Home / Opinion / Opozita si gjobëvënëse!

Opozita si gjobëvënëse!

Mero Baze

Fillimi i sesionit të ri parlamentar, po thekson një identitet të ri që Lulzim Basha i ka dhënë opozitës së tij, e pangjashme me askënd më parë.

Nëse Berisha ka pas bërë një opozitë të egër dhe thuajse revolucionare, Rama një opozitë të stukturuar dhe mbështetur mbi figurën e tij, Lulzim Basha po vizaton para shqiptarëve një tip opozite që mendon se fuqia e saj është gjobëvënia.

Të gjitha aksionet politike të saj, dhe të gjitha fabulat e rastësishme që gjen rrugës, për t’i kthyer në kauza, në themel të tyre kanë gjobëvënien.

Nëse shikon artikulimin e Bashës për vizionin e tij politik, ti e kupton që ai nuk ka asnjë plan veprimi, por një plan refuzimi ekstrem që në fund kthehet në gjobë.

Nëse ti e pyet atë sot se çfarë do bëjë PD me reformën zgjedhore, ai nuk të thotë asgjë. Ai të thotë që Reforma nuk ka rëndësi se ne nuk do hyjmë në zgjedhje me këtë kryeministër e “bla bla bla” për të të lënë pa një përgjigje. Si në çadër.

Përgjigjia reale që ti nënkupton është: “nëse na japin diçka, hyjmë në zgjedhje”.

Nëse ti e pyet Lulzim Bashën se çfarë do bëjë me zgjedhjet brenda partisë, se tha do ti bëj në Korrik, por nuk ka zgjedhur asnjë kryetar, ai të përgjigjet, se ‘duhet të shikojmë tek e keqja kryesore që është Edi Rama, me Edi Ramën s’ka as zgjedhje partiake, as parlamentare. Ne pa e hequr atë nuk bëjmë zgjedhje”. Dhe ti e kupton se është duke të thënë se do një pazar.

Ti e pyet Lulzim Bashën se çdo bësh me aleancat politike dhe LSI dhe ai të përgjigjet sërisht se “nuk ka rëndësi, pasi rëndësi ka Edi Rama, me atë nuk hyhet në zgjedhje” dhe ti e kupton prap që ky do një pazar në formë gjobe.

Ti e shikon se si disa drejtues të tij e mbushin ditën e punës duke shfletuar buletinin e prokurimeve publike dhe duke shpallur kriminel ose hajdut, çdo biznesmen që ka fituar një tender, ndërkohë që veprimtaria qeverisëse në vend mbështet pikërisht mbi tenderimin. Arsyeja është e thjeshtë.

Shumë prej atyre biznesmenëve kanë qenë klientë të PD dhe kanë qenë të detyruar të paguanin për të dhe tani Lulzim Basha është duke vrarë mendjen se kë paguajnë, siç paguanin atë. Është duke u llogaritur gjobën.

Shumë kauza politike të shpikura si kjo e “Teatrit” mbështet sërish mbi një llogari gjobëvënie, pasi PD më shumë llogarit metrat katrorë dhe merret me biznesmenin që e ka pasur klientin e vet, se sa merret me anën ligjore të problemit.

Nga ana tjetër biznese të mëdha në vend, që konsiderohen klientela të qeverisë, shihet se nuk lakohen shpesh prej opozitës edhe pse marrin tendera apo koncesione të mëdha, pasi ata dinë rregullin që në fillim, u duhet mbyllur goja gjobaxhinjëve të opozitës.

Është pikërisht ky identitet i opozitës, e cila e ka bërë atë konfuze dhe të paqartë për të ardhmen e vet, por shumë të qartë si gjobaxhie.

Opozita i sotme ngjan si ish zyra urbanistike e Bashkisë së Tiranës, ku siç tregojnë ndërtuesit, ti flisje me Bashën, ai ulte duart poshtë tavolinës dhe llogariste metrat katrorë që po të jepte.

Kjo fizionomi e opozitës së sotme, e ka bërë atë të pabesueshme, pasi ndërsa hiqet e fortë me ndonjë biznesmen që nuk i paguan më haraç, rri sustë para atyre të mëdhenjve që bëjnë dëme të mëdha dhe ajo s’guxon t’u përmendë as emrin, edhe pse Edi Rama i tall për këtë gjë në Kuvend.

Është kjo opozitë që kauzat me shumicë i merr nga grupe delexhinjsh e hajdutash të ish administratës së saj, dhe që sot mendojnë se mund t’i mbledhin gjobat jo si ish drejtora, por si OJQ.

Është pikërisht ky model opozitarizmi, që prodhon kauza të ratësishme, siç janë të rastësishëm klientët e gjobave, që u shfaqeshin në zyrë dikur ish drejtorëve.

Dhe ti pret më kot të kuptosh çdo bëjë opozita, a do hyjë në zgjedhje, a do bëjë reformë zgjedhore, a do bëjë koalicion, a do bëjë marrveshje, … Ajo thjeshtë do të vërë ndojë gjobë për çdo gjë. Dhe për zgjedhje. E di që nuk fiton gjë dhe kërkon diçka në tavolinë. Si pas çadrës.

Leave a Reply

%d bloggers like this: