndërsa pranimi si anëtar në SCO (ku aktualisht ka statusin e vëzhguesit) do t’i përmirësojë më tej raportet me Pekinin. Kjo mund të sjellë pranimin e Turqisë në marrëveshjen “16+1”, shtyllë e penetrimit kinez në Europën Lindore dhe ballkanike. Premtimi i bërë nga Erdogani në Sarajevë për të ndërtuar një tren të shpejtësisë së lartë midis kryqytetit boshnjak dhe Beogradit është komplemntare me atë të hekurudhës midis Beogradit e Budapestit e financuar nga kinezët, ashtu si treni i shpejtësisë lartë ngë Porti i Pireut në Beograd. Domethënë asistohet në një “gjeopolitikë të hekurudhave. Premtimi i bërë nga Erdogan ka qenë edhe një lëvizje çtensionuese ndaj Beogradit, domethënë ndaj Rusisë. E konfirmon rritja e interesit turk për Ballkanin, që përbënte “perlën” e Perandorisë Otomane, të cilën e furnizonin me ushtarakë dhe nëpunës.

(Carlo Jean është Gjeneral Korparmate, President i Centro Studi di Geopolitica Economica, Pedagog në Università Guglielmo Marconi, Link Campus University. Ka qenë Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës Francesco Cossiga. Ka qenë President i Centro Alti Studi per la Difesa. Ka qenë Përfaqësues Personal i Presidentit në ushtrim të OSBE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Dayton në Bosnje – Hercegovinë, Kroaci dhe Republikën Federale Jugosllave)

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button