Rajoni

Rënie e investimeve të huaja në Bullgari

Organizata me autoritet e punëdhënësve bullgarë “Dhoma Ekonomike Bullgare” (Bulgarian Industrial Association) shpalli të dhëna tepër shqetësuese për investimet e huaja në Bullgari gjatë 10 viteve të fundit. Për këtë periudhë ato kanë shënuar rënie 10 herë në vlerë absolute dhe 14 herë si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto. Prej pothuaj 9 mln. eurosh gjatë vitit 2007 në 2017-ën ato janë pakësuar nën 900 mln. euro, kurse si përqindje prej PBB-së – nga 28% gjatë 2007-ës deri më 2% gjatë vitit të kaluar. Në gjysmëvitin e parë të 2018-ës krahas së njëjtës periudhe të vitit 2017 tkurrja e investimeve vazhdon dhe ato kanë pakësuar akoma 2 herë – nga 487.2 mln. euro deri më 246.2 mln. euro, informon nga Dhoma  Ekonomike, e cituar nga sajti Investor.

Në kontekstin e shteteve fqinje që kanë treguese të ngjashme ekonomike, Bullgaria gjithashtu nuk ka pozitë të favorshme, në fakt ajo renditet në vendin e fundit për nga vëllimi i investimeve pas vendeve si Greqia, Turqia, Serbia, Kroacia. Të gjitha këto të dhëna tregojnë se Bullgari ka problem të konsiderueshëm me tërheqjen e investimeve të huaja. Ajo nuk disponon me kapital të mjaftueshëm të vet për modernizim, për rritje ekonomike dhe për përmirësimin e nivelit të jetesës dhe prandaj ajo ka nevojë të madhe për injeksione financiare nga jashtë. Por është një treg relativisht i vogël, i cili nuk është mjaft tërheqës për kompanitë më të mëdha me interesa globale apo kontinentale. Ky treg është i vogël, jo vetëm nga pikëpamja e numrit të popullsisë, por edhe nga pikëpamja e fuqisë blerëse, sepse bullgarët janë më të varfëritë në Bashkimin Evropian. Aksesi tek tregu i përbashkët evropian është akoma një argument, i cili duhej të stimulonte kompanitë nga vendet e treta të investonin në Bullgari dhe ta përdornin atë si portë për tregun evropian. Por fakti është investitorët e mëdhenj tek ne janë kryesisht shtetet evropiane. Sipas analizës së Dhomës Ekonomike Bullgare investitori prijës në Bullgari është Holanda (885 mln. euro), pastaj renditen Gjermania  dhe Zvicra – me nga 130 mln. euro çdo një prej tyre. Në të njëjtën kohë vëzhgohet dhe rritje e konsiderueshme e rrjedhje së kapitelit nga shteti ynë për në Çeki (-301 mln. euro), Austri (-142 mln. euro) dhe Norvegji (-70 mln. euro).

Përparësia e fortë e Bullgarisë në përpjekjet e saj për tërheqjen e investimeve të huaja ishte krahu i lirë dhe i kualifikuar i punës. Por aktualisht kuadrot e përgatitura nuk mjaftojnë bile për investitorët, të cilët tashmë operojnë në tregun tonë. Bullgarët e kualifikuar tashmë nuk punojnë lirë dhe janë më pak, sepse shumë prej njerëzve të arsimuar tashmë punojnë jashtë Bullgarisë. Dhe prandaj nuk është e rastit se investitori më i madh në Bullgari mbeten bullgarët që jetojnë jashtë shtetit. Në vitin 2017 ata u kanë dërguar të afërmve të tyre në Bullgari mbi 1,15 mlrd. euro – 284 mln. euro më shumë në krahasim me vitin 2016.

Përparësia tjetër e Bullgarisë në kërkimin e investitorëve të huaj ishte taksa e sheshtë prej 10% mbi të ardhurat e personave fizikë dhe juridikë. Përkrahësit e kësaj takse shpresonin se ajo do të tërhiqte investitorë, por u bë e qartë se ai nuk është kusht i mjaftueshëm., sepse që nga aplikimi i tij në vitin 2008 investimet e huaja vazhdimisht ulen. Sipas analizave sociologjike sipërmarrësit e huaj nuk i kushtojnë vëmendje të konsiderueshme këtij tatimi dhe në vend të parë vendosin problemet si infrastruktura e keqe transportuese dhe energjetike, korrupsioni dhe administrata jokompetente, mungesa e qëndrueshmërisë dhe parashikueshmërisë në sistemin e drejtësisë.

Në të vërtetë në botë s’ka shtet, i cili nuk dëshiron të shtojë investimet e huaja në territorin e tij dhe në këtë kuptim tërheqja e kapitalit të huaj është një garë me shumë konkurrencë. Në këtë garë mbijetojnë vetëm ata që janë më fleksibil dhe kuptojnë se duhet të ftojnë investitorë jo me argumente dhe përparësi të rreme, por me fakte reale dhe prova.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button