Ekonomia

Forcohet euro, arrin në nivelin më të lartë që kur BSH ndërhyri në treg

Kjo javë ka nisur me një forcim të valutave kundrejt monedhës vendase. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 126.4 lekë, duke u rritu me 0.13 lekë në raport me të premten e javës së kaluar. Euro ka shënuar në këtë mënyrë në tregun vendas, të nëntën ditë radhazi kur vetëm mbiçmohet.

Sot, monedha e përbashkët këmbehej në nivelim më të lartë që nga 12 qershori, kohë kur Banka e Shqipërisë nisi ndërhyrjet në tregun e brendshëm me synimin për të frenuar rënien e pazakontë të euros, që zbriti nga rreth 134 lekë në fillim të vitit në 124.17 lekë në fillim të qershorit. Pas ndërhyrjeve, euro u rrit për dy ditë në nivelin e 128 lekëve dhe më pas u stabilizua në rreth 126 lekë, teksa institucioni monetar qendror paralajmëroi se do të ishte vazhdimisht i pranishëm në treg.

Në gusht, si rrjedhojë e efekteve sezonale, euro u nënçmua, por rënia ishte më e frenuar se vitet e tjera për shkak se banka e Shqipërisë hoqi vazhdimisht likuiditetin e tepërt nga tregu. Niveli më i ulët i euros në gusht zbriti në 125.48, në datën 10.

Më pas, me mbarimin e efekteve sezonale, euro filloi të forcohej gradualisht, për të arritur sot në nivelin më të lartë në tre muaj.

Në rritje ka qenë dhe dollari, i cili u këmbye me 108.91 lekë, 0.72 lekë më shumë se fundi i javës së kaluar.

Aktorët e tregut pohojnë se me mbarimin e efekteve sezonale është e vështirë që të parashikohet se si do të jetë ecuria e kursit të këmbimit. Dy vitet e fundit, kursi është luhatur nga faktorë jo të zakontë të kërkesë-ofertës, e ndikuar dhe nga hyrjet informale të valutës, që kanë ndikuar ndër të tjera dhe në forcimin e pazakontë të monedhës vendase, teksa deficiti i llogarisë korente nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm./ Monitor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button