Home / Rajoni / Kriza ekonomike në Turqi dhe investimet e saj në Ballkan

Kriza ekonomike në Turqi dhe investimet e saj në Ballkan

Në jug të Serbisë, një kompani turke e pjesëve rezervë për makina, është përshëndetur si një shpëtimtare, meqë fabrika e saj krijoi qindra vende pune dhe i dha frymë të re një rajoni, që ka qenë prej kohësh i pazhvilluar dhe i shkatërruar në luftërat e viteve të ’90-ta.

Jelena Jakovleviç, është punonjëse në fabrikën “Teklas Automotive Serbia”

“Kjo punë do të thotë shumë për mua. Kam studiuar në Beograd dhe planet e mia ishin që të qëndroja atje dhe të gjej një punë të mirë. Por, unë e dua qytetin tim, prandaj kjo ka shumë rëndësi për mua për shkak të familjes”, tha ajo.

Por, me rënien dramatike të vlerës së monedhës turke këtë vit si rezultat i shqetësimeve të investitorëve dhe një mosmarrëveshjeje diplomatike me Shtetet e Bashkuara, janë shtuar shqetësimet në Serbi dhe në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, që investimet e tilla nga Turqia mund të shteren, shkruan Associated Press.

Analistët thonë se problemet financiare mund të ngadalësojnë investimet e ardhshme turke ne Serbi, Bosnje, Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, ku Ankaraja po konkurron për ndikim ekonomik e politik, me Bashkimin Evropian, Kinën e Rusinë.

Tregtia midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë është rritur nga 430 milionë dollarë, sa ishte në vitin 2002, në 3 miliardë dollarë në vitin 2016, me Serbinë që zë rreth një të tretën.

Turqia tani është ndër 10 partnerët më të mëdhenj tregtarë për Serbinë dhe ndër tre të parët për Kosovën.

Udhëheqësit e Evropës perëndimore janë të shqetësuar me zgjerimin e ndikimit autoritar të presidentit turk, Recept Tayyip Erdogan, dhe për shtimin e këtij ndikimi në Ballkan.

Vendet e Ballkanit Perëndimorë formalisht duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, por, kërkesat e tyre janë lënë në pritje për shkak të problemeve të brendshme të Bashkimit Evropian siç është Brexit-i dhe kjo e ka bërë Ballkanin me të hapur ndaj ndikimeve shtesë ekonomike e politike nga Turqia, Kina e Rusia.

Ballkani ishte nën sundimin osman për 500 vjetë, që do të thotë se ka edhe lidhje kulturore – si ta zëmë me trashëgiminë myslimane në Bosnjë e Kosovë – që kanë ndihmuar Turqinë të shtojë praninë e saj.

Disa mendojnë që Ballkani Perëndimorë është mjaft i rëndësishëm në pikëpamje gjeopolitike për Erdoganin, që Turqia të përpiqet të ruajë investimet e saj aktuale dhe lidhjet tregtare.

Aleksandër Megjedoviç, nga Këshilli turko-serb i biznesit, thotë se Turqia do të vazhdojë me investimet e planifikuara, por mbase ato mund të vonohen.

“Investitorët turq janë me shumë përvojë dhe të njohur si investues të besueshëm gjithandej botës…Ballkani është zonë strategjike për investitorët nga Turqia dhe ata synojnë investime afatgjate në rajon sikundër edhe në rajone të tjera në Evropë”, thotë ai.

Në Bosnjën me shumicë myslimane, investimet turke janë ende modeste, por ndikimi politik është shtuar që nga lufta e përgjakshme e viteve të 90-ta. Grupet turke të ndihmës kanë rindërtuar urat dhe xhamitë e vjetra osmane dhe kanë financuar arsimin. Ata kanë siguruar rreth 300 milionë euro në projektet jofitimprurëse në Bosnje.

Duke demonstruar shkallën e ndikimit politik në Bosnje, presidenti turk zhvilloi një tubim parazgjedhor në muajin maj në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, pasi tubime të ngjashme u ndaluan në Gjermani dhe Austri.

Ndonëse Turqia nuk është investuesi më i madh në Bosnjë, Ankaraja vitin e kaluar zotoi tre miliardë euro për financimin e autostradës ndërmjet Sarajevës e Beogradit dhe zyrtarët presin që projekti të ecën tutje.

Afaristët thonë se Turqia e sheh Ballkanin, posaçërisht Serbinë dhe Kroacinë, si portë hyrëse për mallrat e saj në Bashkimin Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published.