Ekonomia

Karaburuni dhe Sazani, destinacionet e preferuara të 45 mijë turistëve

Bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan ishin ndër destinacionet më mbresëlënëse për 45 000 turistët vendas dhe të huaj.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha se “gjatë sezonit turistik verore qershor-gusht, nga porti i Vlorës janë nisur 20 000 turistë, nga pika të tjera me anije 13 000 dhe me mjete të vogla (skafe dhe gomone) 12 000”.

Sipas Malaj, rreth 40% e vizitorëve në Karaburun dhe Sazan ishin shtetas të huaj që kishin ardhur nga vende të ndryshme si Polonia, Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj.

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operuan anije turistike, të cilat niseshin çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit.
Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button